Zoti na nxit të besojmë në praninë e tij të përhershme

Jan 27 • Meditimi i ditës

27 janar 2018 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2 Sam 12, 1-7a.10-17; Ps 50; Mk 4, 35-41)

 

Prania e Hyjit

Është mrekulli të jesh së bashku me shokët, në praninë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar nga dashuria.

Madje edhe të gjitha fijet e flokëve i kam të numëruara.

Prania jote, o Zot, është gjëja më e madhe në botë.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i sjell në mend disa muaj më parë,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 4, 35-41

 

35 Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve:

“Të kalojmë matanë!”

36 Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra të tjera. 37 Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. 38 Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë:

“Mësues! A nuk shqetësohesh që po mbytemi?”

39 Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit:

“Qetësohu! Shuaj!”

Era pushoi e u bë fashë e madhe.

40 Atëherë u tha:

“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?”

41 Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Vallë, kush është ky të cilit po i nënshtrohen era dhe deti?”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  •        Gjërat asnjëherë nuk janë aq të këqija, të papërballueshme për Jezusin. Ai kalon nëpër stuhi së bashku me nxënësit duke i mbrojtur edhe pse ata këtë nuk e dinë. Ndoshta e ndjejmë se gjërat janë duke shkuar shumë keq në botën tonë kështu që as Zotit s`i interesojnë ato. A thua Hyji mos ka hequr dorë prej nesh në një botë me aq korrupsion, ligësi, dhunë, padrejtësi …? Hyji kurrë nuk i çon duart, në lutje nxit fenë tonë që të jemi të sigurt se gjithmonë është pranë nesh.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »