Festa e Zojës Lurde në Stubëll

Feb 12 • Kisha në Kosovë

Në kohën kur Kisha po përgatitet për të hyrë në kohën e shenjtë të Kreshmëve, këtë vit rastisi që vetëm tre ditë para fillimit të kësaj kohe të shenjtë, të jetë festa e Zojës së Lurdit, e cila kremtohet në Famullinë e Stubllës, që në vitet e 70-ta. Për këtë festë të madhe bashkon besimtarët nga shumë famulli dhe që sjell bashkatdhetarët në vendlindje nga vende të ndryshme të Europës. Tashmë është bërë traditë që përgatitjet e festës të fillojnë me Nënditëshin, i cili fillon me 2 shkurt, në festën e Kushtimit të Krishtit në Tempull, pastaj treditëshi që është përgatitje shumë më intensive, e mbushur me përshpirteni të rrallë. Kjo e tregon se besimtarët stubllas me një përkushtim të veçantë e kremtojnë këtë festë.

 

Vigjilja e Festës

Në Vigjilje të festës, Mesha e shenjtë u kremtuar në ora 18:00, të cilës i priu Don Agim Qerkini, misionar në Luzern (CH), bashkë me meshtarët. Pas meshës ishte procesioni me të Shenjtënueshmin Sakrament, procesion i përcjellë me flluska dëbore, që sapo kishin filluar të binin duke e zbukurue edhe më shumë këtë festë të madhe e shumë të dashur nga besimtarët. Pas përfundimi të procesionit, i Shenjtënueshmi Sakrament u vendos në altar për adhurim. Adhurimi me t’shenjtërueshmin sakrament ka vazhduar gjatë gjithë natës, deri në ora 8:00 të mëngjesit. Gjatë gjithë natës pati lutje, këngë, meditim, rrëfime dhe po ashtu me një ligjëratë të përgatitur për të rinjtë, të udhëhequr nga Don Dominik Qerimi.

Kështu në njërën anë Trupi Krishtit, në trajtën eukaristike, i pranishëm në altar dhe, në anën tjetër, truporja e Zojës së Lurdit në shpellën e improvizuar në kishën Shën Jozefi, ishin në vëmendje gjatë tërë natës me përshpirteni dhe devocione të ndryshme.

 

Dita e festës

Në ditën e festës së Zojes së Lurdit, pati tri meshë: në ora 8:00, në ora 9:00 në gjuhën dhe mesha solemne në ora 11:00, të cilës i ka prirë shkëlqesia e tij, Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, bashkë me shkëlqesinë e tij, Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvin tonë, dhe me meshtarë të shumtë.

Në pretkun e tij, Imzot Gjergj Meta predikoi mbi figurën e Virgjërës Mari dhe për kohën e shenjtë që po e presim, kohën e Kreshmëve. Në kishën e përplot me besimtarë, të ardhur nga shumë famulli të Kosovës, në sjelljen e dhuratave nuk munguan edhe elementet kombëtare për të përkujtuar që me imzot Gjergj Metë-n, përveç besimit, na bashkon edhe kombi. Në fund të meshës shenjte ishte procesioni tradicional me të truporen e Zojës së Lurdit, që është përcjellë me devocion të madh. Në fund Imzot Gjergj Meta falënderoi Zotin, besimtarët dhe famullitarin për mundësinë e dhënë që ta drejtoi meshën e shenjtë dhe shprehu gëzimin që ishte i pranishëm në mesin e besimtarëve të Stubllës, në këtë festë shumë të dashur nga ana e tyre.

Dashtë Zoti që kjo festë, përveçse duhet të na kujtojë dhe të na mësojë si të jetojmë, sipas shembullit të Zojës së Bekuar, të jetë po ashtu një përgatitje e madhe, një themel i fortë para fillimit të kohës së Kreshmëve. Zoja e Lurdit, lutu për ne./drita.info

Përgatiti: Anton Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »