A e falënderoj Zotin për organet shqisore?

Feb 9 • Meditimi i ditës

9 shkurt 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 11, 29-32; 12, 19; Ps 80; Mk 7, 31-37)

 

Prania e Hyjit

Ajo që është pranë meje, është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.

E marr me mend praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,

në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.

Ndalem dhe lutem, që Zoti

të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo, që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo, që të përzgjedh të shkoj pas teje,

që të jetoj një jetë të krishterë, duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo, që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq, që gjithmonë dhe në gjithçka, ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë ta vëresh atë.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë ta kujtoj se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të qetësohem, të përqendrohem dhe t`i gëzoj kënaqësitë që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, brishtësinë e gjethes së lules…

Duhet ta mbaj mend se të gjitha këto gjëra vijnë prej teje.

 

Fjala 

I jap vetes kohë, e lexoj, dëgjoj Fjalën e Zotit,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mk 7, 31-37

31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.

32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin:

“Gjithçka bëri mirë!”

“Ky po bën të dëgjojnë të shurdhrit e të flasin memecët!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  • Thellë në veten time, edhe unë mund të jem i shurdhur dhe memec. Do t`i lejoj Jezusit që të më marrë për dore dhe të më çojë në një vend të pabanuar. A mund t`i lejoj që t`i prekë veshët dhe gjuhën time? Nuk mund ta dëgjoj çka më flet pa u shëruar, por hamendësoj se është duke u lutur për mua. Kur të shërohem atëherë i konsideroj të çmueshme çdo fjalë dhe tingull, si një muzikë e mrekullueshme. A mund ta përqafoj në shenjë falënderimi për mirësinë e tij ndaj meje?
  • O Zot, po të falënderoj për të gjitha dhuntitë fizike me të cilat më ke pajisur. Është diçka e mrekullueshme të kesh trup. Kur jam i/e sëmur, bëj që ta ndiej që qëllimi yt është ta shndërrosh këtë trup tim të mjerë dhe ta bësh madhështor, si tëndin.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma përkujto që kurrë nuk jam i vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

(Përgatiti: Don Shtjefën Dodes)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »