Sa kohë e njoh Jezusin dhe kë/çka shoh?

Jan 31 • Meditimi i ditës

31 janar 2018 – E mërkurë, Shën Gjon Bosko, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Sam 24, 2.9-17; Ps 31; Mk 6, 1-6)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm se Hyji është këtu.
Mendoj se si gjithçka rreth meje,
ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,
rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Zoti na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Mk 6, 1-6

 

1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit.
E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin:
“Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”
Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.
4 Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” 5 Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “Çka po mendon ky, kush është ai?” Sa herë e kemi dëgjuar apo ngritur një çështje të tillë ose të ngjashme? Kjo vetëm flet për xhelozinë, zilinë dhe ngushtësinë e mendjes. Në vend të kësaj, pyetja jonë duhet të jetë: “Kush jam unë që ta gjykoj të afërmin?”
  • Në jetëshkrimin për Jezu Krishtin Francois Mauriac [Fronsë Moriak] kishte shkruar kështu: “Është llomotitje e vërtetë të shkruash që gjatë tridhjetë viteve të para Biri i Hyjit nuk ka qenë asgjë tjetër veçse njeri i zakonshëm.” Ata që kanë jetuar me të kanë menduar se e njohin. I ndreqte tryezat dhe ulëset e tyre. Hanin e pinin me familjen e tij të gjerë. Kur Jezusi doli nga rrethi i tyre dhe filloi misionin e vet, e mbajtën paramendimin (e njëjtë) për të,d.m.th. se është punëtor i thjeshtë siç e kishin njohur.
  • Jezusi “çuditej” për mosbesimin e të afërmve të tij. Kishte jetuar në mesin e tyre 30 vjet, e ata shohin vetëm “një zdrukthëtar dhe të birin e Marisë”. Sa kohë e njoh Jezusin dhe kë/çka shoh? Do të lus hirin që ta njohë atë më mirë.
  • O Zot, ekzistojnë thellësi në çdonjërin prej nesh (madje edhe tek ajo çka ne mendojmë se mirë e njohim) ku vetëm ti ke qasje. Gjykimet e njëanshme që njerëzit i shprehin, flasin më shumë për vetë ata sesa për atë për të cilin thuhen ato. Më shpëto, o Zot, nga një marrëzi e tillë.Tani e lexoj edhe një herë pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
    Lexoj, dëgjoj dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »