A kanë shpirt ritet e tua?

Jan 16 • Meditimi i ditës

16 janar 2018  E marte, MOMENTI I SHENJTË  Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

(Leximet e ditës: 1Sam 16,1-13; Ps 89,20-22.27-28; Mk 2,23-28)

Gjatë kohës ndërsa ndodhem këtu ulur, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që të hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo o Zot që të bëhem edhe më i vetëdijshëm për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 2, 23-28

 

23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj.

24 Farisenjtë atëherë po i thonë:

“Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

25 Jezusi u përgjigj:

“A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”

27 Atëherë u thoshte edhe këtë:

“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

• Në faqet e ungjillit sipas Markut hasim në kundërshtitë në mes Jezusit dhe farisenjve. Jezusi në mënyrë të patrembur dhe menjëherë i mbron nxënësit e tij të uritur. Nevoja njerëzore i tejkalon kërkesat rituale të së shtunës.

  • Për shumë njerëz feja është ajo çka bëjmë, rregullat të cilave u përmbahemi, ritet që i kryejmë. E pra gjithë kjo mund të jetë e zbrazët. Nëse ritet tona janë të zbrazëta edhe zemrat tona mund të jenë të zbrazëta për Hyjin. E shtuna ishte e përcaktuar me ligje. Jezusi në mënyrë revolucionare e ndryshon raportin tonë ndaj Hyjit. Shikimi drejtohet nga ajo çka bëjmë tek ajo kush jemi.
  • Në zemrën e fesë ndodhet falja, mëshira dhe butësia. Pa to gjithçka tjetër është skenë e pa shpirt dhe e zbrazët.
  • Relaksohu dhe zhytu në misterin se Hyji të do. Mirësia rrjedh nga ky realizim dhe kjo praktikë. O Zot, a do të më shohin të tjerët si person i vërtetë i besimit?

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »