Martin Segoni, tregim mbi Gjergj Kastriotin, i quajtur Skander Beg

Jan 26 • Histori, Kulturë

(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT)

 

Nga Prend BUZHALA

 

“Tregim mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh” është shkrim i Martin Segonit nga Novobërda (Artana). Është shkrimi i parë, me sa dihet deri më sot, nga një arbëror që i kushtohet Skëdnerbeut.

1.

Kultura dhe Lufta.
Epoka e shekullit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, shquhet për dy krye-ngjarje historike: për luftërat e Skënderbeut kundër pushtimit otoman dhe për lëvizjen e shquar humaniste evropiane që nxori emra të shquar, si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Mikel Maruli, Leonik Tomeu, Gjin Gazulli, Andrea Aleksi, Viktor Karpaçi, Maksim Artioti, Mark Bazaiti, Onufri etj. Aty, të asaj periudhe, janë edhe Pal Engjëlli e Dhimitër Frangu. 
Nëse te lufta gjakohej etja e madhe për liri, te kultura qëndronin rrënjët e një etnie. Kësisoj, edhe thënia proverbiale e Barletit “Njerëzit gjykojnë vetiu më tepër të kaluarën në bazë të të tashmes, se sa peshojnë të tashmen në bazë të së kaluarës”, vlen edhe për vetëdijen e sotme historike. Në plejadën e ndritur të këtyre emrave që mbetën në historinë e mendimit, shkrimit dhe historisë, kulturës dhe humanizmit arbëror-evropian, është edhe Martin Segoni.

2.

Martin Segoni duhet të ketë qenë i ri dhe dëshmitar ngjarjesh. Së këndejmi, është përsëritur shpesh gjatë dekadave të fundit, se Martin Segoni konsiderohet i pari biograf i Skënderbeut (shih: Jahja Drançolli: “Kosovari Martin Segoni biograf i parë i Skënderbeut”, te studimi monografik “Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë Mesjetës”, Zagreb, 2008, f. 379-384. ky autor, edhe para sa dekadash, ka dhënë informacione të tilla shkencore për këtë periudhë dhe për këtë figurë).
Në literaturën shqiptare janë dijetarë si Dhimitër Shuterqi (vepra historiko-letrare “Marin Beçikemi dhe shkrime tjera”, Tiranë, 1987), e ndër ne prof. dr. Mahmud Hysa (“Autorë dhe tekste nga letërsia e vjetër shqiptare” vëllimi 1, Shkup 1992), që dhanë shkoqitje rreth këtij personaliteti dhe shkrimeve të tij. Që të gjithë studiuesit, mbështeten në zbulimet e Agostino Pertusi-t që ua bëri dorëshkrimeve të Segonit në Ambrozianë të Milanos. Segoni ishte ipeshkëv i Ulqinit, me origjinë nga Novobërda (Artana). Dihet se më 1475 doktori në Padovë, se “fëmijërinë duhet ta ketë kaluar në trojet shqiptare, i endur dhe i lëkundur nga luftërat e Skënderbeut. Në oazat e humanizmit shqiptar duhet të ketë marrë mësimet e para, ato të mesmet në Raguzë, për të kryer studimet në qendrat universitare të Italisë Veriore. Deri më 1474 shërbeu si prift në kishën katolike të Shën Mërisë të Novobërdos. Ky lokalitet në këtë kohë ka pasur rëndësi të madhe për pasuritë nëntokësore… Martin Segoni bëri një jetë të pastër intelektuale, prandaj gëzonte autoritet në Ulqin e më gjerë. Vdiq në Ulqin në tetor 1485. Fjalën e rastit për figurën e tij e mbajti djaloshi 17-të vjeçar Marin Beçikemi, humanisti i ardhshëm, i cili kish pasur rastin ta njohë personalisht dhe ta lexojë veprën e tij.” (Hysa). 
Relacionet e ipeshkvijve dhe priftërinjve, ishin tashmë një literaturë që kishte krijuar traditë. Këso relacionesh shkroi edhe Martin Segoni. 
Ndër këto shkrime, do veçuar: “Via Egnatia ex Epiro sive Dirachio… “(Rruga Egnatia që nis në Epir ose Durrës…), “Der ortu, conunctione et curse utriusque Drinae” (Mbi fillimin, lidhjen dhe rrjedhën e lumenjve të të dy Drinave), “Via candaviae maritima ex Apollonia… “(Rruga bregdetare e Kandivisë që kalon nga Apollonia…”) etj.

3.

Kur i shkruan Papës Siksti IV për Skënderbeun, ai përdor prirjen e tij për të shkruar shkurt, me stil të ngjeshur. Kësisoj, ai bën dhe një shkrim të shkurtër të jetës dhe të luftave të Skënderbeut me titull: “Narrazione di Georgio Castriotto dai Turchi nella lingua loro chiamato Scander Beg, cive Alessandro magno” (“Tregim mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh”). por ai shkruan edhe fragmente tjera për kohën e Skënderbeut (Hysa), si dhe për ngjarje tjera para dhe pas tij. Për to ai kishte informacione dhe dëshmi.”
Porse prirja për të vërtetën historike, sipas modelit humanist të kohës, shquan dhe vetëdijen e tyre historike. “Derisa janë të njohura lidhjet e Marin Beçikem me Segonin, lidhjet e tilla nuk janë të njohura ndërmjet Segonit dhe Barlecit. Humanisti shkodran, pavarësisht se i ka njohur apo jo shkrimet e Segonit, nuk e përmend atë në asnjë vepër të tij. Por në kohën kur shkroi Barleci, jeta dhe bëmat e Skënderbeut, në mesin e arbërve por edhe të huajve ishin të njohura. Edhe pse nuk dihet aq sa qe ndikuar Barleci nga “Tregimi” i Segonit, një çështje është e sigurt se, edhe Segoni edhe Barleci shkruan histori të vërtetë, histori që përjetësoi jo vetëm jetën e bëmat e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut por nëpërmjet të tij u përjetësua edhe Arbëria” (J. Drançolli).
Novobërda, e sidomos Tivari e Raguza, ishin qendra të formimit të intelektualëve me kulturë klasike greke dhe romake. “Segoni ishte shumë mirë i informuar si për historinë e Shqipërisë e të Ballkanit, në kohën e vërshimit osman, që nga Lufta e Kosovës, por edhe për gjeografinë e vjetër e të re të siujdhesës, që nga viset danubiane e gjer poshtë në Shqipëri, në Trakë e në Peloponez” (Shuteriqi).
Shkrimin (“Tregim mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh”) e kanë publikuar autorët Dhimitër Shuteriqi dhe Mahmud Hysa në veprat e sipërpërmendura, i pari e publikon më 1987 në gjuhët latinisht e shqip e i dyti në shqip.

4.

Ky tekst ngërthen paradigmën humaniste të shkrimit dëshmues. Sikundër tekstet-relacione që shkruhen shkurt, me një stil të ngjeshur paraqitës e rrëfimtar, i tillë është edhe Tregimi për Skënderbeun i Martin Segonit. Do theksuar se kësisoj, vetë ky biograf është dëshmia e gjallë e ndërlidhjes së trojeve etnike arbërore në atë Epokë, e tokave ku kanë jetuar arbrit, Kosovës Dardane dhe Arbërisë kastriotiane. Për deri sa “Historia e Skënderbeut” e Barletit është një vepër e stilit epik të jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit, Tregimi i Segonit i takon zhanrit të historisë së shkurtër. Ai e quan tregim (narracion, apo narratio). Të rrëfesh histori për formimin klasik humanist, do të thoshte të rrëfesh të vërtetën. Jepen njoftime shkurtazi për marrjen peng të djemve të Gjon Kastriotit, se si i helmoi vëllezërit e mëdhenj të Gjergjit sulltani, se si Gjergjin e rriti në pallat, se si në moshë 19-të vjeçare e bëri sanxhak, se si luftoi me një tatar dhe me një kalorës persian, se si i vdiq i ati e u ngushëllua nga sulltani, me premtimin për ta ulur në fron në vendlindje e kjo nuk realizohet. Mandej jep dhe nyjën kryesore të rrëfimit:
“I erdhi ndërkaq të atit, Gjonit, për të vdekur, ushtritë turke pushtuan atë mbretëri, gjë për të cilën Skënderbeu u qa, (por) qe ngushëlluar nga Murati, duke i dhënë shpresë se së shpejti do ta vendoste në fron personin e tij. Po, duke mos bërë gjë me tej, bile duke bërë (Murati) që të vëllezërit e tij të vdisnin me helm, ai (Skënderbeu), me shkathtësi dhe me shkresa të falsifikuara, vajti në Shqipëri e u bë zot i disa fortesave kryesore Dhe pastaj, pasi u mblodhën në kuvend popujt e provincës në fjalë e të gjithë Maqedonisë (këtu viset andej e këndej Drinit – pb), qe njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret.”
Skënderbeu shtiu në dorë fortesat e vendit, mundi dy sulltanë e shtatë pashallarë. Më tutje Segoni shkoqit: 
“Mbasi Mehmeti zhduku mbretërinë e Trebizontit dhe atë të Kostandinopës, provoi të zhdukte Krujën, po, duke i mbrojtur, Gjergj Skënderbeu arriti ta bënte të kotë çdo përpjekje të tij. Më vonë, qe thirrur nga Piu i dytë në Itali, për ta bërë kapiten të përgjithshëm në ndërmarrjen që shenjtëria e tij mendonte kundër turqve. Po duke ndërhyrë vdekja e Ponteficit në fjalë, tjetërkush nuk vazhdoi.”
Teksti përshkohet nga patosi i krenarisë: Segoni ishte dëshmitar i gjallë i ngjarjeve. Ja si e përshkruan portretin luftarak dhe virtytet e tij:
“Mbante përherë Skënderbeu me vete, me dashuri dhe pa u kursyer fare disa ushtarë të zgjedhur veteranë, për të cilët deklaronte se shtiheshin në dorë fitoret më me lehtësi se me një shumicë ushtarësh të rinj. Nuk ua ktheu asnjëherë shpinën armiqve të tij, po gjithmonë luftoi me trimëri. Nuk u plagos kurrë prej tyre, veç një herë lehtë nga një shigjetë, kaq me fat ai ishte dhe i armatosur mirë. Kështu, në tërë jetën dhe personin e tij, ishte i disponuar me kaq gëzim në sytë dhe elokuencën kaq të gjallë, sa, kur dukej në publik i armatosur, me mënyrën (e të folurit) ndizte flakë shpirtrat e ushtarëve, të cilët jo vetëm bëheshin trima në luftim, por edhe më të egrit përbuzës të armikut. Qe gjithmonë nga të parët që hynin në betejë dhe nga të fundit për t’u tërhequr. I njihte tërë oficerët e vet emër për emër, kaq kujtesë të mirë kishte.”
Në Tregim ka dhe episode të shkurta interesante, si ai i premtimit të sulltanit, pastaj episodi i shpatës, si dhe ai i fundit të varrimit: 
“Qe e qartë vdekja e këtij kalorësi të madh jo vetëm nga tërë Greqia (të krishterët e Ballkanit pb), po njëkohësisht nga tërë princërit e Evropës, si dhe nga turqit vetë, të cilët, pas vdekjes së tij duke u bërë zotër të gjithë Shqipërisë dhe duke gjetur në kishën e Shën Kollit, katedrale e qytetit të Lezhës, trupin e tij, devotshmërisht e nderuan me respekt të madh. Dhe, sipas supersticionit të tyre, nxorën eshtrat fatlume nga varri, duke besuar secili se do të gjendej i sigurt në betejë, po të kishte lidhur me vete një pjesë sado të vogël eshtre të një kapiteni kaq të pathyeshëm.”

5.

Secila epokë ka modelin e vet të tregimit. Shkencë, art e dije njëjësoheshin shpesh. Pikërisht pse u mor modeli antik i kulturës greke e romake, edhe Humanizmi arbëror përjetoi një ringjallje e një lulëzim intelektual të ngjalljes së vlerave antike. Duke u përqendruar te përsosmëria e karakterit dhe e botës së brendshme. Por, ashtu sikundër humanistët evropianë, edhe Segoni shquan bukurinë fizike të heroit, bukurinë e virtyteve (“Qe gjithmonë nga të parët që hynin në betejë dhe nga të fundit për t’u tërhequr”), shquhet me virtytin e trimërisë (“. Nuk ua ktheu asnjëherë shpinën armiqve të tij, po gjithmonë luftoi me trimëri”), përkorja e tij shfaqet në nderimin e respektin ndaj luftëtarëve (“I njihte tërë oficerët e vet emër për emër, kaq kujtesë të mirë kishte.”).
Mirëpo, Segoni na dëshmon edhe diçka tjetër: se, përpos vlerave të trimërisë, vlerave të karakterit dhe të atyre luftarake, Skënderbeu dallohej edhe me elokuencën e tij, me gojëtarinë e tij. Ç’është e vërteta, në këtë kohë, u ringjall interesi për gojëtarinë, kur retorika ose shkenca e gojëtarisë ishte pjesë e arsimit themelor, krahas drejtësisë dhe historisë, madje, dhe krahas artit ushtarak e luftarak. Fjalimi, i shkruar sipas elozheve antike të oratorisë, spikat lavdin dhe njohjen e kulturës raguziane. Nga aspekti i komunikimit të sotëm retorik, ky Fjalim paraqet një shembull të komunikimit ndërkulturor, ku “kultura përfshin perceptimet dhe vlerat” (Judith N. Martin, Thomas K. Nakayama: “Hyrje ne komunikimin ndërkulturor”, shqipëroi: Elena Bozheku, Shtëpia botuese: UET Press, Tiranë, 2010, f. 50). Por këto elozhe tashmë arrijmë t’i lexojmë te Barleti, te një cvarg fjalimesh të Skldnerbeut që përfshihen te “Historia…” e tij. . Këtë dëshmi Segoni e jep kësisoj: 
“Kështu, në tërë jetën dhe personin e tij, ishte i disponuar me kaq gëzim në sytë dhe elokuencën kaq të gjallë, sa, kur dukej në publik i armatosur, me mënyrën (e të folurit) ndizte flakë shpirtrat e ushtarëve, të cilët jo vetëm bëheshin trima në luftim, por edhe më të egrit përbuzës të armikut.”

Për deri sa në trojet e Arbrit po ndodhnin luftëra të ashpra, dhe vendi po shndërrohej në një regres historik për shkak të regresit barbarizues që përhapte shpata otomane, në Evropë po ndodhnin ndryshime të mëdha, po përhapeshin ide të reja, madje po ndodhnin dhe zhvillime teknologjike. 
Por ndodhën dhe dyndjet e valës së emigrantëve nga Evropa lindore në atë Perëndimore, në Itali, meqë ra Konstantinopoja nën sundimin e Perandorisë Osmane në vitin 1453. Sidomos po emigronin intelektualë e shkencëtarë, që sollën me vete dorëshkrime antike etj. këto valë përfshin edhe inteligjencien arbërore që mërgoi në Venedik e në viset tjera të Italisë. 
Studiuesi Mikel Prenushi, në studimet e vëllimit “Kontribut shqiptar në Rilindjen Evropiane”, Tiranë, 1980, shkruan për këtë kohë:
“Megjithëse në mërgim, humanistët shqiptarë të epokës së Rilindjes, mendimtarë e artistë, me jetën e veprimtarinë e tyre të shumanshme dhe përparimtare në fusha të ndryshme të shkencës, letërsisë dhe të artit, janë një dëshmi e gjallërimit të popullit tonë, të traditave tona të mira në fushën e kulturës, një tregues i padiskutueshëm i vazhdimësisë së kësaj kulture në shekuj dhe një shembull patriotizmi e lufte për përparim shoqëror. Humanistët shqiptarë, duke jetuar larg Atdheut (ndonjëri prej tyre u lind në mërgim), patën rast të zhvillojnë talentin e tyre në shkollat humaniste më në zë të kohës, në Itali e Dalmaci dhe, duke ruajtur kurdoherë dashurinë për Atdheun e popullin, u shquan me punimet e tyre dinjitoze në historiografi, në filozofi, në pedagogji, letër- si, oratori, në shkencat matematike, në astronomi, në artet e bukura etj… Të përfshirë në lëvizjen humaniste të kohës janë edhe shumë historishkrues shqiptarë dhe kultivues të shkrimit shqip të shek. XVI.”

6.

Të mos harrojmë: pa e pushatuar Perandoria osmane Arbërinë, në Durrës arbërorët kishin Universitetin e tyre, që u hap krahas universiteteve të para në Evropë, që u zhduk me barbarizmat turke. Po në këto rrethana paralelisht me atë evropian, po zhvillohej edhe Humanizmi shqiptar. Së këndejmi, le ta lexojmë dhe shkrimin e Segonit si përpjekje për t’u inkaudruyr natyrshëm në rrjedhat e civilizimit evropian, me mbrojtësin kryesor të Evropës së asaj Kohe, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun.
Prandaj, Evropa nuk e harroi kurrë këtë luftë epokale që e shpëtoi edhe civilizimin evropian.

———————— 

Këtu po e japim të plotë shkrimin e Martin Segonit, ashtu si është publikuar te veprat Dhimitër Shuterqi: “Marin Beçikemi dhe shkrime tjera”, Tiranë, 1987 dhe prof. dr. Mahmud Hysa: “Autorë dhe teskte nga letërsia e vjeltr shqiptare” vëllimi 1, Shkup 1992

Martin SEGONI:
TREGIM Mbi Gjergj Kastriotin, nga Turqit, në gjuhën e tyre, i quajtur Skander beg, domethënë Aleksandër i madh

Lindi Gjergj Kastrioti nga Gjoni, zot i Shqipërisë, pjesë e Maqedonisë në detin Adriatik. I cili zot, Gjoni, duke mos mundur t’u qëndronte armëve turke, pati paqen nga Murati më disa kushte, njëra prej të cilave ishte që ai t’i jepte djemtë e tij peng, e në mes tyre Skënderbeun. I cili, i rritur në oborrin e turkut dhe i mësuar në kulturën turke dhe në ushtrimin e armëve, pati kaq përfitim sa, që në nëntëmbëdhjetë vjeç, qe bërë sanxhak, domethënë udhëheqës i një turme kalorësish. Dhe, duke pasur një pamje mbretërore, u simpatizua shumë nga Murati, i cili, në fillim, e dërgoi në Azi kundër mbretit të Cicilisë, në të cilën luftë fitoi kredi të madhe, duke luftuar në mënyrë të jashtëzakonshme, trup më trup me tatarë shumë të shquar dhe „occisolo” 2, e po në atë mënyrë (me) një kalorës persian. Kështu Murati thoshte me plot gojën, publikisht, se ai ishtre krahu i tij, syri i tij i djathtë dhc mbrojtësi i pashoq i shtetit të tij.

I erdhi ndërkaq të atit, Gjonit, për të vdekur, ushtritë turke pushtuan atë mbretëri, gjë për të cilën Skënderbeu u qa, (por) qe ngushëlluar nga Murati, duke i dhënë shpresë se së shpejti do ta vendoste në fron personin e tij. Po, duke mos bërë gjë me tej, bile duke bërë (Murati) që të vëllezërit e tij të vdisnin me helm, ai (Skënderbeu), me shkathtësi dhe me shkresa të falsifikuara, vajti në Shqipëri e u bë zot i disa fortesave kryesore Dhe pastaj, pasi u mblodhën në kuvend popujt e provincës në fjalë e të gjithë Maqedonisë , qe njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret. Pastaj bëri të priten copë-copë plot turq që nuk donin të pagëzoheshin (dhe) pati më pas fitore të zulshme kundër Muratit dhe Mehmetit, të birit. Mundi shtatë pashallarë, shkoi si udhëheqës i ushtrisë shqiptare në ndihmë të mbretit të Napolit, Ferdinandit, të dëmtuar shumë nga Anzhuinët, dhe, me vullnetin e tij, duke i dërmuar francezët, shpëtoi atë mbretëri.

Mbasi Mehmeti zhduku mbretërinë e Trebizontit dhc atë të Kostandinopës, provoi të zhdukte Krujën, po, duke i mbrojtur, Gjergj Skënderbeu arriti ta bënte të kotë çdo përpjekje të tij.
Më vonë, qe thirrur nga Piu i dytë në Itali, për ta bërë kapiten të përgjithshëm në ndërmarrjen që shenjtëria e tij mendonte kundër turqve. Po duke ndërhyrë vdekja e Ponteficit në fjalë, tjetërkush nuk vazhdoi.
Ndërkaq, duke u kthyer në Shqipëri , dhe ndërsa në Lezhë, mbi lumin Drin, po konsultohej me proveditorin venedikas rreth çështjeve të luftës, e rroku një ethe ngjitëse (dhe) kaloi në jetën më të mirë, (në vitin e zotit tonë një mijë e katërqind e gjashtëdhjeteshtatë , në moshën gjashtëdhjetë e tre , duke pasë rekomanduar së pari Gjonin, të birin, ende djalosh, me tërë shtetin e tij, tek e ndritura sinjori e Venetisë.
Mbante përherë Skënderbeu me vete, me dashuri dhe pa u kursyer fare disa ushtarë të zgjedhur veteranë, për të cilët deklaronte se shtiheshin në dorë fitoret më me lehtësi se me një shumicë ushtarësh të rinj. Nuk ua ktheu asnjëherë shpinën armiqve të tij, po gjithmonë luftoi me trimëri. Nuk u plagos kurrë prej tyre, veç një herë lehtë nga një shigjetë, kaq me fat ai ishte dhe i armatosur mirë. Kështu, në tërë jetën dhe personin e tij, ishte i disponuar me kaq gëzim në sytë dhe elokuencën kaq të gjallë, sa, kur dukej në publik i armatosur, me mënyrën (e të folurit) ndizte flakë shpirtrat e ushtarëve, të cilët jo vetëm bëheshin trima në luftim, por edhe më të egrit përbuzës të armikut. Qe gjithmonë nga të parët që hynin në betejë dhe nga të fundit për t’u tërhequr. I njihte tërë oficerët e vet emër për emër, kaq kujtesë të mirë kishte.
Vrau me dorën e vet, në beteja të ndryshme, më se dy mijë turq, duke përdorur një shpatë të tij, me të cilën, me një të goditur të vetme, e ndante një dem më dysh. Duke dëgjuar Mehmeti II për shpatën, çoi e ia kërkoi dhe Gjergji ia dërgoi, dhe e bëri provë, në praninë e tij një tartar, të cilin e çmonte të fortë pa masë, por kot. E riktheu dhe e kuptoi se qe shpata e vërtetë, po nuk i kishte dërguar krahun e tij, që e përdorte. Kështu, duke mos iu dukur (me vend) Mehmetit, që ta privonte një kapiten të tillë nga një armë aq fisnike, me disa dhurata aq të pasura ia ridërgoi, pasi i qe dërguar për të dytën herë.
Qe e qartë vdekja e këtij kalorësi të madh jo vetëm nga tërë Greqia 6) po njëkohësisht nga tërë princërit e Evropës, si dhe nga turqit vetë, të cilët, pas vdekjes së tij duke u bërë zotër të gjithë Shqipërisë dhe duke gjetur në kishën e Shënkollit, katedrale e qytetit të Lezhës, trupin e tij, devotshmërisht e nderuan me respekt të madh. Dhe, sipas supersticionit të tyre, nxorën eshtrat fatlume nga varri, duke besuar secili se do të gjendej i sigurt në betejë, po të kishte lidhur me vete një pjesë sado të vogël eshtre të një kapiteni kaq të pathyeshëm./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »