Fuqia tërheqëse dhe shëruese e Jezusit
18 janar 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Sam 18,6-9; 19,1-7; Ps 56,2-3.9-14; Mk 3,7-12)
Prania e Hyjit
E mrekullueshme është të jesh së bashku me shokë, në afërsinë e tyre.
Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.
Më ke krijuar prej dashurisë.
Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehura.
Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.
Liria
Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i-e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesjen dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të falënderohem.
Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.
Fjala
Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ngjanë në zemrën tënde.
Mk 3, 7-12
7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu edhe prej Judesë, 8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit ‑ turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.
9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos e shtrydhte. 10 E meqenëse shëroi shumë ‑ të gjithë të sëmurët turreshin drejt tij për ta prekur. 11E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: “Ti je Biri i Hyjit!” 12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësisht të mos dëftonin se kush është.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Këtu zbulohet fuqia tërheqëse e Jezusit. “Njerëz të zakonshëm, të parëndësishëm” i përgatisin Jezusit një mirëseardhje të ekzaltuar. I afroheshin me një dëshirë – që t`i prekte dhe t`i shëronte. Fuqia e dashurisë del nga Jezusi.
- A jam i/e vullnetshëm/e t`i bashkëngjitem ekzaltimit të masës së njerëzve të varfër? A mund ta pranoj që edhe unë kam nevojë për prekjen e Birit të hyjit që shëron?
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban të gjitha ato që dëshiroj të them.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Mesazhi i Paqes 2018/Migrantët dhe refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes! Identifikim jete »