Zemra e njeriut, tokë e (pa)frytshme
24 janar 2018 – E mërkurë, Shën Françesku i Sales, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 2 Sam 7, 4-17; Ps 88; Mk 4, 1-20)
Prania e Hyjit
Sa më shumë t`i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.
Nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq nga Zemra jote e butë.
Liria
O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.
Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.
Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë
gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.
Ndërgjegjësimi
E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, me stres apo ndjehem se nuk jam në formë?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?
Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.
Mk 4, 1-20
1 Jezusi filloi prapë të mësojë në breg të detit. Turmë e madhe u mblodh rreth tij. Prandaj hyri në barkë në det dhe u ul, kurse populli qëndronte në breg të detit. 2 I mësonte shumë gjëra në shëmbëlltyra. Në mësimin e vet u thoshte:
3 “Dëgjoni! Doli mbjellësi për të mbjellë. 4 Ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë përbri udhës, erdhën zogjtë dhe i hëngrën. 5 Disa të tjera ranë në zallinë, ku nuk kishte mjaft dhe. Ato mbinë me të shpejtë, sepse toka nuk ishte e thellë. 6 Por, kur doli dielli, u dogjën, e, pse nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën, ua morën frymën e nuk dhanë fryt. 8 Disa të tjera ranë në tokë të mirë, mbinë, u rritën e dhanë fryt: njëra tridhjetëfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra njëqindfish.”
9 Dhe shtoi:
“Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!”
10 Kur mbeti vetëm, ata që e përcillnin bashkë me të Dymbëdhjetët, e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrave. 11 Ai u tha:
“Ju e morët dhuratë misterin e Mbretërisë së Hyjit, kurse atyre që janë përjashta u mbërrin përgjithësisht në shëmbëlltyra, 12 që
‘edhe pse shikojnë me kujdes ‑ megjithatë
nuk shohin,
edhe pse dëgjojnë me kujdes ‑ megjithatë nuk
kuptojnë,
përndryshe do të ktheheshin
e do të gjenin falje.’“
13 Dhe vazhdoi:
“Po a nuk e morët vesh këtë shëmbëlltyrë? Po, atëherë, si do t’i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?
14 Mbjellësi mbjell Fjalën. 15 Ata ‘përbri udhës’, ku mbillet fjala, janë ata që, posa e dëgjojnë Fjalën, vjen aty për aty djalli dhe ua rrëmben Fjalën që mbillet në ta. 16 Po ashtu ata që e marrin farën në ‘zallinë’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë aty për aty me gëzim, 17 porse nuk kanë në vetvete rrënjë ‑ janë të luhatshëm. Por, po erdhi një e vështirë ose një salvim për shkak të Fjalës, e bjerrin besimin në Fjalën. 18 Të tjerët që e morën Fjalën në ‘ferra’, 19 janë ata që e dëgjuan Fjalën, por kujdeset e kësaj jete, lakmia e pasurisë dhe epshet ia zënë frymën Fjalës, dhe ajo mbetet pa fryt. 20 E ka nga ata që e marrin farën në ‘tokë të mirë’. Këta e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: njëri tridhjetëfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri njëqindfish.”
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt
- Zemra e njeriut është si një tokë e cila në kohëra të ndryshme mund të jetë e hapur apo e mbyllur. Fjala e Hyjit na vjen atje ku jemi, në gabimet dhe rrëzimet, dhuratat dhe talentet tona. Çdonjëri prej nesh sjell fryt në kohën e vet. Nganjëherë fryti që japin është i madh – njëqindfish, nganjëherë i vogël. Në lutje zemrat tona ia paraqesim Hyjit dhe me ndihmën e Hyjit sjellim fryt.
- Fjala e Hyjit është mbjellë në ne, madje në mënyrë të mrekullueshme, edhe Hyji është ai që bën që ajo të rritet.
Bashkëbisedimi
Jezus i dashur, po ta çeli zemrën time.
Mund të të them gjithçka më mundon.
E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.
Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,
se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Hiperaktiviteti (ADHD) – term shumë i dëgjuar Të jesh lajm i gëzueshëm për kohën e sotshme »