Paqja arrihet duke respektuar dinjitetin e çdo personi!

Jan 19 • Opinion

Nga Don Viktor Sopi*

 

Hyrje

Kisha që nga zanafilla e saj është ngarkuar me shërbimin e saj për njeriun në nevojë. Dinjiteti i njeriut paraqet platformën e shërbimit të Kishës. Në kuadër të këtyre përgjegjësive dhe detyrave, ajo edhe në rrethana aktuale është e ftuar që në forma të ndryshme t’i dalë në ndihmë njeriut bashkëkohor. Duke filluar nga ky mesazh, që në fillimin e pontifikatit të tij (të papnisë së tij nga viti 2013) Papa Françesku shërbimin e tij e ka përqendruar në realizimin e të drejtave të refugjatëve. Vizita e parë e tij jashtë Vatikanit ishte pikërisht ishulli Lampedusa, ujdhesë kjo atëbotë e stërngarkuar me refugjatë nga zonat e luftërave në Lindjen e Mesme.

Frontex (Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të BE-së) njofton për shifra enorme të refugjatëve të sistemuar në Europë gjatë viteve të fundit, kryesisht nga Lindja e Mesme. Sipas këtyre të dhënave, kemi të bëjmë me fatin e mbi një milion persona-emigrantë në Europë.

Mesazhi i sivjetëm për Ditën e paqes sipas traditës së Kishës katolike që bëhet me 1 janar për çdo vit, Papa Françesku, prapë i rikthehet çështjes së emigrantëve dhe refugjatëve. Mesazhin e sivjetëm të tij, Papa Bergolio e ka konkretizuar në gjashtë pika kryesore. Do e hedhim pra një shikim këtyre pikave që lidhën me problemet dhe aktualitetin e refugjatëve të ditëve tona.

 

  1. Dëshira për paqe

Paqe për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kombet në tokë, bazohet në ftesën e Engjëllit që i njoftoi barinjtë në Natën e Krishtlindjes (Lk 2,14), është një dëshirë e thellë për çdo individ dhe të gjithë popujt, sidomos të atyre që vuajnë nga mungesa e paqes. Në ditët tona kur kujtojmë më shumë se 250 milionë emigrantë në të gjithë botën, nga të cilat 22.5 milionë janë refugjatë. Shumë prej tyre rrezikojnë jetën e tyre në udhëtimin që shpesh është e gjatë dhe e rrezikshme, durojnë vështirësitë dhe vuajtjet drejt lirisë dhe paqes, kurse shkaktarët e ikjes janë diskriminimi, persekutimi, varfëria, etj.

Duke kryer punën e sajë të maturisë, udhëheqësit e qeverisë duhet të ndërmarrin hapa praktike për të marrë ato, të nxitur, të mbrojë dhe të gjejnë rrugët më të përshtatshme të integrimit, siç ka porositur dekada më parë Papa i Mirë, Gjoni XXIII në enciklikën e tij Pacem in terris, nr. 106.

 

  1. Numri i lart i refugjatëve dhe i emigrantëve

Para Jubileut të Madh, duke shënuar dy mijë vjet shpalljen e Paqes Engjëllore në Betlehem, Shën Gjon Pali II, vëri në dukje numrin në rritje të refugjatëve gjatë shekullit XX si pasojë e “rendit të pafund dhe të tmerrshëm të luftërave, konflikteve, gjenocidit dhe spastrimit etnik” (Gjon Pali II, Mesazhi për Ditën e Paqes, viti 2000). Konfliktet e armatosura dhe format e tjera të dhunës së organizuar vazhdojnë t’i bëjnë njerëzit të lëvizin brenda kufijve kombëtarë dhe më gjerë.

Në shumë vende ku janë të vendosur refugjatët, është ngritur retorika në të cilën theksohet rrezikun për sigurinë kombëtare apo propagohet për kostot e larta të tyre, gjë që ky konstatim shpreh përbuzje për dinjitetin njerëzor. Të gjithë njerëzit duhet të njihen si bij dhe bija të Zotit. E gjithë kjo, ndoshta për arsye politike, në vend të ndërtimit të paqes, mbjell frikën nga emigrantët, diskriminimin racor, dhunën dhe ksenofobinë.

Të gjithë treguesit në dispozicion të bashkësisë ndërkombëtare tregojnë se migrimi global do të vazhdojë të shënojë të ardhmen tonë. Disa e konsiderojnë atë një kërcënim. Përkundrazi, fenomenin e emigrimit duhet shikuar si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët në paqe.

 

  1. Pjesë e të njëjtës familje njerëzore

Në pikën e tretë, Françesku rikujton se të emigruarit dhe vendorët jemi pjesë e së njëjtës familje dhe ata të gjithë kanë të drejta të barabarta për të përdorur burimet natyrore, të cilat janë të destinuara për të gjithë, siç mëson Doktrina Shoqërore e Kishës. Paqja sociale paraqet sundimtarin suprem të bazuar mbi parimin e drejtësisë.

Duhet kujtuar se migrantët dhe refugjatët nuk vijnë me duar të zbrazëta. Ata sjellin trimërinë, aftësitë, energjinë dhe aspiratat e tyre, si dhe thesaret e kulturës së tyre; dhe kështu të pasurojnë jetën e popujve që i marrin ato. Kështu që duhet marrë parasysh nevojat e të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, pra të mirën e përgjithshme të njerëzimit si dhe mirëqenien e secilit individ. Në këtë mënyrë qytetet tona, shpesh të ndara dhe të polarizuara nga konfliktet rreth pranisë së emigrantëve dhe refugjatëve, do të kthehen në vende të paqes.

 

  1. Katër pikat qendrore për veprim

Rruga që azilkërkuesit, refugjatët, emigrantët dhe viktimat e trafikimit, kërkon një strategji që përfshin katër veprime. Ato janë: Pranimi i tyre, mbrojtja, promovimi dhe integrimi. Bibla (Heb 13, 2) na kujton: Mos harroni mikpritjen: sepse disa, pa e ditur, i kanë mirëpritur vet engjëjt. Brengat tona për sigurinë kombëtare duhet të jenë të balancuara me mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, pra në këtë rast, me pranimin e refugjatëve.

“Mbrojtja” parasheh mbrojtjen e dinjitetit të pacenueshëm të atyre që ikin nga rreziqet reale në kërkim të azilit dhe të sigurisë, si dhe për të parandaluar shfrytëzimin e tyre. Papa Françesku veçanërisht përqendrohet tek gratë dhe fëmijët që janë në situata ku ata janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe keqpërdorimeve që mund të shkojnë deri në skllavëri. Edhe Caritas KS vepron me këtë strategji, duke bazuar veprimin e vet me projekte konkrete kundër trafikimit…

“Promovimi” nënkupton nxitjen e zhvillimit të plotë njerëzor të emigrantëve dhe refugjatëve. Bibla mëson se Hyji “e do të huajin, i jep atij ushqim dhe veshje”. Prandaj ai thërret: “Duaje të huajin, sepse edhe ju ishit të ardhur në vendin e Egjiptit”. Libri i Ligjit të përtërirë 10,18-19.

“Integrimi”, nënkupton mundësinë e tyre që të marrin pjesë plotësisht në jetën e shoqërisë në të cilën ata janë pranuar, si pjesë e procesit të pasurimit të ndërsjellë dhe bashkëpunim të frytshëm në shërbim të zhvillimit të tërësishëm njerëzor.

 

  1. Propozimi për dy marrëveshje ndërkombëtare

Pritet dhe urojmë që gjatë viti 2018, një proces i filluar më parë të çojë në përcaktimin dhe miratimin e dy marrëveshje botërore nga ana e Kombeve të Bashkuara, njëra prej të cilave i referohet një migrim të sigurt dhe të rregullt, dhe një tjetër për refugjatët. Si një marrëveshje e përbashkët në shkallë globale, këto marrëveshje do të ndihmojnë propozimet politike dhe masat praktike.

Dialogu dhe koordinimi janë një domosdoshmëri dhe detyrë e qartë e bashkësisë ndërkombëtare. Jashtë kufijve të një vendi dhe vendeve më pak të pasura mund të pranojnë (të pranojnë më shumë) refugjatë nëse bashkëpunimi i tyre ndërkombëtar siguron fondet e nevojshme. Kemi të bëjmë me një projekt i cili promovon zhvillimin e tërësishëm njerëzor.

 

  1. Për shtëpinë tonë të përbashkët

Në porosinë e vitit 2004 për Ditën Botërore të shpërngulurve dhe të refugjatëve, Shën Gjon Palit II, ndër të tjera tha: Në qoftë se ne e njohim vlerën e kontributeve të refugjatëve dhe emigrantëve, atëherë njerëzimi mund gjithnjë të bëhet familje e të gjithëve dhe një shtëpi e mirë e përbashkët e gjithë neve.

Papa Françesku e përmbyll mesazhin e tij për Ditën e Paqes për vitin 2018, duke na kujtuar se në shërbim të këtij ideali të përbashkët njerëzor, kemi një shembull të veçantë nga jeta dhe dëshmia e Shën Françeska Ksaver Cabrini, që këtë vit shënohet 100 vjetori i vdekjes së saj. Kjo grua e shquar që ja kushtoi jetën e saj në shërbim të emigrantëve dhe më vonë u bë Pajtore e tyre, na mësoi se si ne mund t’i pranojmë, t’i mbrojmë, t’i promovojmë dhe t’i integrojmë vëllezërit dhe motrat të huaj. Lusim ndërmjetësinë e saj që të mësojmë dhe ta përjetojmë se “fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen” (Jak 3,18).

Mesazhin për Ditën e Paqes për vitin 2018, Papa Françesku e firmosi në Vatikan, më 13 nëntor 2017, në festën e Shën Françeska Ksaver Cabrini, Pajtore e emigrantëve.

 

Përfundim

Mesazhi i papa Françeskut për refugjatët është thellësisht politik, por pa qëllim që të implikohet në projekte politike shtetërore. Ai u kërkon qeverive perëndimore për të mirëpritur, mbrojtur, promovuar dhe integruar emigrantët. Bergolio vë në dukje mesazhin e vet Jezusit për dashurinë e rrënjosur në mikpritje ndaj të huajve dhe të braktisurve.

Refugjatët klasifikohen në kategori të ndryshme: janë ata që kërkojnë azil për shkak se janë të persekutuar në vendet e tyre, disa largohen nga vendet e tyre për shkak të pikave të nxehta të luftës, të tjerët largohen për arsye ekonomike, etj. Siç dihet, këta njerëz rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Europë.

Papa kërkon që qeveritë të ndërtojnë “ura dhe jo mure”. Nga ana tjetër, nga shumë njerëz në Perëndim është e vështirë të kuptohet shqetësimi i Papa Françeskut për refugjatë, duke pasur parasysh se shumica e qyteteve në Europë sot janë ma të pasigurta se sa rrugët e Damaskut apo se edhe shumica e qyteteve dhe qytezave në Pakistan dhe vende të tjera nga të cilat vijnë emigrantët.

 

*Meshtar i Ipeshkvisë së Kosovës, drejtor i përgjithshëm i Caritas Kosova.

(Shkrimi është kumtesë e mbajtur në prezantimin e Mesazhit të Paqes 2018 të Papa Françeskut, më 18.01.2018, në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »