Prej zemrës rrjedhin gjërat (jo) të mira

Feb 7 • Meditimi i ditës

7 shkurt 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 10, 1-10; Ps 36; Mk 7,14-23)

 

Prania e Hyjit

Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lutem për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mk 7, 14-23

 

14 Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha:

“Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! 15 S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër. 16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

17 Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës. 18 Ai u tha:

“Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun,19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?”

Kështu Jezusi i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.

20 Dhe vazhdoi:

“Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër, 21 sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, 22 kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. 23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimt Shenjt:

 

  • Në traditën hebraike konsiderohej që disa ushqime janë të pastra e disa të papastra. Jezusi thotë që të gjitha ushqimet janë të pastra. Ai thotë që zemra është me rëndësi! Me fjalën “zemër” ka menduar atë çka është brenda: disponimet, gjendjet shpirtërore, mendimet, planet, qëndrimet, zgjedhja, ndërgjegjja, dija dhe dashuria. Të gjitha këto duhet të jenë të pastra.
  • O Zot, po më shikon në zemër. Ma krijo një zemër të pastër. Merre nga unë zemrën e ngurtë e ma jep një zemër mishi në mënyrë që të mund të bëhem i mëshirshëm si ti.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë nuk di çka do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit o Zot që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »