Pesë gjëra që e dëmtojnë zhvillimin, dashurinë dhe bashkimin e vërtetë

Feb 7 • Opinion

Një këndvështrim i krishterë

 

NJËANSHMËRIA – Njerëzit shpesh dallojnë për nga aftësitë e tyre, statusi social, arsimimi, suksesi në punë, pasuria materiale, dhe gjëra të ngjashme.
Bota, meqenëse e çmon suksesin dhe pasurinë, i klasifikon njerëzit në klasa vlerash.
Prandaj, shpeshherë njerëzit mbartin në vetvete paragjykime të tilla dhe bëjnë dallime mes njerëzve në shoqëri (khs. Jak 2,1-4 ).
Kjo i shkatërron marrëdhëniet njerëzore dhe s`i pëlqen Zotit. Nga pikëpamja e krishterë, vlera ose drejtësia jonë përpara Zotit është në Krishtin, të gjithë ne që jemi në Të, jemi të barabartë përpara Tij.
Kjo do të thotë se vëllai nga shtresat e ulët mund të jetë krenar për lartësimin e tij (Jak 1,9). Ai është i përçmuar në botë, por në bashkësi (famulli) është i barabartë me të gjithë. Pra, edhe i pasuri duhet të jetë krenarë për përçmimin e tij. Në botë është i vlerësuar, por në bashkësi/shoqëri nuk guxon të jetë kryelartë.

MUNGESA E SINQERITETIT (PANDERSHMËRIA) – Rreziku i hipokrizisë është i pranishëm sidomos nëpër grupe/shoqëri. Pijaneci në pijetore s`e ndjen ndonjë nevojë të madhe për të aktruar, por në vende publike, ku ka standarde të larta etike dhe ku njerëzit janë disi të vetëdijshëm për të metat e tyre, aktrimi është një dukuri e zakonshme. Njerëzit mbartin maska dhe shtiren duke u paraqitur “më të shenjtë” sesa janë. Kjo sjell një tjetërsim të caktuar, sepse shoqëria e vërtetë ndodh kur njerëzit pranë njëri-tjetrit janë pikërisht ajo që ata janë, pa shtirje, pa maska. Është e nevojshme që njerëzit t`i hapen njëri-tjetrit dhe të mësojnë t`ia pranojnë dobësitë e veta njëri-tjetrit. (Jak 5,16).

LEGALIZMI –  Vështirë do të hapen njerëzit me njëri-tjetrin në qoftë se në një shoqëri sundon një frymë legaliste (ku shikohet gjithçka nga perspektiva e ligjit). Secili do të tërhiqet në “guaskën” e tij duke pasur frikë gjykimin/dënimin nga të tjerët. Fryma prej ligji lind kur individët besojnë se gjëja më e rëndësishme është ta mbrosh ligjin që mos të shkelet dhe në të njëjtën kohë s`kujdesen për njerëzit. Kur dikush e thyen ligjin, ngrihen me “zemërim të shenjtë” mos ndoshta do ta shqyenin delen e humbur. Përveç kësaj, si farisenjtë, shtojnë lloj-lloj rregullash njerëzore dhe i refuzojnë të gjithë ata që s`iu binden këtyre rregullave. Pastaj në shoqëri zhvillohet një atmosferë policie, gjë që e shkatërron dashurinë.

RËNIA ËSHTË REZULTAT I LEGALIZMIT – Njerëzit kënaqen në thashetheme, sepse s`e kanë kuptuar mëshirën – dashurinë e vërtetë të Zotit. Për shkak se ndjehen thellë në vetvete se s`janë ende të drejtë, ata e ngushëllojnë vetveten se ka të tjerë që janë edhe më të padrejtë se ata. Për këtë arsye, njerëzit shpeshherë i perceptojnë te të tjerët gabimet që ata vetë i kanë, ndoshta në një shkallë edhe më të madhe, por që s`janë të gatshëm t`ia pranojnë vetvetes. Rënia pastaj shërben si një ventil për fajin e nënvetëdijshëm. Ajo largohet me frymën e ungjillit – fjalës së Jezu Krishtit, sepse kur shoqëria e kupton plotësisht mëshirën e Zotit dhe të gjitha implikimet e saja, rënia bie si diçka e panevojshme.

BETEJA PËR PRESTIGJ – është një arsye e shpeshtë për mosmarrëveshje në shoqëri, sepse është në natyrën e çdonjërit për të kërkuar nderin dhe reputacionin përpara njerëzve. Edhe dishepujt e Jezusit vuanin prej saj. Vuajmë edhe ne. Shumë njerëz duan të fitojnë prestigj duke kryer ndonjë shërbim publik ose duke drejtuar një grup/bashkësi dhe ambiciet e tyre në mënyrë të pashmangshme do të çojnë në konflikt.

Është e nevojshme që të gjithë anëtarët e një shoqërie të heqin dorë nga interesat e veta personale dhe t`i binden udhëheqjes së Frymës së shenjtë. Në praktikë, megjithatë, një gjë e tillë është shumë e vështirë, sepse shumë vetë ndodhen nën ndikimin e motiveve të nënvetëdijshme, që vetë nuk janë në gjendje t`i identifikojnë. Duhet, pra, që njerëzit të mësohen ta gjejnë vlerën e tyre të vërtetë në faktin se i përkasin Zotit, e jo duke promovuar vetveten. Duhet të tregohet që, me kërkimin për të arritur interesat tona personale, ne e pengojmë veprën e Shpirtit Shenjt, dhe kështu e humbasim mundësinë e një reputacioni të vërtetë. Është e nevojshme, gjithashtu, që shoqëria të organizohet në atë mënyrë që njerëzit të cilët kërkojnë interesat e tyre personale, të mos mund të depërtojnë në qendër të vëmendjes dhe të marrin rolin udhëheqës.

Lufta për lidershipin (udhëheqje) lind edhe kur udhëheqësit me motive të shëndetshme kanë pikëpamje të ndryshme për punën. Konflikti ndërmjet Palit dhe Barnabës (në Bibël) ishte i një natyre të tillë. Problemi u zgjidh duke shkuar secili në rrugën e vet. Për këtë arsye, rrjedh se s`është mirë që të kihet tepër shumë liderë natyrorë në të njëjtin vend, sepse herët a vonë do të vihet te “qërimi i hesapeve”. Këtu vlen ajo vërejtja mendjemprehtë se udhëheqësit janë si “plehu”! Kur plehu ndodhet në masë, ai vetëm qelbet. Kur është i shpërndarë nëpër arë, është i dobishëm gjithkund!

(Përktheu dhe përshtati: Sh.D.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »