A guxoj të rrezikoj gjithçka për Jezusin?

Jan 21 • Meditimi i ditës

 21 janar 2017 – E diela 3-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gjn 3,1-5.10; Ps 25,4b-7bc.8-9; 1Kor 7,29-31; Mk 1,14-20)

 

Prania e Hyjit

Kur jam i/e grishur të rri me mikun/mikeshën,
mezi e pres këtë dhe e ndjej veten se po më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që t`i kaloj disa momente në praninë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndjej dashurinë e tij.
Me besim dhe shpresë ia çeli mendjen dhe zemrën Hyjit,
dhe lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.
Si është duke më kaluar dita? Si po e ndjej veten tani?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

________________________________________

 

Mk 1, 14-20

 

14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”
16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ishin peshkatarë. 17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” 18 Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. 20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

________________________________________

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi e fillon misionin e vet duke e thirrur një grup për ta ndjekur. Nxënësve të vet u jep një mision – që të bëhen peshkatarë njerëzish për Mbretërinë e Hyjit. Për miqtë e vet përzgjedhë njerëz krejt të zakonshëm, njerëz pa pasuri apo pozitë të lartë. Është interesante që të përzgjedhurit nuk kanë kurrfarë sigurie, nuk e njohin mirë, e megjithatë rrezikojnë gjithçka për të.
  • Zot, ti thërret njerëz të thjeshtë – si mua. Bëj që edhe unë në komunikim të përditshëm të mund t`ua sjell Lajmin e gëzueshëm të tjerëve.
  • Ndodhemi në tetëditëshin e lutjes për bashkimin e Kishës. Gjatë këtyre ditëve mblidhemi së bashku si njerëz që besojnë se Hyji është bërë njeri në një Zot dhe Shpëtimtar të vetëm, Jezu Krishtin. Ne ndajmë një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve. Ne e pranojmë, gjithashtu, se uniteti ynë në besim duhet mbështetur dhe thelluar.
  • Nëpërmjet lutjes, studimit dhe punës sonë të përbashkët, bashkimi ndër të krishterët u bëftë edhe më i përsosur.

 

Bashkëbisedimi 

Si e kam përjetuar Fjalën e Zotit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur të veprojë më ndryshe?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia paraqes krejt çfarë ndjej në vete.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »