Zot, ku banon? Cila është adresa jote?

Jan 13 • Këndvështrime

Nga Phil Bosmans

 

 

Zot, ku banon?

Cila është adresa jote?

 

Zot, njerëzit, besimtarë e jo besimtarë, kanë vështirësi me ty. Njerëzit kanë shkuar shumë larg, sa viti i dritës larg. I kanë kërkuar kufijtë e gjithësisë dhe s’kanë mund të të gjejnë në asnjë vend. Të kanë kërkuar të të shohin me teleskop dhe me sondën e gjithësisë në kozmosin e largët, që nuk mund të konceptohet, por nuk të kanë parë askund.

 

Zot, ku je?

 

Zhvillimi shkencor

ka zgjidh shumë figura për ty,

dhe ka shpjeguar shumë mistere.

Zot,

nuk do të mbet më askush,

që do të pyet për ty,

askush që do të interesohet për ty.

 

Zot, ti nuk je më i vetëkuptueshëm

Ti je bërë i padobishëm në botën e kompjuterëve dhe robotëve dhe në shoqërinë që e lëviz elektronika. I papërdorshëm në botën e cila interesohet vetëm për llogaritë (faturat) e shpenzimet dhe pandërprerë pyet: “Sa kushton kjo”. Njerëzit e kanë bërë vetën zota, zota të kohës sonë. Zota sipas matjes, shijes dhe rastit të vlefshëm, zota që mund t’i përdorin. Zota për të cilët ke llogari, që nxjerr diçka prej tyre. Zota me tempuj dhe kulte të tyre (vetjake).

Lartë në fron zotëron “forca”. Në tempujt nëntokësor ruhet fara e këpurdhës atomike dhe nderohen armët atomike si engjëjt e rojës. Janë të panumërt adhurues të “shkencës”, që bien në gjunjë krejt të mrekulluar para ikonave elektronike. Gjëja më e shenjtë e tyre është paraja dhe gjithçka që mund të blihet me to: komoditeti, mirëqenia, fama, luksi. Në altarin e gjithë këtyre zotave flijohet liria dhe paqja e njerëzve, nënçmohen të vegjlit dhe të dobëtit dhe shtrihet aty një botë që do të vdes.

 

Zot,

a ke ikur nga këta zota?

 

Një botë pa Zotin

Botë e huaj. Një botë si shtëpi e mallrave, ku mund të blihet gjithçka me para. Fati blihet në vlerën e çmimit të banjos. Shtëpia blihet nga dora e dytë e tregtarëve të antikiteteve. Parajsa fitohet me një rrugë në Mallorca.

Një botë, në të cilën ndotja ka marrë përmasa kozmike, kurse skëterra morale dhe shpirtërore po shkon ka vetëvrasja kolektive. Bota po bëhet vendushtrim ushtarak dhe kanoset rreziku që një brezni e vetme të harxhojë rezervat e jetës natyrore. Absurdi i garimit me armë dhe në kaos industrial në botë, është provë e korrupsionit  të shpirtit me përmasa botërore.

Në kohët e mëhershme, pasojat e marrëzisë njerëzore dhe verbërisë, ishin të kufizuara për shkak të moszhvillimit teknik. Në ditët tona kanoset katastrofa nga pasojat e zhvillimit teknologjik.

 

Shkenca dhe teknika e ngritën Perëndimin lartë,

mbi gjithë botën,

e ngriti te yjet,

por nuk qenë të afta

ta bëjnë njeriun të lumtur në tokë.

 

Është krijuar një hendek i madh

mes fuqisë njerëzore shkencore-teknike

dhe zhvillimit të tij shpirtëror-moral.

Bota e nesërme me ndërtimet e saja

të ndërlikuara, të stëmençura, të forta,

kanoset të jetë rezultat i qenies,

së cilës i nevojitet të ketë në shërbim

vetëm dijen, por pa “kulturën e zemrës”,

kështu do të mbetet në thellësinë e saj,

do të mbetet në nivelin e njeriut

të kohës së gurit.

Botëkuptimi ynë po vdes

në zhvillimin që njeriu po e krijon jo të lirë,

dhe po e programon

prej djepit deri në varr.

Lindja dhe vdekja janë të mbështjella

me teknologji,

e cila nuk ka kuptim për misterin e njeriut.

 

Zotin e kanë shpallur të vdekur,

zhvillimi shkencor-teknologjik

do duhej të jetë varri i tij.

 

Kur e shikoj botën,

dhe shoh si njerëzit jetojnë,

kam mbresën:

Zoti nuk ka vdekur,

njerëzit shkatërrohen, sepse

Zotin e kanë dënuar me vdekje.

 

– vazhdon –

(Pjesë nga libri: Phil Bosmans, Vergiss die Liebe nicht. Leben mit dem unglaublichen Gott. Verlag Herder, Freiburg – Basel – Wien 1997. Përktheu: Don Fatmir Koliqi)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »