A preokupohesh me problemet vetjake?

Feb 13 • Meditimi i ditës

13 shkurt 2018 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jak 1, 12-18; Ps 93; Mk 8, 14-21)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një çast dhe mendoj për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, gjithçkaje që është:
Hyji është në çdo të rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e kuptoj dhe e pranoj këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk  8, 14-21

 

14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. 15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!” 16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” 17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha:

“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni,

me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’

Po a nuk po ju kujtohet 19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!”

20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?”

“Shtatë!” ‑ iu përgjigjën.

21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shpesh herë jemi të preokupuar me problemet vetjake… si do të jetojmë… çka do të hamë…? Të tillë jemi ne njerëzit. Më shpesh mendojmë për nevojat e trupit sesa për nevojat e shpirtit.
  • Jezusi dëshiron sërish t`i mësojë nxënësit e vet. Sa shumë gjëra i kishin dëgjuar dhe i kishin parë nga Zotëria dhe prapëseprapë asgjë nuk e kanë të qartë. Jezusi kërkon prej tyre përgjigje dhe që nga mrekullitë që i kishin parë të nxjerrin përfundimin.
  • Jezusi këtë e dëshiron edhe prej nesh. Sa shumë të mira na janë bërë… Në eukaristi Jezusi na jepet si ushqim dhe forcë për jetën tonë. Nëse po i afrohemi se po i afrohemi tryezës së Zotit përse sillemi prapëseprapë si farisenjtë (dyfytyrësh)?

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lutem dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën time.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »