Mesazhi i Paqes 2018/Migrantët dhe refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes!

Jan 17 • Kisha në botë

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË
FRANÇESKUT
PËR KREMTIMIN E 
DITËS 51 BOTËRORE TË PAQES

1 janar 2018

Migrantët dhe refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes

 

  1. Urim paqeje

Paqe të gjithë personave dhe të gjitha kombeve të tokës! Paqja, që engjëjt u lajmërojnë barinjve natën e Krishtlindjes,[1] është një aspiratë e thellë e të gjithë personave dhe të gjithë popujve, sidomos e atyre që në mënyrë më të rëndë e vuajnë mungesën e saj. Mes këtyre, që i bart në mendimet e mia dhe në lutjen time, dua edhe një herë të kujtoj më se 250 milionë migrantë në botë, nga të cilët 22 milionë e gjysëm janë refugjatë. Këta të fundit, sikurse ka pohuar paraardhësi im i dashur Benedikti XVI, «janë burra e gra, fëmijë, të rinj dhe të moshuar që kërkojnë një vend ku të jetojnë në paqe».[2] Për ta gjetur atë, shumë prej tyre janë të gatshëm të rrezikojnë jetën në një udhëtim që në pjesën më të madhe të rasteve është i gjatë dhe i rrezikshëm, të pësojnë mundime e vuajtje, të përballojnë rrethime e mure të ngritura për t’i mbajtur larg nga pikësynimi.

Me shpirt mëshire, i përqafojmë të gjithë ata që ikin prej luftës e prej urisë ose që janë të detyruar t’i lënë tokat e tyre për shkak të diskriminimeve, përndjekjeve, varfërisë dhe degradimit mjedisor.

Jemi të vetëdijshëm se t’i hapim zemrat tona para vuajtjes së të tjerëve nuk mjafton. Duhet bërë ende shumë para se vëllezërit tanë dhe motrat tona të mund të jetojnë përsëri në paqe në një shtëpi të sigurt. Ta pranojmë tjetrin kërkon një angazhim konkret, një zinxhir ndihmash e dashamirësie, një vëmendje syçelët dhe të kuptueshme, administrimin e përgjegjshëm të situatave të reja komplekse që, nganjëherë, u shtohen problemeve të tjera dhe të shumta që ekzistojnë, si dhe të burimeve që janë gjithmonë të kufizuara. Duke praktikuar virtytin e maturisë, qeveritarët do të dinë të mirëpresin, të nxisin dhe të mbrojnë e të integrojnë, duke caktuar masa praktike, «në kufijtë e lejuar prej së mirës së përbashkët të kuptuar drejt, [për] ta lejuar atë përfshirje».[3] Ata kanë një përgjegjësi të saktë ndaj bashkësive të tyre, të cilave duhet t’u sigurojnë të drejtat e duhura dhe zhvillimin harmonik, për të mos qenë si ndërtuesi i marrë që i bëri keq llogaritë dhe nuk arriti ta përfundonte kullën që kishte filluar të ndërtonte.[4]

  1. Pse kaq shumë refugjatë dhe migrantë?

Në pritje të Jubileut të Madh për 2000-vjetorin e lajmërimit të paqes së engjëjve në Betlehem, Shën Gjon Pali II përmendi numrin në rritje të të ikurve mes pasojave të «një vazhde të pafundme dhe të tmerrshme luftërash, konfliktesh, genocidesh, “spastrimesh etnike”»,[5] që kishin karakterizuar shekullin XX. Shekulli i ri deri tani nuk ka regjistruar një kthesë të vërtetë: konfliktet e armatosura dhe format e tjera të dhunës së organizuar vazhdojnë të shkaktojnë zhvendosje popullsish brenda kufijve kombëtarë dhe përtej tyre.

Por personat migrojnë edhe për arsye të tjera, e para ndër të gjitha «dëshira për një jetë më të mirë, e bashkuar shumë herë me përpjekjen për të lënë pas shpine “dëshpërimin” e një të ardhmeje të pamundur për t’u ndërtuar».[6] Njerëzit nisen për t’u bashkuar me familjen e tyre, për të gjetur mundësi pune apo shkollimi: ai që nuk mund t’i gëzojë këto të drejta, nuk jeton në paqe. Gjithashtu, siç kam theksuar në Enciklikën Laudato si’, «është tragjik shtimi i migrantëve që ikin nga mjerimi i rënduar prej degradimit mjedisor».[7]

Pjesa më e madhe migron duke ndjekur një itinerar të rregullt, ndërsa disa marrin rrugë të tjera, sidomos për shkak të dëshpërimit, kur atdheu nuk u jep atyre as siguri as mundësi, dhe çdo rrugë e ligjshme duket e pamundur, e bllokuar apo tepër e ngadaltë.

Në shumë Vende të destinacionit është përhapur shumë një retorikë që enfatizon rreziqet për sigurinë kombëtare apo peshën e mirëpritjes së të mbërriturve të rinj, duke e përbuzur kështu dinjitetin njerëzor që duhet t’u njihet të gjithëve, si bij dhe bija të Hyjit. Ata që ngjallin frikë ndaj migrantëve, ndoshta me qëllime politike, në vend që të ndërtojnë paqen, mbjellin dhunë, diskriminim racial dhe ksenofobi, që janë burim shqetësimi të madh për të gjithë ata që kanë për zemër mbrojtjen e çdo qenieje njerëzore.[8]

Të gjitha elementet që ka bashkësia ndërkombëtare tregojnë se migrimet globale do të vazhdojnë ta karakterizojnë të ardhmen tonë. Disa i konsiderojnë si një kërcënim. Ndërsa unë ju ftoj t’i shihni me një vështrim plot besim, si mundësi për të ndërtuar një të ardhme paqeje.

  1. Me vështrim soditës

Urtia e fesë e ushqen këtë vështrim, të aftë të kuptojë se të gjithë bëjmë «pjesë në një familje të vetme, migrantët dhe popullsitë lokale që i mirëpresin ata, dhe të gjithë kanë të njëjtën të drejtë t’i përdorin të mirat e tokës, destinacioni i të cilave është i gjithëmbarshëm, siç mëson doktrina shoqërore e Kishës. Këtu gjejnë themel solidariteti dhe bashkëndarja».[9] Këto fjalë na riparaqesin shëmbëlltyrën e Jerusalemit të ri. Libri i Isaisë profet (kap. 60) dhe pastaj ai i Zbulesës (kap. 21) e përshkruajnë si një qytet me dyert gjithmonë të hapura, për të lënë që të hyjnë njerëz të çdo kombi, që e admirojnë dhe e mbushin me pasuri. Paqja është sovrani që e udhëheq dhe drejtësia parimi që drejton bashkëjetesën brenda tij.

Kemi nevoja ta drejtojmë edhe nga qyteti ku jetojmë këtë vështrim soditës, «pra një vështrim feje që zbulon atë Hyj që banon në shtëpitë e tij, në rrugët e tij, në sheshet e tij […] duke nxitur solidaritetin, vëllazërinë, dëshirën për të mirën, për të vërtetën, për drejtësinë»,[10] me fjalë të tjera, duke realizuar premtimin e paqes.

Duke vërejtur migrantët dhe refugjatët, ky vështrim do të dijë të zbulojë se ata nuk vijnë me duar të zbrazura: sjellin një ngarkesë guximi, aftësie, energjish dhe aspiratash, përveç pasurive të kulturave të tyre të prejardhjes, dhe në këtë mënyrë e pasurojnë jetën e kombeve që i mirëpresin. Do të dijë të dallojë edhe krijimtarinë, këmbënguljen dhe shpirtin e sakrificës së personave të panumert, familjeve dhe bashkësive që në të gjitha anët e botës u hapin derën dhe zemrën migrantëve e refugjatëve, edhe aty ku burimet nuk janë të begatshme.

Së fundi, ky vështrim soditës do të dijë ta drejtojë shoshitjen e përgjegjësve të punëve publike, në mënyrë që t’i nxisë politikat e mirëpritjes deri në maksimumin e «kufijve të lejuar prej së mirës së përbashkët të kuptuar drejt»,[11] pra duke konsideruar nevojat e të gjithë anëtarëve të së vetmes familje njerëzore dhe të mirën e secilit prej tyre.

Ai që është i frymëzuar nga ky vështrim do të jetë në gjendje t’i njohë sythat e paqes që tashmë janë duke çelur dhe do të kujdeset për rritjen e tyre. Kështu do t’i shndërrojë në kantiere paqeje qytetet tona, shpesh të ndara e të polarizuara nga konflikte që kanë lidhje pikërisht me praninë e migrantëve dhe refugjatëve.

  1. Katër gurë këndi për veprimin

T’u japim atyre që kërkojnë strehim, refugjatëve, migrantëve dhe viktimave të shitblerjes së qenieve njerëzore mundësinë që të gjejnë atë paqe që janë duke kërkuar, lyp një strategji që kombinon katër veprime: mirëpritjen, mbrojtjen, nxitjen dhe integrimin.[12]

“Mirëpritja” na kujton nevojën për t’i zgjeruar mundësinë e hyrjes së ligjshme, për të mos i dëbuar të ikurit dhe migrantët drejt vendeve ku i presin përndjekje e dhuna, dhe për të bilancuar shqetësimin për sigurinë kombëtare me mbrojtjen e të drejtave njerëzore themelore. Shkrimi i shenjtë na kujton: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa ditur, pritën miq engjëjt».[13]

“Mbrojtja” na kujton detyrën për të njohur e mbikëqyrur dinjitetin e pacenueshëm të atyre që ikin nga një rrezik real në kërkim të strehimit e sigurisë, për të penguar shfrytëzimin e tyre. Mendoj veçanërisht për gratë dhe fëmijët që gjenden në situata në të cilat gjenden para rreziqesh e abuzimesh që arrijnë t’i bëjnë skllevër. Hyji nuk diskriminon: «Zoti i mbron ardhacakët, u ndihmon bonjakëve e të vejave».[14]

“Nxitja” i referohet mbështetjes dhe zhvillimit njerëzor të tërësishëm të migrantëve dhe refugjatëve. Mes mjeteve të shumta që mund të ndihmojnë në këtë detyrë, dëshiroj të theksoj rëndësinë që t’u sigurohet fëmijëve dhe të rinjve hyrja në të gjitha nivelet e arsimit: në këtë mënyrë ata jo vetëm do të mund të kultivojnë dhe të shfrytëzojnë aftësitë e tyre, por edhe do të jenë më shumë në gjendje të ndihmojnë të tjerët, duke kultivuar një shpirt dialogu në vend të mbylljes dhe përplasjes. Bibla na mëson se Hyji «e do të ardhurin, i jep ushqimin dhe veshën»; prandaj nxit: «Kini edhe ju dashuri për të ardhurin, sepse edhe ju keni qenë të ardhur në dheun e Egjiptit».[15]

“Integrim”, së fundi, do të thotë t’u lejohet refugjatëve e migrantëve që të marrin pjesë plotësisht në jetën e shoqërisë që i mirëpret, në një dinamikë pasurimi të ndërsjellë dhe bashkëpunimi të frytshëm në nxitjen e zhvillimit njerëzor të tërësishëm të bashkësive lokale. Sikurse shkruan Shën Pali: «Prandaj, nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit».[16]

  1. Një propozim për dy Pakte ndërkombëtare

Uroj me gjithë zemër që ky shpirt ta frymëzojë procesin që gjatë vitit 2018 do të çojë në përkufizimin dhe miratimin nga ana e Kombeve të Bashkuara të dy pakteve globale, një për migrimet e sigurta, të renditura e të rregullta, tjetri në lidhje me refugjatët. Duke qenë marrëveshje të bashkëndara në nivel global, këto pakte do të përfaqësojnë një kuadër referimi për propozimet politike dhe masat praktike. Prandaj është e rëndësishme që të jenë të frymëzuara nga dhembshuria, largpamësia e guximi, në mënyrë që të shfrytëzohet çdo rast për të bërë që të përparojë ndërtimi i paqes: vetëm kështu realizmi i nevojshëm i politikës ndërkombëtare nuk do të bëhet një dorëzim para cinizmit dhe globalizimit të indiferencës.

Në të vërtetë, dialogu dhe koordinimi përbëjnë një nevojë dhe një detyrë pikërisht të bashkësisë ndërkombëtare. Jashtë kufijve kombëtarë, është e mundur edhe që Vende më pak të pasura të mund të mirëpresin një numër më të madh refugjatësh, ose për t’i pritur më mirë, nëse bashkëpunimi ndërkombëtar u siguron atyre gatishmërinë e fondeve të nevojshme.

Seksioni i Migrantëve dhe Refugjatëve të Dikasterit për Shërbimin dhe Zhvillimin Njerëzor të Tërësishëm ka sugjeruar 20 pika veprimi[17] si pista konkrete për aktualizimin e këtyre katër veprimeve në politikat publike, përveçse në qëndrimin dhe në veprimin e bashkësive të krishtera. Këto dhe të tjera ndihmesa synojnë të shprehin interesin e Kishës katolike ndaj procesit që do të çojë në adoptimin e pakteve të lartpërmendura globale të Kombeve të Bashkuara. Ky interes pohon një kujdes më të përgjithshëm baritor të lindur me Kishën dhe të vazhduar në vepra të saj të shumta deri në ditët tona.

  1. Për shtëpinë tonë të përbashkët

Na frymëzojnë fjalët e Shën Gjon Palit II: «Nëse “ëndrra” për një botë paqeje bashkëndahet nga shumë vetë, nëse vlerësohet ndihmesa e migrantëve dhe e refugjatëve, njerëzimi mund të bëhet gjithnjë e më shumë familje të të gjithëve dhe toka jonë një “shtëpi e përbashkët” reale».[18] Shumë njerëz në histori kanë besuar në këtë “ëndërr” dhe ajo që kanë bërë dëshmon se nuk bëhet fjalë për një utopi të parealizueshme.

Mes këtyre duhet përmendur Shenjtja Françeska Saverio Kabrini, 100-vjetori i lindjes së saj në qiell i bie në vitin 2017. Sot, më 13 nëntor, shumë bashkësi kishtare kremtojnë përkujtimin e saj. Kjo grua e vogël e madhe, që ia kushtoi jetën e vet shërbimit të migrantëve, duke u bërë pastaj pajtorja e tyre qiellore, na ka mësuar se si mund të mirëpresim, mbrojmë, nxisim dhe integrojmë këta vëllezër e motra tonat. Me ndërmjetësinë e saj Zoti bëftë që ne të gjithë të përjetojmë se «Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe».[19]

Nga Vatikani, 13 nëntor 2017

Përkujtimi i Shenjtes Françeska Saverio Kabrini, Pajtore e migrantëve

 

Françesku

__________________________________

[1] Luka 2,14.

[2] Angelus, 15 janar 2012.

[3] Gjoni XXIII, Let. enc. Pacem in terris, 57.

[4] Khs. Luka 14, 28-30.

[5] Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2000, 3.

[6] Benedikti XVIMesazhi për Ditën Botërore të Migrantit dhe të Refugjatit 2013.

[7] Nr. 25.

[8] Khs. Fjalim drejtuar Drejtorëve kombëtarë të baritores për migrantët pjesëmarrës në Takimin e nxitur nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Europës (KKIE), 22.09.2017.

[9] Benedikti XVIMesazhi për Ditën Botërore të Mingrantit dhe të Refugjatit 2011.

[10] Nxit. ap. Gëzimi i ungjillit, 71.

[11] Gjoni XXIII, Let. enc. Pacem in terris, 57.

[12] Mesazhi për Ditën Botërore të Migrantit dhe të Refugjatit 2018, 15 gusht 2017.

[13] Hebrenjve 13,2.

[14] Psalmi 146,9.

[15] Ligji i përtërirë 10,18-19.

[16] Efezianëve 2,19.

[17] “20 Punti di Azione Pastorale” dhe “20 Punti di Azione per i Patti Globali” (2017); shih edhe Dokumenti OKB A/72/528.

[18]  Mesazhi për Ditën Botërore të Migrantit dhe të Refugjatit 2004, 6.

[19] Jakobi 3,18.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »