Prezantohet mesazhi i paqes i Papa Françeskut për vitin 2018

Jan 19 • Kisha në Kosovë

Nga Ardian Nikolla

 

Tradita e përvjetshme e Papëve të kohës, të cilët për më shumë se pesë dekada çdo fillimvit iu kanë drejtuar kombeve, shteteve e njerëzve vullnet mirë me mesazhin e paqes, ka vazhduar edhe këtë vit nga Papa Françesku.

Në mesazhin e sivjetshëm të paqes, Atit i Shenjtë vëmendje të posaçme iu ka kushtuar të gjithë atyre që për arsye të ndryshme detyrohen t’i lënë vatrat e tyre e t’i marrin udhët e botës, ku kërkojnë kushte më të mira për të ndërtuar të ardhmen e tyre, respektivisht migrantëve dhe refugjatëve.

Prezantimi i mesazhit të paqes të Atit të Shenjtë është bërë traditë e kultivueshme tash e sa vjet edhe në Kishën tonë këtu në Kosovë. Në rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, gjatë ditës së enjte, u prezantua ky mesazhi i cili kishte një temë shumë aktuale: “Migrantët dhe Refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes”.

Të ftuar për të prezantuar mesazhin e sivjetshëm ishin Don Viktor Sopi, drejtor gjeneral i Caritas Kosova si dhe Prof. Dr. Aziz Pollozhani, rektor i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, të cilët me kumtesat e tyre, secili nga profesioni që vijnë, e bënë më të afërt kuptimin e mesazhit të Atit të Shenjtë për të gjithë të pranishmit.

Don Viktori që në fillim të kumtesë së tij tha se Kisha Katolike që nga zanafilla e saj është ngarkuar me shërbimin për njeriun në nevojë. Dinjiteti i njeriut paraqet platformën e shërbimit të Kishës. Në kuadër të këtyre përgjegjësive dhe detyrave, ajo edhe në rrethana aktuale është e ftuar që në forma të ndryshme t’i dalë në ndihmë njeriut bashkëkohor. Duke filluar nga ky mesazh, – vazhdoj kumtuesi – që në fillimin e pontifikatit (të papnisë së tij nga viti 2013) Papa Françesku shërbimin e tij e ka përqendruar në realizimin e të drejtave të refugjatëve. Vizita e parë e tij jashtë Vatikanit ishte pikërisht ishulli Lampedusa, ujdhesë kjo atëbotë e stërngarkuar me refugjatë nga zonat e luftërave në Lindjen e Mesme.

Pas elaborimit të përmbajtjes së Mesazhit, Don Viktori kumtesën e përfundoje me konstatimin se Papa Françesku iu kërkon qeverive perëndimore për të mirëpritur, mbrojtur, promovuar dhe integruar emigrantët. Bergolio vë në dukje mesazhin e vet Jezusit për dashurinë e rrënjosur në mikpritje ndaj të huajve dhe të braktisurve. Papa kërkon që qeveritë të ndërtojnë “ura dhe jo mure”. Nga ana tjetër, nga shumë njerëz në Perëndim është e vështirë të kuptohet shqetësimi i Papa Françeskut për refugjatë, duke pasur parasysh se shumica e qyteteve në Europë sot janë ma të pasigurta se sa rrugët e Damaskut apo se edhe shumica e qyteteve dhe qytezave në Pakistan dhe vende të tjera nga të cilat vijnë emigrantët.

Ligjëruesi i dytë i ftuar nga Shkupi, Prof. Dr. Aziz Pollozhani, duke falënderuar Ipeshkvinë e Kosovës për ftesën që i është bërë për të qenë sot në këtë ngjarje të bukur e për të folur për mesazhin e paqes të Papa Françeskut, tha se një ky mesazh është një ftesë për të kultivuar shpirtin e dialogut, në vend të mbylljes dhe përplasjeve. Duke e ndërlidhur mesazhin në fjalë me arsimin dhe edukimin, duke e lexuar mesazhin e Papës si një kërkesë për të përgatitur gjeneratat e ardhshme për takim me këtë kategori njerëzish që do të vijnë në kontinentin tonë, tha mes të tjerash Pollozhani.

Pas dy kumtesave u la një hapësirë për pyetje, bashkëbisedim me audiencën. Interesimi nga audienca rreth dy çështjeve; në rend të parë, nëse sot koncepti bazë biblik i pranimit të tjetrit si vëlla-motër, është i pranishëm akoma në botën moderne, apo më tepër dominion ai i kohëve të vona që thotë se njeriu për njeriun është ujk, me fjalë tjera, është armik. Dhe çështja tjetër, sa shtetet dhe kisha kanë punuar për ato vende të prekura nga varfëria dhe luftrat e ndryshme, si shkaqe kryesore të migrimit, në mënyrë që mos të lëvizin nga vendet e tyre.

Në fund, e mori fjalën Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, i cili në njëfarë mënyre rrumbullakësojë tërë diskutimet duke spikatuar në pikat bazë të mesazhit por edhe duke përçuar një mesazh aktual edhe për vendin tonë.

“Përzemërsisht ju falënderoj për praninë tuaj, në mënyrë të veçantë dy ligjëruesve për kontributin e tyre, që sot na kanë bërë më të afërt mesazhin e paqes të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut”, ishin fjalët përshëndetëse të ipeshkvit.

“Ne jetojmë në një kohë kur shumëkush mendon se Kisha duhet me i këqyr punët e veta, me u mbyll e me e lut Zotin. Është e vërtetë se ne i këqyrim punët tona dhe e lusim Zotin. Por, Kisha përmes kësaj porosie të Papës, e shumë ngjarje të tjera, dëshiron t’i thotë botës dhe këtyre njerëzve, që përpos se ne marrim pjesë në meshtarinë e Krishtit dhe i japim lavdi Zotit, ne jemi bashkudhëtarë me të gjithë ju në këtë botë. Dhe si bashkudhëtarë që jemi, ne e kemi mision profecinë, këndej duami të shpalosim mendimin tonë mbi rrethanat e jetës dhe udhëtimin e përbashkët që e kemi në jetën e përditshme.

Sivjet Papa ka zgjedhur për temë të mesazhit të vet që të bashkëndajë me njerëzimin, botën dhe me gjithë njerëzit vullnetmirë, një breng të madhe që e ka shoqëria njerëzore; migrantët dhe refugjatët, atyre që ju mohohet mundësia për të jetuar lirinë dhe paqen në vendin e vet. Dhe për këtë breng të madhe të botës, Papa ka dashur me e dhanë mendimin e Kishës. Sepse, para së gjithash, migrantët dhe refugjatët, janë njerëz që i ka krijuar Zotit, si neve. Prandaj, ata duhet t’i mikëpresim, me duar e zemër hapur. Këta njerëz bartin me vete gjithë dhimbjen e të kaluarës dhe gjithë brengën e mospasjes së mundësisë për t’i realizuar të drejtat e tyre në vendin e vet. Prandaj, ne duhet të jemi ata që duhet t’i ngushëllojmë, duke i mbrojtur, pasi ata e bartin me vete edhe pasurinë shpirtërore dhe kulturën e tyre. Ne nuk duhet të ndjehemi të rrezikuar nga të mirat që na i bien, por duhet t’i promovojmë ato e të pasurohem edhe ne me to.

Sot, shfrytëzoj këtë moment, që t’i ftoj të gjithë njerëzit vullnetmirë që të dinë të bashkëndajnë gëzimin dhe vuajtjet e udhëtimit të përbashkët mbi tokë. Ani pse mendojmë ndryshe, ani pse besojmë ndryshe, ani pse kemi botëkuptime të ndryshme për qiellin dhe për tokën, por ne e kemi një të sotme dhe një të nesërme, e ajo duhet të jetë e barabartë, si për mua, si për ty, si për çdo njeri në këtë botë.

Nuk duhet të harrojmë se ne jemi populli refugjatë, që kemi përjetuar një mohim të të drejtës për të jetuar në vendin tonë. Nuk duhet të harrojmë se shumë prej familjeve tona jetojnë në botën e jashtme dhe atje mundohen me e sigurua të mirën e vet, të ardhmen e vet. Nuk duhet t’i mohohet asnjë njeriu e drejta për të kërkuar një jetë më të mirë për vete dhe familjen e vet. Sepse Zoti nuk i ka nda kufijtë e botës. Zoti i ka dhanë secilit jetën dhe botën të barabartë për secilin. Njerëzit kanë nda kufijtë e botës, duke thënë se kjo pjesë më përket mua e ajo atje i përket tjetrit. Prandaj, këtu duhet ta ripohojmë edhe njëherë më fuqishëm thënien e Papë se muret duhet të rrënohen e të ndërtojmë ura, bashkëpunim mes njerëzve.

Edhe vendi ynë ka nevojë për paqe. Vendi ynë ka nevojë për paqe të vërtetë. Edhe pse neve nuk na mohohet e drejta për ta realizuar paqen dhe lirinë në vendin tonë, neve na mohohet mundësia që t’i bëjmë të prekshme dhe të dobishme frytet e paqes dhe të lirisë, nga papërgjegjësia e shumëkujt në këtë vend. E sidomos, ne nuk duhet të mendojmë se paqja mund të ndërtohet duke vrarë njerëz, sikur e kemi parë këto ditë, apo edhe duke e mohuar të drejtën e tjetrit që të jetojë. Prandaj, paqja e vërtetë buron nga zemra e pastër, sepse pa zemër të pastër nuk mund ta duami paqen. Kur nuk e duami paqen, atëherë nuk mund t’i durojmë të tjerët rreth vetes, pasi në këtë gjendje mendojmë se e drejta na takon neve e jo të gjithëve; ne mendojmë se e vërteta është e jona e jo që ne jemi të së vërtetës. Në këtë mënyrë, ne mund të shndërrohemi, siç u përmend sot nga audienca, njeriu për njeriun është ujk. Porse ne nuk pajtohemi me të, sepse njeriu njeriut i bëhet ujk kur nuk ka shpirt, por derisa ai udhëhiqet nga shpirti, njeriu për njeriun është vëlla.”- ishin fjalët e ipeshkvit të Kosovës, me të cilën edhe u përmbyll ky eveniment kulture në Ipeshkvinë e Kosovës./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »