Identifikim jete

Jan 19 • Meditimi i ditës

19 janar 2018  E premte, MOMENTI I SHENJTË  Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sam 24,3-21; Ps 57,2-4.6.11; Mk 3,13-19)

 

Prania e Hyjit

“Çdo gjë e ka kohën dhe vendin e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj të kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i/e vetëdijshëm/e për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 3, 13-19

 

13 Pastaj u ngjit në një mal e i thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. 14 Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët [të cilët edhe i quajti apostuj], që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, 15 e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë. 16 [I emëroi, pra, të Dymbëdhjetët:] Simonin ‑ të cilit ia ngjiti emrin Pjetër, 17 Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij, që i quajti: Boanerges, që do të thotë: Bijtë e rrufesë; 18 pastaj Andreun, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Tomën, Jakobin e Alfeut, Tadeun, Simonin Kananeas 19 dhe Judën Iskariot, i cili edhe e tradhtoi.

  

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Të jesh nxënës është një temë e rëndësishme e ungjillit të Markut. Nxënësit e parë nuk kanë qenë njësi të veçanta, por Jezusi i thërret që t`i themelojnë bashkësitë e para. Angazhimi i prerë në ecjen pas tij është cilësi e domosdoshme. Ata do ta identifikojnë tërë jetën e vet me të. Të forcuar me porosinë e tij do të bëhen kumtues të Lajmit të gëzueshëm.
  • Jezusi nuk i ka përzgjedhur njerëzit në bazë të asaj çka ata janë. I ka përzgjedhur që të mund të realizohen nën udhëheqjen dhe pushtetin e tij.
  • O Zot, nuk jam asgjë e veçantë, mirëpo ti më thërret që të jem me ty. Më jep fuqi që të shërbej me një angazhim zemërgjerë.

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »