Besimi i madh në gjërat e vogla
12 shkurt 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jak 1, 1-11; Ps 118; Mk 8, 11-13)
Prania e Hyjit
Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,
pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?
Liria
Lute Zotin për hirin e fesë, të besoj
në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.
Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj pa u ngutur
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Mk 8, 11-13
11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragaten me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit. 12 Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!”
13 Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Të gjitha mrekullitë që i ka bërë Jezusi kanë qenë “shenja prej qielli” që i kërkonin farisenjtë. E pra, zemrat e tyre ishin të mbyllura. Nëse është dukur një shenjë e re ata kërkonin një tjetër. Më parë Satani (djalli) kishte kërkuar prej Jezusit një shenjë kur e tundoi në shkretëtirë.
- Si qëndron puna me mua, o Zot? A kërkoj edhe unë gjithmonë diçka të re prej teje? Në saje të mundimeve dhe ngjalljes sate e ke zbuluar se je në anën time. Bëj që të mund t`i pranoj këto shenja të mëdha dhe të besoj edhe atëherë kur edhe gjërat e vogla nuk shkojnë siç duhet.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lutem.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban gjithçka dua të them.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Sa jam dëshmitar i asaj çka bën Hyji në jetën time? Festa e Zojës Lurde në Stubëll »