Ejani të shkojmë të predikojmë….!

Feb 3 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela V gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Jb 7, 1-4.6-7

Jobi reflekton mbi situatën njerëzore plot me zhgënjime dhe vuajtje dhe gjen lehtësim në besimin e plotë që ka ndaj Zotit.  Edhe pse Jobi proteston, reagimi i tij është i kuptueshëm dhe jo i dëshpëruar.  Dinjiteti ynë njerëzor qëndron në të luftuarit për jetën dhe në mospranimin e dëshpërimit.

Lexim prej Librit të Jobit

Jobi foli dhe tha: “Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut? Ditët e tija si ditët e mëditësit? Porsi të skllavit që e dëshiron hijen, si të mëditësit të varur nga mëditja? Kështu më takuan mua muaj zhgënjimi, net plot dhimbje për pjesë më qëlluan! Nëse shkoj të bie, pyetem: Kur do të agojë drita? E përsëri mezi e pres mbrëmjen, plot me dhimbje mezi e pres muzgun! Më kaluan ditët më shpejt se drugza e vektarit, u sosën, mbetën pa pe. Mos harro: avull është kjo jeta ime, sytë e mi fat të mirë s’do të shohin.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   147

Ref: Na shëro, o Zot, Hyj i jetës sonë

————————————–

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,

është bukur t’i këndosh Hyjit tonë,

është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!

Zoti e rindërton Jerusalemin,

i bashkon izraelitët e mërguar.

————————————

Ai e shëron zemrat e copëtuara,

i lidh plagët e tyre!

Ai e njeh numrin e yjeve

dhe e thërret secilin me emër.

————————————-

I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm,

e pakufishme është dija e tij.

Zoti e lartëson të përvujtët,

kurse përdhe i shtron bakëqijtë.

————————————–

 

Leximi i dytë   1 Kor 9, 16-19.22-23

Çdo njeri ka të drejtë të dëgjojë Ungjillin. Për këtë Pali është gati të kryejë çdo sforcim për ta shpallur.  Përballë kësaj urgjence të shpalljes është e nevojshme të braktisim çdo pengese e çdo privilegj. Pali predikon Ungjillin pa kërkuar interesat e tij.  Bëhet gjithçka për të gjithë për të dërguar te Krishti numrin më të madh të besimtarëve.

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua; është detyrë që më duhet ta kryej. I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! Nëse e bëj këtë me nisiativën time, atëherë më takon paga; por nëse jo prej nisiativës sime, është detyrë që më është besuar. Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas pa i përdorur të drejtat që m’i jep Ungjilli. Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitojë për fe sa më shumë njerëz. U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë. Ti ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 1, 29-39

Jezusi fillon aktivitetin e tij duke kryer planin e Atit.  Ai tërhiqej shpesh në një vend të vetmuar për t’u lutur që mësimi i tij, jeta e tij dhe veprat e tij të jenë me të vërtetë sipas planit të Atit.  Bashkimi i Jezusit me njerëzit është shenja e bashkimit të tij të thellë me Atin.  Indiferenca jonë ndaj të tjerëve ndoshta është një shenjë e një largimi nga Hyji. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi posa doli nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu. Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurit dhe të djallosurit. Mbarë qyteti u mblodh para derës. Ai i shëroi të sëmurët – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin. Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.” Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme, që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.” Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogët e tyre dhe duke dëbuar djajtë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Jezus, duke e njohur njeriun thellësisht, është i vetmi i aftë të shërojë plagët e thella të njeriut. Ai kalon mes nesh e na shëron, është drita, që njerëzit kërkojnë në errësirë.

“Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe”. Jezusi përkulet mbi vjehrrën e Pjetrit, e merr për dore dhe e ‘ngre’, gjest simbol i ringjalljes. Vjehrra e Pjetrit, që fillon t’u shërbejë, është shembulli i atij, që i shëruar prej Krishtit, zgjedh të shërbejë. Secili që vendoset në shërbim tregon se është një person i shëruar, i shëruar nga skleroza e egoizmit. Dhe çdo mrekulli është një kalim nga vdekja në jetë sepse na vendos në shërbim të njëri-tjetrit.

“Në mbrëmje, … ia sollën para të gjithë të së-murit dhe të djallosurit”. Turmat, të tërhequra nga fjalët që Jezusi thotë e nga shenjat që kryen, e kërkojnë për t’u shëruar nga çdo e keqe. Është bamirësia që tërheq personat e themelon shenjën më të shndritshme të çdo bashkësie të krishterë.

“Kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar”. Jezusi lutet vetëm në një vend të shkretë e tregon rrugën kryeso-re që duhet të ndjekim nëse duam të jemi dishepujt e tij të vërtetë. Duhet të ankoroj-më jetën tonë në lutje e në kundrim.

“Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogët e tyre”. Krishti takon ata që nuk e kërkojnë, dhe është shembull i dashurisë pa interes, pa pritur asgjë në këmbim. Krishti është shembulli i dashurisë që lufton: shkon të kërkojë çdo njeri për të shpëtuar njeriun në tërësi.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër të gjithë në ekzistencën tonë kemi të bëjmë me misterin e dhimbjes e të sëmundjes. Ta lusim Zotin e jetës që, kur të jemi në vuajtje, sipas shembullit të Jobit, të mund të kemi edhe ne, forcën e hirit për të qëndruar në besim. Të themi së bashku:

 

Jezus, mjek qiellor, na shpëto.

 

L. Për Papën, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, personat e shuguruar e të gjithë të pagëzuarit: që, sipas shembullit të Jezusit, të dinë t’u rrinë afër të sëmurëve e atyre që vuajnë. Të lutemi.

L. Për qeveritarët: që në drejtimin e popujve gjatë ecjes në histori, të tregohen të zgjuar e të përgjegjshëm, që të duan drejtësinë e të bëjnë paqen.Të lutemi.

L. Për të sëmurët në trup e në shpirt: që të forcuar nga besimi dhe shpresa, të gjejnë forcën e nevojshme për të përballuar çdo dhimbje, e mbi të gjitha të kenë ngushëllimin, ndihmën e të afërmve e solidaritetin e vëllezërve.Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë: që të jetë gjithmonë vend mikpritjeje, dashurie e paqeje, për t’i dëshmuar sa më mirë mbarë botës, fytyrën e vërtetë të Zotit që është Atë. Të lutemi.

M. O Zot, me mirësi të pafundme, pranoji lutjet tona. Ti që na ke dhënë jetën, na jep hirin ta jetojmë në shëndet, e kështu ta vëmë edhe në shërbim të vëllezërve tanë e të Ungjillit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »