Sa i respektoj dhuntitë e grave?

Feb 8 • Meditimi i ditës

8 shkurt 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 11, 4-13; Ps 105; Mk 7, 24-30)

 

Prania e Hyjit 

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengosjet vetjake
dhe çiltërinë për atë çfarë Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën,

që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 7, 24-30

24 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur. 25 Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës kishte në trup shpirtin e ndytë. Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. 26 Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase. I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj. 27 Ai i tha:

“Prit njëherë të ngihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve.”

28 Ajo u përgjigj:

“Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve!”

29 Ai iu përgjigj:

“Shko lirisht në shtëpi se, në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës sate!”

30 Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në shtrojë. Djalli kishte dalë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Një grua e guximshme dhe e vendosur! E vë në rrezik dinjitetin dhe respektin e vet për ta shpëtuar bijën e sëmurë. Ajo është e vetmja grua në ungjill që “fitoi” në diskutim me Jezusin. Jezusi këtu bëri një kthesë në misionin e vet.
  • Zot, më jep guxim që të bëj çka mundem si dhe të respektohen më shumë dhuntitë dhe aftësitë që gratë i sjellin Kishës. Pa gra Kisha është sikurse zogu me një krah.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë, pa u ngutur,

disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë,

dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet

para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lutem në bazë të Shkrimit të Shenjtë?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

(përgatiti: Don Shtjefën Dodes)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »