Sa jam dëshmitar i asaj çka bën Hyji në jetën time?

Feb 11 • Meditimi i ditës

 11 shkurt 2018 – E diela 6-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lev 13, 1-2; Ps 31; 1 Kor 10, 31-11, 1; Mk 1, 40-45)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 1, 40-45

 

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut:

“Nëse do, mund të më pastrosh!”

41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:

“Dua! Qofsh pastruar!”

42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:

44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Gërbula është emërtim që mbulon sëmundje të ndryshme të lëkurës. Në ligjin hebre të gjitha sëmundjet e tilla e bënin viktimën të papastër. Të gërbulurit shpesh herë kanë qenë të përjashtuar nga bashkësia edhe pse nuk kanë mundur t`i infektojnë të tjerët.
  • Për shumë vetë ka qenë tronditje të shohësh se Jezusi e prekka një të gërbulur. Në këtë mënyrë Jezusi e ka treguar afërsinë e vet me ne në nevojat tona. E falënderoj për këtë.

I gërbuluri bëhet nxënës – e përhap Lajmin e gëzueshëm. E dëshmon mirësinë e Jezusit. A mund t`i lejoj që të më marrë për dore në mënyrë që edhe unë të bëhem dëshmitar i asaj çka më bën Hyji në jetën time?Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje. 

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »