Hiperaktiviteti (ADHD) – term shumë i dëgjuar

Jan 24 • Opinion

Nga m. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Sot hiperaktiviteti është bërë një term shumë i zakonshëm. Kjo veçanërisht kur flitet për sjelljen e fëmijëve, si nga prindërit ashtu edhe nga edukatorët dhe mësuesit. Ky term përdoret për të shpjeguar sjelljet e papëlqyeshme të fëmijëve. Por, a jemi ndalur ndonjëherë që ta kuptojmë më mirë se për çfarë flasim dhe çfarë do të thotë të kesh një fëmijë apo një nxënës hiperaktiv? Apo mund të na ndodhë, që për çfarëdolloj sjelljeje të papëlqyeshme që fëmijët\nxënësit shfaqin, ne arrijmë të etiketojmë me çrregullimin e hiperaktivitetit?

 

Çfarë është Hiperaktiviteti (ADHD)?

Hiperaktiviteti si term është shpikur në kohët moderne nga Shoqata e Psikiatërve Amerikanë. Sipas tyre, nuk është një sëmundje në vetvete, por është një çrregullim që prek trurin dhe bën që fëmijët të sillen ndryshe nga të tjerët. Është një çrregullim që shfaq vështirësi në sjellje, mungesë vëmendjeje dhe mungesë përqendrimi.

Sjelljet e këtij çrregullimi shfaqen që në foshnjërinë e hershme, por mund të ndodhë edhe më herët që në shtatzëni (P.sh godasin me shqelma, lëvizin shumë, janë të parehatshëm). Në moshën parashkollore dhe shkollore, simptomat janë më të dukshme dhe më të  dallueshme. ADHD mund të vërehet qartë kur fëmija frekuenton kopshtin apo shkollën, sepse aty përballet me detyrat dhe përgjegjësitë.

Mendohet se 3-5% e fëmijëve në tërësi janë të prekur nga ky çrregullim. Më të prekurit janë djemtë dhe numri është 2 deri 3 herë më i madh sesa tek vajzat. Edhe pse tek vajzat numri është më i ulët, edhe tek ato shfaqen të njëjtat simptoma, por në një mënyrë më pak të dukshme.

Mirëpo, duhet theksuar se ky çrregullim nuk duhet ngatërruar me prapambetje mendore, epilepsi, probleme dëgjimi, dembelizëm, me llastim apo me çrregullime emocionale. Hiperaktiviteti nuk ka të bëjë me asnjërën nga këto.

 

Cilat mund të jenë shkaqet e hiperaktivitetit?

Sipas studimeve, shkaqet mund të jenë gjenetike, jo gjenetike dhe shkaqe mjedisore. Kur flitet për shkaqet jo gjenetike kemi të bëjmë me lindje të parakohshme, abuzimi i nënës me alkool dhe duhan, shëndeti jo i mirë i nënës gjatë shtatzënisë, mosha e nënës më e vogël se 20 vjeç, kohë e gjatë lindjeje dhe probleme shëndeti gjatë foshnjërisë.

Kurse sa i përket shkaqeve mjedisore duhet të kemi parasysh mjedisin social ku fëmija rritet, mjedisin familjar, mjedisin social mbi të cilin fëmija ndërton marrëdhëniet me të tjerët dhe edukimin i tij. Ndoshta nuk janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të këtij çrregullimi, por e rëndojnë situatën e fëmijës dhe mund të quhen faktorë kontribuues.

 

Karakteristikat kryesore të fëmijëve hiperaktivë e me mungesë vëmendje

Shenjat më të dukshme të këtij çrregullimi tek fëmijët janë: vëmendje e vogël, vështirësi për t’u përqendruar, i tërhiqet lehtë vëmendja nga stimujt e jashtëm, e ka të vështirë për t’u përqendruar në një detyrë, punë apo bashkëbisedim. E ka të vështirë të dëgjojë dhe të ndjekë udhëzimet (nuk do të thotë se ka probleme me dëgjimin), nuk ia del të plotësojë në kohë detyrat e shkollës apo përgjegjësitë e punës. Shfaq aftësi të mangëta organizative. Ka mungesë vëmendjeje ndaj detajeve, është i paorganizuar, humbet lodrat, rrobat apo gjërat që i nevojiten për kryerjen e një detyre. Nxiton në bërjen e detyrave që kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Ka vështirësi të qëndrojë ulur, të dëgjojë një tregim deri në fund, përdridhet dhe nervozohet.

Fëmija, i prekur nga ADHD, ka tendencën për të folur me zë të lartë, ka vështirësi të qëndrojë në rresht apo të presë për radhën e tij gjatë një loje. Shfaq harresë të aktiviteteve të përditshme, ka hutueshmëri, ndërpret bashkëbiseduesin, përgjigjet pa dëgjuar pyetjen deri në fund, shfaq sjellje të shpeshta negative, shkatërruese, agresive për të kërkuar vëmendje. Ka tendencë për t’u angazhuar në aktivitete të rrezikshme.

Ky fëmijë tenton të projektojë fajin e tij tek të tjerët, nuk mëson nga eksperiencat e veta, shfaq shmangie apo pakënaqësi lidhur me detyrat që kërkojnë përpjekje mendore. Gjen  vështirësi për të luajtur në mënyrë të qetë. Shfaq etje të madhe për sjellje agresive, në çdo gjë shpreh xhelozi dhe inat për ata shokë që e konkurrojnë.  E ka të vështirë të luajë në grup, merr rolin e bosit dhe është agresiv. I urren sekretet. Dëshiron të dijë gjithçka. Nuk di të ndajë atë që u takon të tjerëve nga ajo çka i takon atij. Ka vështirësi për të pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij. Ka vetëvlerësim të ulët dhe aftësi të mangëta sociale. Injoron rregullat. Sillet në mënyrë të papjekur në krahasim me moshën që ka. Është mashtrues dhe hileqarë. Shfaq mangësi të theksuar durimi.

 Që fëmija të diagnostikohet me këtë çrregullim kërkohet që t’i shfaqë këto simptoma, shenja, para moshës 7 vjeç me një vazhdimësi për 6 muaj. Po ashtu kërkohet të dihet nëse këto sjellje shfaqen  në kopsht, shkollë, familje dhe në marrëdhënie me të tjerët.

 

Ndikimi i hiperaktivitetit (ADHD) në jetën shoqërore

Ky çrregullim mund të vështirësojë marrëdhënien e fëmijës me moshatarët dhe njerëzit e tjerë. Ai/ ajo mund të refuzohet nga shokët apo shoqet dhe gjithashtu ka vështirësi të ketë shokë apo shoqe të ngushta. E kjo ndodh për shkak të qëndrimit që mban fëmija, sjelljeve agresive dhe impulsivitetit që praktikon.

Pra, fëmija hiperaktiv ka një stil ndërpersonal që nuk është bashkëpunues, por shmangës. Sjellja e tij është negative, e papjekur apo e papërshtatshme me situatën dhe moshën që ka. Ka një dëshirë për të dominuar mbi tjetrin, që është tipar që çon në refuzim nga moshatarët dhe të tjerët.

Kërkohet të kemi parasysh se jo të gjithë fëmijët me ADHD kanë vështirësi për të vendosur marrëdhënie të mira me të tjerët.

 

Fëmija hiperaktiv në adoleshencë

Vetëm pak vite më parë, shumica e psikologëve mendonin se ADHD-ja zvogëlohej me kalimin e viteve dhe mbaronte kur fëmija kalonte adoleshencën. Por sot, nga studimet e bëra,  është  e qartë se problemet e këtij çrregullimi vazhdojnë edhe në moshën e rritur.

Adoleshenca me streset e pubertetit, kalimin në shkollë të mesme, shtimin e kërkesave shkollore dhe përfshirjen në marrëdhënie më të gjera shoqërore, mund të kthehet në një periudhë shumë të vështirë për nxënësin me ADHD.

Kështu që  fëmija hiperaktiv shfaq të gjitha simptomat e këtij çrregullimi, e gjithashtu shfaq të gjitha karakteristikat e një adoleshenti, por në një shkallë më të lartë. Kjo do të thotë se përshtatet me sjellje brutale dhe shpesh kalon në gjendje shpërthimi.

Këto sjellje mund ta çojnë në agresion fizik apo në një gjuhë abuzive. Mund të përvetësojë qëndrim tepër egoist, imoral dhe sjellje delikuente. Një shenjë tjetër që shfaq  papjekuri është inati që ai ka me sekretet, veçanërisht me njerëzit e familjes. Kërkon të dijë çdo detaj për çdo anëtarë të familjes.

 

Si të ndihmohet apo trajtohet  fëmija hiperaktiv?

Studimet tregojnë se ka mënyra për t’i trajtuar dhe ndihmuar këta fëmijë. Po flitet dhe po shtohet gjithnjë e më shumë terapia me medikamente si: Ritalina, Adderall, Focalin, Dexadrine dhe Cylert. Por, ndodh që jo gjithmonë shfaqin rezultate të kënaqshme.

Këto medikamente mund të krijojnë efekte anësore negative si: shtimi i rrahjeve të zemrës, ngritje e tensionit të gjakut, probleme me ritmet e rritjes, pagjumësi dhe të përziera. Kuptohet që medikamentet nuk janë përgjigjet e vetme ndaj problemeve të fëmijës dhe të familjes.

Kështu që, nga shumë studime është arritur tek përfundimi se përmirësimet e sjelljes me anë të medikamenteve rrallë çojnë në përmirësimin e rezultateve të shkollës apo të marrëdhënieve me bashkëmoshatarët. Këto janë dy fushat kryesore ku fëmijët me ADHD kanë probleme të mëdha dhe nevojë trajtimi.

Pra, përpos trajtimit me medikamente është shumë e nevojshme të shoqërohen me mësime të veçanta, trajtim dhe menaxhim të sjelljes në bashkëpunim me prindërit, edukatoret, mësuesit në përputhje me kërkesat dhe këshillat e profesionalistëve.

 

Disa këshilla për prindërit se si  mund të ndihmojnë fëmijën hiperaktiv

Në radhë të parë prindërit e kanë më se të nevojshme ta njohin fëmijën dhe të pranojnë se ai ka nevojë për një trajtim ndryshe. Për të kuptuar këtë kërkohet që të kalojnë më shumë kohë me fëmijën, do të thotë të komunikojnë më shumë me të, të lozin më shumë e të dalin më shumë me fëmijën. E atëherë do të kenë mundësi t’i praktikojnë këshillat që janë të renditura këtu.

Krijoni kontaktin me sy kur flisni me fëmijën dhe këtë e kërkoni edhe nga ai, nëse ai nuk është duke ju vështruar mos u përgjigjeni. Nëse ju bëni një kërkesë për fëmijën, kërkoni nga fëmija që ta përsërisë kërkesën tuaj, e mos lejoni që të përgjigjet po ose jo, por kërkesa të mos jetë shumë e gjatë dhe e komplikuar.

Jepni komanda të qarta e të drejtpërdrejta. “Mjaft vrapove nëpër shtëpi.” “Mjaft ke lozur në kompjuter, thuaji këtë vetëm një herë. Kështu fëmija i mëson limitet e kohës së prindërve. Asnjëherë mos e përsëritni kërkesën tuaj disa herë. Apo të përdorni shprehjen “Më dëgjove apo jo?” Sa herë duhet të ta them”?

Jepjani fëmijës suaj detyrat një nga një, kontrolloni për bërjen e detyrës, pastaj jepini një detyrë tjetër. Mos lëshoni një zinxhirë komandash: “Shko lart, laj dhëmbët, laje fytyrën, vish pizhamet…” Ndajeni në pjesë një detyrë të madhe, për shembull, detyrat e shtëpisë në hapa të vegjël. Kontrolloni dhe shpërbleni secilin hap kur është kryer.

Fillojeni detyrën së bashku me fëmijën pastaj tërhiquni dhe periodikisht rishfaquni për të ofruar ndihmë dhe këshilla. Jepni direktivat personalisht. Në vend që të bërtisni “Shko në dhomën tënde”, çojeni vetë fëmijën aty. Luaj me fëmijën tënd. Largoni rrëmujën. Përdorni rafte për lodrat në vend të një grumbulli lodrash në një cep. Fëmija ka nevojë për rregull.

Mos e mbylleni fëmijën në dhomë për të bërë detyrat, mbajeni nën vëzhgim dhe brenda distancës së të folurit. Jepini fëmijës suaj përgjegjësi nëpër shtëpi, të cilat mund t’i përmbushë dhe lavdërojeni për rezultatet (bravo, të lumtë, vizatoja një fytyrë të qeshur). Jepi fëmijës udhëzime “Mendo para se të veprosh”. Inkurajojeni fëmijën t’i përfytyrojë pasojat e një veprimi përpara se të veprojë dhe t’ua shpjegojë ato juve.

Kur fëmija është në gjendje negative, jepni mundësi zgjedhjeje, duke pasur parasysh që të gjitha mundësitë që do t’i jepni, të jenë tërheqëse që ai të mund ta kryejë detyrën: Çfarë dëshiron të bësh më parë: T’i lashë dhëmbët apo ti veshësh pizhamet?” Mos e qëlloni me shuplakë. Mos përdorni dënimin si mbyllja në banjë apo në dhomë. Sa më rrallë përdoreni termin “ti je i keq”,ti je i trashë” gjatë korrigjimit të fëmijës suaj.

Mos e përdorni fjalën “dënim”, mbajeni konceptin, por ndryshoni fjalën. Në vend të “Ti je i dënuar” thoni “Ti ke një kohë për të menduar” ,“Ti ke një kohë të qetë”. Mësoni fëmijën që të jetë i ndërgjegjshëm për trupin e tij. Mos iu përgjigj menjëherë pyetjes që të bën fëmija, mësoje të presë. Mbajeni fjalën e dhënë përballë fëmijës.

 

Disa këshilla për edukatoret\ mësuesit se si  mund të ndihmojnë fëmijën hiperaktiv

Siguroja fëmijës, një karrige në pjesën e përparme të klasës afër edukatores\mësuesit. Krijoni kontakte të vazhdueshme me sy. Vendose afër nxënësve të mirë. Largoni pengesat. Rriteni hapësirën midis karrigeve, bankave.  Shkurtoni detyrat ose periudhën e punës.

Përdorni shumë figura mjete pamore për ta ndihmuar në nxënie. Kur të arrijë nga gjysma e detyrës fëmija\nxënësi le t’ia tregojë detyrën edukatores\ mësuesit. Zbërtheni detyrat në pjesë më të vogla, në mënyrë që të shihet se po afrohet fundi i detyrës.

Kontrolloni fjalët kyç dhe përsëritni konceptet. Jepjani detyrat një nga një, për të shmangur mbingarkesën. Siguroheni se fëmija \nxënësi e ka kuptuar kërkesën. Injoroni butë sjelljet e papranueshme. Theksojeni menjëherë sjelljen e mirë. Pyeteni vetëm kur ta ngrejë  dorën. Kujtojani që të flasë me zë më të ulët. Lejojani fëmijës\nxënësit gjatë detyrave nganjëherë të ngrihet.

Sigurojani pushimin  e shkurtër midis detyrave. Vërjani në dukje përparimet. Angazhojeni që ta bëjë ndonjë gjë: mbledhjen e letrave, marrja e shkumësave, mbledhja e fletoreve… Këshillojeni sa më shpesh. Shmangni etiketimet. Jepi lëvdata për suksese, jo vetëm për dije, por edhe për përmirësime dhe përpjekje.

Nxiteni sa më shumë.  Bëjani orën interesante. Përkraheni atë mënyrë të cilën ai e di më së miri. Mos e ndëshkoni për shkak të shkrimit të keq. Ki kujdes me fjalorin.  Ki durim.

Mos të kemi frikë nga fëmijët me ADHD. Ata janë fëmijë me talent, por ata thjesht kanë një talent të ndryshëm. Sjelljet e tyre jo të mira shpesh i mjegullojnë talentet e tyre të veçanta. Mos të harrojmë se këta fëmijë mund të bëhen artistë krijues. Këta fëmijë sillen ndryshe, por nuk janë më të këqij nga fëmijët e tjerë. Sa më herët që të kuptojmë se kemi një fëmijë, që ka nevojë të mësojë në mënyrë ndryshe edhe të disiplinohet ndryshe, ai fëmijë ka mundësi të përmirësohet. Të kemi durim!/drita.info

 

REFERENCA

Kulla, L. Remaçka, M. Ndrio(2014) Jam mes jush, i ngjashëm, i ndryshëm, i barabartë…, Tiranë.

A.Woolfolk (2011), Psikologji edukimi, Tiranë.

W.Sears, M.Sears,  Libri i Disiplinës, Tiranë.

B.MIller (2003), Si të krijohet kontakti i suksesshëm me nxënësit, Ferizaj. 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »