Në çka mbështetem si nxënës i Krishtit sot?

Feb 1 • Meditimi i ditës

 1 shkurt 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 2, 1-4.10-12; Ps 1 Kr 29, 10-12; Mk 6, 7-13)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Pushoj një moment në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet se çka do të nevojitej apo duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Lutem për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çka Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 6, 7-13

 

7 Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. 8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, 9 por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

10 Dhe u thoshte:

“Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”

12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Dishepujt u lejuan të marrin me vete vetëm një gjë – shkopin – diçka për t`u mbështetur kur të udhëtojnë. Kush, ose çfarë është “shkopi” im? Ku e gjej unë mbështetjen duke jetuar jetën time si një dishepull, nxënës, sot?
  • Nga ana tjetër, cilët janë “shpirtrat e këqij” të mi? A i prishi gjëra dhe a bëj diçka me motive të këqija? A e zvogëloj herë pas here rëndësinë enjerëzve dhe bëj që të jenë njerëz më pak të lirë? Ndoshta unë nuk mund t`i “dëboj” ata nga vetja ime, por a do të lejoj që këtë ta bëjë Jezusi ose dikush tjetër?

Mund ta lexosh, ta dëgjosh pjesën e Ungjillit edhe një herë, pa u ngutur, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »