A di t`i dalloj nxitjet e shpirtit (jo) të mirë?

Jan 22 • Meditimi i ditës

22 janar 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Sam 5,1-7.10; Ps 89,20-22.25-26; Mk 3,22-30)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruja mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka për ç`gjë duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të falënderohem.

Diçka për ç`gjë ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 3,22-30

 

22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin:

“E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”

23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra:

“Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 30 Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi është i fuqishëm. I kundërvihet fuqive të këqija, kurse forcat e errëta nuk mund t`i bëjnë asgjë. E pra, dijetarët e shkrimeve (skribët) e dëbuan fuqinë e Shpirtit të shenjtë dhe përhapën për të fjalë të këqija.
  • A jam gjithmonë i/e hapur ndaj Shpirtit të Hyjit? O Zot, më ndihmo që t`i dalloj nxitjet e Shpirtit të mirë nga fuqitë e këqija.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »