A lutem për prijësit e kishës?

Feb 6 • Meditimi i ditës

6 shkurt 2018 – E marte, Shën Pal Miki e shokët, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 8, 22-23.27-30; Ps 83; Mk 7,1-13)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se do të mund të bëhej statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerrë gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu. (Shën Injaci)
Lutem për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj, ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Zotin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.
Ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë, duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 7, 1-13

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 2

Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 4 

As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës:

larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:

“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:

“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:

‘Ky popull më nderon me buzë,

kurse zemra e tyre është larg meje.

7 I kotë është kulti që më bëjnë,

kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit

‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

9 Dhe u tha:

“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! 10 E pra, Moisiu tha:

‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’

dhe: ‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’

11 E ju përkundrazi thoni:

‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’, 12 atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës. 13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  • Mirë është t`i kesh duart e pastra, enët dhe gotat. E pra, ajo çka është më e rëndësishmja është zemra ime, përbrendësia e njeriut. A është zemra ime larg prej Zotit? A jam duke u kujdesur më shumë ta kem shtëpinë e pastër apo zemrën?
  • Lutem për prijësit e kishës. Në këto kohëra të vështira kanë nevojë për një mirëkuptim të thellë të mënyrës me të cilën Zoti dëshiron që ata të shërbejnë. Mos të ngelin vetëm në tradita të kulluara njerëzore, por sipas modelit të Jezusit, t`ia zbulojnë botës në mënyrë kreative fytyrën e mëshirshme të Hyjit.

 

I jap vetes kohë dhe e lexoj Fjalën e Zotit edhe një herë.

Pastaj, ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lutem dhe e meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hap zemrën.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

(Përgatiti: Don Shtjefën Dodes)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »