Kur lutem, i kushtohem Zotit

Feb 2 • Meditimi i ditës

 2 shkurt 2018 – E premte, Kushtimi i Zotit në tempull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mal 3,1-4 ose Heb 2,14-18; Ps 23; Lk 2, 22-40)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat etua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat se si kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
se si kam ndërvepruar, se si e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj me besim, me shpresë,

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Lk 2,22-40

 

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ ‑ 24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt.26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37 kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Festa e kushtimit të Zotit në tempull mund të ndodhë çdo ditë nëse këtë e dëshiroj: i kushtohem Zotit kur lutem. Drejtpërdrejt takohemi Hyji dhe unë. Kur Jezusi thotë që duhet të lutemi gjithmonë na fton që në jetë të jetojmë pikërisht këtë vetëdije për kushtimin e përditshëm.
  • Edhe unë sikurse Simoni mund ta marrë fëmijën para duarsh: ai zgjohet dhe buzëqeshë. Çka ndodhë në atë moment në zemrën time? Simoni i dha nder e lavd Zotit. Do ta falënderoj Zotin që më është paraqitur në një formë aq të prekshme dhe të brishtë.

 

Mund ta lexosh, ta dëgjosh pjesën e Ungjillit edhe një herë, pa u ngutur, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem mirëbesim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »