I mësonte si Ai që kishte autoritet!

E diela IV gjatë vitit – viti B

 

Leximi i parë   Lp 18, 15-20

Populli i zgjedhur nuk duhet të besojë se origjina e tij, historia e tij, fati i tij vijnë nga institucionet njerëzore, por vetëm nga fjala e Zotit. Kush e interpreton fjalën e Hyjit quhet profet dhe ka një autoritet të ligjshëm të ngjashëm me atë të Birit të Hyjit. Moisiu i shpall Izraelit ardhjen e një profeti, që do të transmetojë vetë fjalën e Hyjit. Vetëm ata që do ta dëgjojnë do të shpëtohen. 

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli e tha: “Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjoje! Mu ashtu siç kërkove prej Zotit, Hyjit tënd, në malin Horeb, kur qe bërë tubimi i përgjithshëm e kur the: ‘Nuk dua më ta dëgjoj zërin e Zotit, Hyjit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes.’ Atëherë Zoti më tha: ‘Folën krejtësisht me vend. Do të ngreh ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij. Ai që s’ka për t’i dëgjuar fjalët e mia që ai do t’i flasë në emrin tim, atë do ta ndëshkoj. Kurse profeti që do të kishte guximin të fliste, i tradhtuar prej pacipjes, në emrin tim, çka unë nuk i urdhërova të flasë, ose flet në emër të hyjnive të huaja, le të vritet.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   95

 

Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

————————————-

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

————————————-

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na

krijoi! Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.

————————————-

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

————————————-

 

 

Leximi i dytë   1 Kor 7, 32-35

Shën Pali pohon se bota nuk zgjat përgjithmonë, fundi i saj është afër dhe nuk është martesa që ripërtërin njerëzimin. Ai na mëson se dashuria e Hyjit është gjëja e vetme që vlen me të vërtetë. Si beqaria, ashtu dhe martesa duhet të jenë një zgjedhje dashurie. Nuk ka kuptim, pra të flasim që beqaria është më e përsosur se martesa apo anasjelltas, sepse e vetmja përsosmëri është ajo e dashurisë.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t’i pëlqejë Zotit. Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, që t’i pëlqejë gruas, dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit: si t’i pëlqejë burrit. Këto po ju them për të mirën tuaj, jo për t’ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrë më të përshtatshme, krejtësisht të përqëndruar në shërbimin e Zotit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Profet i madh u duk ndër ne.  Hyji e pa popullin e vet.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 1, 21-28

Jezusi hyn në sinagogën e Kafarnaumit dhe flet me autoritet dhe jo si skribët. Çliron pastaj një të djallosur me fjalën e tij dhe i dhuron përsëri dinjitetin e tij të plotë dhe lirinë. Krishti është njeriu i ri në botën e pushtuar nga e keqja fizike dhe morale. Ai dënon dhe zotëron mbi forcat e urrejtjes dhe të vdekjes. Ai shpall një urdhër të ri dhe del fitimtar mbi çdo të keqe me atë forcë që do ta bëjë të ngjallet nga të vdekurit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse  mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët. Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti: “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!” Jezusi iu kërcënua: “Hesht dhe dil prej tij!” Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’u bë kështu? Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet! Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!” E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Mbretëria e Hyjit është qeveria e Hyjit, që shfaqet kur një popull, i qeverisur prej Tij, pranon zotërimin e tij e ligjin e tij të dashurisë, me forcën e Shpirtit Shenjt.

Jezusi “mësonte si ai që ka autoritet”. Ai flet me fuqinë e mrekullive që kryen e me autoritetin personal me të cilin interpreton Besëlidhjen e Vjetër. Mësimi i tij dallohet prej mësimit të skribëve për të renë e fjalëve të tij e të veprimeve të tij të fuqishme.

“Ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë”. Vëmendja i është drejtuar shpirtit të papastër, që ndihet i kërcënuar nga prania e Jezusit e zbulon identitetin e Tij, me qëllimin të manipulojë fuqinë e emrit të tij hyjnor. Por Jezusi do të shfaqë forcën e Mbretërisë së Hyjit me veprimin e tij të fuqishëm prej ekzorcisti.

Jezusi iu kërcënua: ‘Hesht dhe dil prej tij!’” Ai i urdhëron shpirtit të mos zbulojë identitetin e tij, e të largojë zotërimin e tij nga ai njeri. Është përplasja mes fuqisë të së keqes e forcës së Mbretërisë së Hyjit. Humbja e djallit tregon mbërritjen e fuqisë së Hyjit, që vepron nëpërmjet Jezusit.

Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: ‘Ç’u bë kështu?’” Jezusi shfaq autoritetin e tij, duke i çliruar njerëzit nga pushteti i së keqes. Angazhimi i Jezusit kundër forcave të së keqes realizohet në të gjithë jetën e tij e aktivitetin e tij prej Mesie. Kundër djallit luftohet sidomos me armët e jetës së besimit, të lutjes e të dëshmisë së ungjillit me fjalë dhe vepra.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, besimi na thotë që gjithçka është e drejtuar drejt së mirës së atyre që Hyji do. Ta shfaqim këtë bindje tonën duke i paraqitur Zotit nevojat e këtij momenti.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, na jep gjithmonë Fjalën tënde.

L. Për Kishën, që Zoti ta bëjë të provojë forcën e fjalës së tij, i cili nga errësirat e mëkatit na thërret drejt dinjitetit të bijve të Hyjit. Të lutemi.

L. Për të krishterët: që të pranojnë Krishtin, fjala e së vërtetës, që na çliron nga shpirti i gënjeshtrës, e cila na mban skllevër. Të lutemi.

L. Për të gërbulurit: që të kenë mirë-kuptimin tonë dhe solidaritetin tonë, kështu që të mund të kalojnë sëmundjet dhe të rikthehen në bashkësitë e tyre. Të lutemi.

L. Për personat e shuguruar: që me jetën e tyre të japin dëshmi të një dashurie të pakushtëzuar ndaj Zotit dhe vëllezërve. Të lutemi.

L. Për ne: që çdo e Diel, dita e Zotit, të jetë me të vërtetë dita e takimit me Krishtin, Fjala dhe Buka e jetës. Të lutemi.

M. O Atë i mirë, që dëgjon gjithmonë lutjet e atij që shpreson në Ty, bëj që të jetojmë në lirinë e gëzueshme si bij të Hyjit e të mbështetur nga Nëna e Krishtit, Shpëtimtarit tonë, të mund të shpërndajmë në botë lajmin e gëzuar të shpëtimit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: