Jezusi iu del zot fuqive të errëta

Jan 28 • Meditimi i ditës

28 janar 2018 – E diela 4-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 18, 15-20; Ps 94; 1 Kor 7,32-35; Mk 1,21-28)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem sa më i vetëdijshëm për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me mirënjohje për të gjitha ato momente

Kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mk 1,21-28

 

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:

24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

25 Jezusi iu kërcënua:

“Hesht dhe dil prej tij!”

26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. 27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Ç’u bë kështu!?”

“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”

“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”

28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi e flet fjalën e Zotit si askush më parë. Rabinët (mësuesit e fesë) deklarimet e tyre i mbështetnin me citatet e autoriteteve të tjerë. E pra, Jezusi nuk ka nevojë për autoritete njerëzore për t`i  mbështetur deklarimet e veta. Kur ai flet – flet Hyji. I udhëhequr me Shpirtin e Hyjit Jezusi iu del zot dhe i shkatërron fuqitë e errëta.
  • Zot, jam i ballafaquar me një botë plot dhunë, lakmi dhe të këqija. Po mundohem të besoj që ti e ke mundur të keqen. Më ndihmo që të shoh se ti je në veprim në shenjat e vogla të dashurisë, drejtësisë dhe së vërtetës rreth meje.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre pak momenteve që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »