KRESHMET – kohë urate, flijimi dhe bamirësie

Nga Don Lush GJERGJI

 

Emërtimi i Kreshmëve rrjedh nga fjala latine – quadragessima – e dyzeta – kreshmët, “koha prej shtatë javësh para Pashkëve, kur besimtarët e  krishterë nuk hanë mish e bulmet” (Mikel Ndrecaj, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, 1986, f. 414).

Prejardhja e Kreshmëve si përvojë fetare, shpirtërore, flijuese dhe dhuruese, por edhe si rast falënderimi ndaj Zotit për veprën e shëlbimit – mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit për ne dhe për shëlbimin tonë, dhe bamirësie ndaj të afërmit, është mjaft e lashtë, do të thoja qysh nga koha apostolike.

 Qëllimet kryesore ishin dy:

  1. kujtimi i gjallë dhe veprues në veprën e shëlbimit, si dhe pjesëmarrja e besimtarëve në mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit nëpërmjet uratës, flijimit dhe bamirësisë;
  2. kujtimi dhe nderimi ndaj martirëve dhe martirizimit të krishterëve të parë, të cilët sipas shembullit të Jezusit e flijuan edhe jetën për dashuri ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit.

Kjo ishte njëkohësisht edhe përgatitje e afërt, “teknike” për Pashkët e krishtera, për kremtimin e ngjalljes së Jezu Krishtit, si ngjarja më e rëndësishme dhe vendimtare për çdo njeri, fitore përfundimtare ndaj Djallit, mëkatit dhe vdekjes, dhe në prizmin afatgjatë të shëlbimit, shtegtimit kah Pashkët e amshuar, kalimit në amshim.

Dyzetë ditët kanë traditë dhe mbështetje biblike:

Moisiu  agjëroi për 40 ditë para se ta merrte Ligjin e Zotit për popullin e zgjedhur (Lexo: Dal 24, 12-17);

Izraelitët për dyzet vjet udhëtuan nëpër shkretëtirë dhe ngrënën manën para se të vinin në tokën e premtuar, në Kanaan (Lexo: Dal 16, 35);

Edhe Jezusi ka agjëruar për 40 ditë para se ta fillonte jetën dhe veprimtarinë botore për shëlbimin e mbarë njerëzimit (Lexo: Mt 4, 2; Mk 1, 12-13; Lk 4, 1, 13).

Apostulli Pali e ndërlidh veprën e shëlbimit edhe me pjesëmarrjen dhe vuajtjet tona të tanishme në perspektivën e shëlbimit tonë duke shkruar kështu: “Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne” (Rom 8, 18).

Mënyrat më të përshtatshme për këtë pjesëmarrje janë: URATA, PENDESA ose FLIJIMI dhe BAMIRËSIA.

Jezusi,  vuajtjes, pësimit, mundimit, pendesës, flijimit ia dha një domethënie tërësisht të re, sepse Ai vullnetarisht, me dashuri dhe për dashuri, vuajti qysh prej lindjes në shpellën e Betlehemit, jetoi plotësisht në varfëri, dhe së fundi vdiq në kryq  mes dy hajnave, qe varrosur në një varr të huaj.

Kryqëzimi ishte dënimi më i ashpër në kohën romake, dhe çka është edhe më keq, dukej dhe interpretohej si çmenduri për paganët, si shkandull për hebrenjtë, ndërsa për ne të krishterët është i vetmi burim i shëlbimit  (khs. 1 Kor 1, 25).

Vdekja e tij në kryq është burim jete, falje, pajtimi, siguri shëlbimi dhe ngjallje për të gjithë (krh. 1 Kor 15, 3), sepse ai vdiq për mëkatet tona, sipas paralajmërimit të Shkrimit Shenjt.  Nga  vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit lindi jeta dhe ringjallja, bota e re dhe njeriu i ri, si teologjia e kryqit, e vetmja përgjigje konkrete dhe kuptimplote në shumë pse-he të mbarë njerëzimit.

Kryqi i Krishtit ka dy dimensione, vertikale dhe horizontale:

Vertikale: Ati e ka dërguar në botë për flijim dhe për shëlbim të tërë njerëzimit, dhe Biri i tij, Jezu Krishti, këtë e ka zbatuar me përpikëri dhe me dashuri – lidhja e Jezusit me Atin dhe me Shpirtin Shenjt dhe dërgimi i tij në botë;

Horizontale: Jezu Krishti këtë e bëri për ne dhe për shëlbimin tonë, atëherë pa ne, por tani së bashku me ne, që nëpërmjet kryqeve dhe flijimeve tona të jemi pjesëmarrës në vdekjen e tij, si parakusht për pjesëmarrje edhe në ngjallje, në veprën e shëlbimit.

Kështu ndërlidhet dhe gërshetohet në mënyrë të mrekullueshme hyjnorja dhe njerëzorja, dhe duke u flijuar për të tjerët, ne në të tjerët e shohim, njohim, duam dhe shërbejmë vetë JEZU KRISHTIN të pranishëm në çdo njeri, në veçanti në ata që vuajnë dhe pësojnë jetën (Lexo dhe medito: Mt 25, 31-46).

Këtë shembull feje dhe dashurie e dëshmoi anekënd botës Shën Nëna jonë Tereze, e cila thoshte kështu: “Unë jam më e lumtura në botë, sepse  24 orë në ditë jetoj me Jezusin dhe për Jezusin, me Njeriun dhe për Njeriun”.

Flijimi dhe dhurimi me dashuri dhe për dashuri është një mundësi e madhërishme që ta duam, nderojmë dhe dashurojmë Zotin nëpërmjet njeriut, dhe njeriun nëpërmes Zotit.

Ja, pra, pendesa apo flijimi ynë, që qenësisht na lidh me Zotin dhe me të afërmin, na bënë të lumtur dhe të hareshëm në këtë jetë dhe botë, dhe çka është edhe më e rëndësishme, na siguron pavdekësinë-amshimin e lumtur./drita.info

Shpëndaje: