Çfarë zinxhirë vesesh të ndryshme më ngurrojnë?

Jan 29 • Meditimi i ditës

29 janar 2018  E hënë, MOMENTI I SHENJTË  Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Sam 15, 13-14.30; 16, 5-13a; Ps 85; Mk 5, 21-43)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

duke më nxitur butësisht për të bërë atë çka është e mirë.

Lus për hirin shenjtërues: t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndjej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndjehem i/e mërzitur, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.

Që t`i dua të afërmit si vetveten.

Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mk 5, 1-20

 

1 Arritën matanë detit në krahinën e gerazenëve.

2 Posa Jezusi doli prej lundrës (menjëherë) nga varrezat i doli përpara një njeri që kishte djallin në trup. 3 Ky banonte në varreza. Askush nuk mundte më as ta lidhë në hekura. 4 Shpesh e kishin lidhur në pranga e zinxhirë, por ai i copëtonte prangat e i këpuste zinxhirët. Askush s’ishte më i zoti ta zotërojë. 5 Gjithë natën e ditën nëpër varre e nëpër male bërtiste e rrahte veten me gurë.

6 Kur prej së largu e pa Jezusin, u lëshua me vrap, ra para tij përmbys për dhe, 7 e atëherë, me sa zë pati, bërtiti:

“Çka do prej meje, Jezus, Biri i Hyjit tejet të Lartë? Po të përbej në Hyjin mos më mundo!”

8 Sepse Jezusi i kishte thënë: “Shpirti i ndytë, dil prej këtij njeriu!”

9 Atëherë Jezusi e pyeti:

“Si quhesh?”

“Quhem Legjion ‑ u përgjigj ai ‑ sepse jemi shumë.”

10 Ai i lutej shumë Jezusit që të mos i dëbonte prej asaj krahine.

11 Tashti, aty në rrëzë të malit po kulloste një tufë e madhe thish. 12 Shpirtrat e ndytë e përbenin:

“Na dërgo ndër thi të hyjmë në ta.”

13 Ai i lejoi. Shpirtrat e ndytë, pasi dolën, hynë në thi dhe tufa, afërsisht dy mijë copë ‑ u lëshuan me turr nga gremina, kërceu në det dhe u mbyt.

14 Barinjtë ndërkaq ikën dhe e përhapën lajmin nëpër qytet e fshatra. Njerëzit shkuan të shohin ç’kishte ndodhur.      15 Erdhën te Jezusi dhe, kur e panë të djallosurin, që kishte pasur në trup një legjion të tërë, ndenjur, të veshur dhe shëndosh në mend, i kapi frika. 16 Ata që kishin parë me sytë e vet u treguan si ndodhi puna me të djallosurin dhe me thitë. 17 Atëherë ata filluan t’i luten Jezusit të largohet prej krahinës së tyre.

18 Kur Jezusi hyri në barkë, ai që kishte qenë i djallosur zuri t’i lutej ta merrte me vete. 19 Jezusi nuk e lejoi, por i tha:

“Shko në shtëpinë tënde te familja jote e tregoju ç’nder të bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.”

20 Ai shkoi dhe filloi të tregojë nëpër Dekapolis gjithçka Jezusi bëri për të. Gjithkush mrekullohej.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ky është një tregim që flet për çlirimin. Njeriu i vetmuar, i nëpërkëmbur nga fuqitë që i tejkalojnë fuqitë e tij, vuan thellë në vetvete. Jezusi e takon në varreza. Njeriu iu afrua Jezusit, por në të njëjtën kohë kishte edhe frikë. E pyet veten çka do t`i bëjë Jezusi. Jezusi e shëron dhe e kthen tek miqtë e vet.
  • A mund të identifikohem me të djallosurin? A jetoj edhe unë nganjëherë në varrezën e shkatërrimit tim dhe shpirtit tim negativ duke fajësuar vetveten? Çfarë zinxhirë vesesh të ndryshme më ngurrojnë? Vrapoj tek Jezusi për të më çliruar në mënyrë që të rishfaqet ai uni im i vërtetë. Tek e fundit, unë jam fëmijë i dashur i Hyjit. Këtë kurrë nuk guxoj ta harroj.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka që ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën time kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në kujdesin e tij,

i vetëdijshëm se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »