Kthehuni e besoni ungjillit!

Jan 20 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Jona 3, 1-5.10

Profeti Jona është dërguar nga Hyji tek banorët e Ninivës që ata të ktheheshin dhe me pendesë të mund të shpëtojnë nga dënimi i Zotit dhe të gëzojnë mëshirën e Tij.  Në të vërtetë Niniva, qyteti i madh pagan kthehet me pak fjalë të një profeti të vogël si Jona, ndërsa populli i zgjedhur, Izraeli kishte refuzuar shumë profetë duke kërkuar vazhdimisht shenja dhe mrekulli.

 

Lexim prej Librit të Jonës profet

Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha: “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit. E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposet!” Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për dënimin, me të cilën u ishte kërcënuar se do t’ua çojë dhe nuk ua çoi. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  25

Ref: M’i  mëso, o Zot, shtigjet e tua

————————————–

Më drejto me të vërtetën tënde

dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,

në ty shpresoj gjithmonë.

————————————–

Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate,

për hir të mirësisë sate, o Zot.

————————————–

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

————————————–

 

Leximi i dytë    1 Kor 7, 29-31

Edhe pse Shën Pali beson në rikthimin e shpejtë të Jezusit në lavdi kur thotë: “Koha është e shkurtër”, ai na kujton se si duhet t’i përdorim të mirat e tokës dhe që jeta e pranishme plot me gëzim dhe dhimbje, turbullime dhe shqetësime, nuk është akoma jeta e vërtetë. 

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Ja, ç’dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja!

 

Ungjilli    Mk 1, 14-20

Marku tregon fillimin e predikimit të Zotit dhe thirrjen e dishepujve të parë që bëhen peshkatarë njerëzish. Jezusi predikon Ungjillin e Zotit dhe i fton të besojnë.  Termi “Ungjill” tregon atë lajm të gëzuar që shpall ardhjen e Mesisë shpëtimtar dhe ndërton mbi tokë mbretërinë e Hyjit.  Për këtë, ardhja e Mesisë kërkon një ndryshim mentaliteti dhe një pranim të Ungjillit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!”. Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk – ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllanë e tij, Gjonin: Ishin në lundër e po arnonin rrjetat. Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Mbretëria e Hyjit nuk është një e mirë materiale, është Zoti vetë që dëshiron të na dhurohet neve, që të mund të jetojmë në praninë e tij, në dashurinë e tij lirisht. Jezusi predikon Ungjillin e Hyjit: lajmin e mirë që ka si përmbajtje Hyjin, që rrjedh nga Hyji, që vetë Hyji komunikon nëpër-mjet Jezusit. Mesazhi i tij është fokusuar si dje ashtu edhe sot në një shpallje e në një apel, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.  

Lajmi: “Koha e u krye e mbretëria e Hyjit është afër”. Koha, e përcaktuar nga Hyji për të aktualizuar premtimet e tij, ka mbërritur, domethënë Hyji vetë, Zoti pafundësisht i fuqishëm e i mirë, është afër jush, është këtu për t’ju mbushur me çdo të mirë e për t’ju çliruar nga çdo e keqe. Jezusi shpall një lajm të mahnitshëm: nëpërmjet Tij Hyji po na dhurohet tërësisht neve, duke respektuar lirinë tonë.

Pas shpalljes Jezusi na drejton apelin: “Kthehuni e besoni Ungjillit”. Të kthehemi domethënë të marrim seriozisht shpalljen dhe personin e Jezusit Mësues.  Domethënë t’i drejtohemi Hyjit, t’i drejtojmë Atij fytyrën dhe zemrën, duke e dëgjuar me vëmendje dhe me besim. Të mos i kthejmë shpinën, duke kërkuar shpëtimin dhe lumturinë larg nga Ai.

Urdhërorja “kthehuni” përcaktohet menjëherë nga një urdhërore tjetër: “Më ndiqni”. Kthimi qëndron në të lidhurit me Jezusin, në të bërit dishepuj të tij. Mbretëria arrin, është e pranishme në Jezusin: kuptoje, lejo të të arrijë edhe ty, Hyji të do; e nëse e pranon do të ndryshojë jetën tënde.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, jemi të ftuar nga Jezusi të jetojmë thirrjen tonë si të krishterë për të qenë mbartës të mesazhit të shpëtimit, që do ta përhapim në mbarë botën. Mirënjohës ndaj Zotit për thirrjen e tij, t’i drejtojmë Atit lutjen tonë. Të themi së bashku:

 

Na dëgjo o Zot.

L. Për Kishën: që të pranojë në plotësi thirrjen që ka marrë, e të ndjejë nevojën urgjente për t’u shpallur atyre që janë afër e larg, Ungjillin e Jezusit. Të lutemi.

L. Për ata që në botë e ushtrojnë pushtetin me dhunë, me padrejtësi e me korrupsion: që ta kuptojnë se Jezusi i fton të kthehen nga e vërteta e të largohen prej sjelljes së keqe. Të lutemi.

L. Për ata që jetojnë fenë mes dyshimit e pasigurisë, për ata që largohen nga feja katolike për të ndjekur fe të tjera: që Shpirti Shenjt t’i ndihmojë e t’i shndritë drejt rrugës së vetme të shpëtimit, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Të lutemi.

L. Që çiftet me përvojë të gjatë jete të ndihmojnë të fejuarit dhe të sapomartuarit e rinj në hapat e parë të jetës martesore. Të lutemi.

L. Që bashkësia jonë të pranojë ftesën e javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, për t’i dhënë guxim dhe për të forcuar bashkimin e popullit të Hyjit në jetën e përditshme dhe në kremtimet liturgjike. Të lutemi.

M. O Zot, Ti nuk na trajton sipas mëkateve tona dhe nuk na paguan sipas fajeve tona: zëri ynë arriftë në zemrën tënde prej Atit të mëshirshëm e na dhuroftë kthimin e sinqertë, burim i lumturisë së vërtetë dhe i paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »