Të jesh lajm i gëzueshëm për kohën e sotshme

Jan 25 • Meditimi i ditës

25 janar 2018 – E enjte, Kthimi i Shën Palit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 22,3-16 ose 9,1-22; Ps 116; Mk 16,15-18)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë t`i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.

Nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq nga Zemra jote e butë.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.

Mbille në zemrën time dëshirën që për çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, me stres apo ndjehem se nuk jam në formë?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 16, 15-18

 

15 Dhe u tha:

“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sot e festojmë kthimin e Shën Palit. Saulit rrugës për Damask i doli përpara Zoti dhe këtu e përjetoi kthimin radikal. Sauli, ish arma e frikës, terrorit dhe përndjekjeve, bëhet Pal, armë e përzgjedhur e Zotit. Detyra e tij jetësore është për t`iu prurë Lajmin e gëzueshëm – dashurinë e pajtimit të Zotit atyre që nuk dinë për të asgjë.
  • Zot, edhe unë jam i/e zgjedhur për të qenë ambasadori yt. Kjo më çon më afër teje. Ma ke besuar që të jem lajm i gëzueshëm për kohën e sotshme. Ndërsa provoj ta bëj këtë më ndihmo që t`i perceptoj shenjat e pranisë sate.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta hapi zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »