Shumë njerëz s’mendojnë për Zotin!

Jan 22 • Këndvështrime

Nga Phil Bosmans

 

Shoh si njerëzit vërdallën

nëpër labirintin e errët,

dhe kërkojnë dalje.

Shoh si njerëzit janë të ulur

matanë qelqit dhe betonit,

çdonjëri në kastën e vetë të xhamit,

në ajrin artificial të klimatizuar.

 

Njerëzit e kanë humbur lidhje me natyrën,

me natyrën e tyre,

me brendësinë e thellë të tyre.

Kushtet e jetës moderne,

marrëdhëniet e banimit dhe të punës

e përshpejtojnë procesin e çlirimit

nga bashkësitë e natyrshme të jetës,

porse për pasojë kanë

tjetërsimin, vetminë, frikën.

 

Shpirti është i shtypur.

Njerëzve iu zihet fryma në materie.

Jemi bërë materialist

në mendje dhe në ndjenja.

Mbi këto zotëron vlerësimi i sëmurë

i parave dhe i pronës, forcës dhe pasurisë.

 

Shoh si njerëzit

i kaplon pakuptimi,

absurdi, hiçi.

Rritet numri i të pashpresëve,

të frustruarve, të çmenduarve,

dhe shpirtërisht të sëmurëve.

 

Njerëzit janë

të sëmurë, për shkak të mënyrës së jetës së sëmurë,

të sëmurë, për shkak të ritmit të çrregulluar të jetës,

të sëmurë, për shkak të natyrës së ndotur,

të sëmurë, për shkak të ushqimit të panatyrshëm,

të sëmurë, për shkak të vlerësimit të vlerave të parafytyruara,

të sëmurë, për shkak të shoqërisë së sëmurë.

 

Shumë njerëz nuk mendojnë për Zotin

Ata njerëz e kanë pranuar religjionin nga gjinjtë e nënës, por në brendinë e tyre të thellë asnjëherë nuk kanë vendosur me vetëdije për religjionin. Ka shumë jetë indiferente dhe sipërfaqësore. Mungon dija dhe informatat e vërteta. Dominon pakuptimi dhe zemërimi, për shkak të qëndrimeve të caktuara dhe deklaratave të kishave. Mungojnë dëshmitë inkurajuese të besimtarëve. Mbi të gjitha, për shkak të konsumimit të tepruar, që ngulfat çdo vrull, përhapet procesi i përgjithshëm i materializmit. Materia rritet mbi njeriun sikur xhungla, kurse shpirti i njeriut vdes.

Njerëzit fundosen në një botë të dehjes. Dëbimi në muzikën shurdhuese, në alkool, në drogë, shpeshherë është klithmë për “kuptim”. Për “kuptimin” e jetës, për përgjigje të plotëkuptimta në pyetjet e mëdha të jetës.

Nuk bëhen më pyetje të thella mbi “kuptimin” e jetës. Ato pushojnë të qeta në sandviçët e frigoriferëve. Njerëzit lëshohen për çdo mbrëmje në përjetimet e zbrazëta duke shikuar TV-në. Ulen të dëshpëruar thellë dhe kotë presin një çik dritë në botën ku Zoti dhe religjioni janë të larguar në skaj të jetës.

Është herë e para kur njerëzit kur mendojnë se për ndryshimin e një shoqërie është krejtësisht e pavlefshme pyetja, a ekziston Zoti. Njerëzit nuk janë kundër Zotit. Kundër ekzistencës së Zotit nuk nxjerrët më kurrfarë prove. Në atmosferën shpirtërore të kohës sonë, thjeshtë, nuk ka më Zot.

Kultura jonë bashkëkohore e përcakton pasionin për konsumim dhe pasrimin për leverdi. Por, Zoti nuk është në rendin e konsumimit dhe atë nuk mund ta radhojmë në shkallën e parimit të fitimit. Religjioni dhe feja sikur mbahen mes vete, porse pyetja aktuale; çfarë të bëhet me të, është aq e pakuptimtë sikurse pyetja, a sjell fitim (leverdi) bukuria dhe dashuria.

Është krijuar një mentalitet, në të cilin s’ka nevojë të bëhen pyetje për Zotin. Zoti nuk është në ofertë (tender). Opinioni i përgjithshëm publik atmosfera që mbretëron është krejtësisht pagane, joreligjioze.

 

Pafeja

është bërë, praktikisht,

qëndrim i jetës të shumë njerëzve.

 

 

Kërkimi dhe të pyeturit

Njeriu –

një qenie e vogël e mrekullueshme.

Jeton dhe vdes mes gurit dhe betonit,

gjithmonë në udhëtim

i nxituar.

Qarkullimi i gjakut i shkakton mundim,

e mundon mëlçia dhe zemra.

Është përplot me probleme,

gjithmonë në kërkim,

por shpesh,

para se të gjejë atë që e kërkon,

vdes.

 

Ndoshta do të vijë një kohë, dikur në shek. 21, kur njeriu në udhën e tij të kërkimit do të drejtohet në ndonjë kompjuter qendror, i pajisur me të gjitha njohuritë e mundshme. Atëherë pyetjet e bëra, sikur asnjëherë më parë, do të jenë pyetje për kuptim, në të cilat s’do të mund të përgjigj progresi material. Ndoshta atëherë njeriu do të trokas përsëri te filozofët e vjetër dhe mistikët e mëdhenj. Përveç nëse do të jenë të lejueshme vetëm ato pyetje të cilat mund t’iu përgjigj kompjuteri, e gjitha pyetjet metafizike të jenë të ndaluara, sepse kompjuteri qendror do të mbes pa fjalë.

Njeriu është dhe do të mbetet, në qenësinë më të thellë të tij, një kërkues, por të shumtën e rasteve i pafuqishëm të shkojë larg aq sa duhet. Shpeshherë njeriu shkon pas zotave të rremë, të cilët i premtojnë parajsë të ndritshme. Kur njeriut futet në të, pëlcet si balloni sapuni.

 

Nostalgjia

për parajsën e humbur

është e shkruar

në zemrën e njeriut.

 

Njerëzit janë fëmijë të mëdhenj.

Gjatë tërë jetës

kërkojnë ngrohtësinë,

dashurinë dhe pak fat.

Kërkojnë shtëpi.

Kërkojnë dikë,

që do t’i dojë,

afër të cilit do të ndihen të sigurt,

afër të cilit do të jenë të mbrojtur.

 

Njerëzit gjatë tërë jetës

e kërkojnë në shumë rrugë,

rrugë të tërthorta, rrugë të gabuara,

një vend të fortë, liman të atdheut,

një sofër me bukë e verë,

një zemër dhe dorë të butë,

prani të qetë, e cila mbetet

edhe kur të folurit pushon.

Por jeta na mëson, po ashtu,

se njerëzit janë për njëri-tjetrin

vetëm portë në kalim,

skelë kohore,

edhe pse kjo na duket

gjë e mirë.

 

Njerëzit kërkojnë,

të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm,

rrymat e forta që do t’i bartin

në bregun tjetër,

në portin e fundit,

ku do të jenë të sigurt përgjithmonë.

Në portin plotë dritë dhe dashuri,

të cilin e quaj Zot.

– vazhdon –

 

(Pjesë nga libri: Phil Bosmans, Vergiss die Liebe nicht. Leben mit dem unglaublichen Gott. Verlag Herder, Freiburg – Basel – Wien 1997. Përktheu: Don Fatmir Koliqi)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »