Të lutesh për shëndetin e shpirtit

Feb 4 • Meditimi i ditës

4 shkurt 2012 – E diela 5-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Job 7, 1-4.6-7; Ps 146; 1 Kor 9, 16-19.22-23; Mk 1, 29-39)

 

Prania e Hyjit

Ajo që përpiqem të bëj në këtë moment është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin se si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të për të gjitha ato që janë duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta marr vesh që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm/e për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur ndaj asaj çka dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

Me hirin e Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në kujdesin tënd të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit,

Dhe ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 1, 29-39

 

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.  30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.

Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurit ‑ ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë.37 Kur e gjetën i thanë:

“Të gjithë po të kërkojnë.”

38 Ai u tha:

“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”

39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezus i dashur, ungjilli na përshkruan një ditë mjaft të mundimshme në jetë. Edhe ditët e mia dinë të jenë të mundimshme dhe me plot punë. E pra, ti ke gjetur kohë për lutje kështu që duhet të gjej edhe unë. Bekoje kohën e lutjes që dita ime të jetë sa më frytdhënëse.
  • Kur u shërua vjehrra e Simonit ajo bëri të njëjtën gjë sikurse Jezusi – u shërbeu nevojtarëve. U bë nxënëse. Shërimi i shpirtit përfshin gatishmërinë për të shërbyer, kurse sëmundja shpirtërore do të thotë që jam i brengosur vetëm për veten time. Do ta lus Zotin që të jem i/e shëndosh shpirtërisht.

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm, disa herë
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »