Shikim dashurues dhe pranues

Jan 14 • Meditimi i ditës

14 janar 2018  E diela 2-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË  Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sam 3,3b-10.19; Ps 40,2.4ab.7-10; 1Kor 6,13c-15a.17-20; Gjn 1,35-42)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Marrë kohë për ta lexuar Fjalën e Zotit pa u ngutur dhe më shumë se një herë.

Nëse diçka më flet, thjesht qëndroj thjesht në atë vend.

 

Gjn 1,35-42

 

35 Të nesërmen prapë ishte Gjoni bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, 36 kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha:

“Ja, Qengji i Hyjit!”

37 Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën pas Jezusit. 38 Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti:

“Çka kërkoni?”

Ata iu përgjigjën:

“Rabbi, [që do të thotë: Mësues], ku banon?”

39 “Ejani e shihni!” ‑ iu përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës dhjetë.

40 Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nisën pas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. 41 Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha:

“E gjetëm Mesinë [që do të thotë: të Shuguruarin]!”

42 Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha:

“Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” [që do të thotë: Pjetër‑Shkëmb].

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në ditët e sotshme theksohet çështja e vetëdijes. Gjoni e njeh thirrjen e vet prej profeti. Ai e dallon Jezusin se çka është, dhe magjepset me fuqinë e Shpirtit dhe veprës së tij. Ai është i lirë t`i lejojë dishepujt e vet të shkojnë dhe ta ndjekin Jezusin.
  • Në shikimin e butë mund të dish a je i/e dashur: a të do fëmija yt, nipi, stërnipi, vajza apo djali, miku, prindi, burri, gruaja. Jezusi e ka hedhur shikimin direkt në ta, në thellësitë e qenies së tyre, dhe i ka thirrur. Në atë shikim janë të dashur dhe të pranuar. Lutja mund të fillojë me njohjen se Hyji të shikon. Pranoje këtë shikim, lejo që të të përshkojë ngrohtësia dhe ta dëgjosh thirrjen.
  • Shikimi i Jezusit të flet për ty në mënyrë të veçantë: Eja e shih! Lutja është kohë që të vish dhe të shikosh kush është Zotëria dhe kush jemi ne.
  • O Zot, bëj që të rritem në vetëdijen shpirtërore. Më beko që ta kem një ndjenjë të qartë të thirrjes sime. Më bëj të ndjeshëm për veprimin e Shpirtit tënd. Ma jep lirinë të dëshmoj për ty në situatën momentale.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »