A lutem, agjëroj dhe bëj vepra të mira me gëzim?

Feb 14 • Meditimi i ditës

14 shkurt 2018 – E Mërkura e Përhime, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Jl 2,12-18; Ps 50; 2 Kor 5,20-6,2; Mt 6,1-6.16-18)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot ,që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 6,1-6.16-18

 

1 “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.

2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”

16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kur themi “shtiracak” nënkuptojmë aktorin që luan role të ndryshme. Një njeri i tillë mund të shtiret se është i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, por pa sinqeritet. Jezus, kjo formë e sjelljes me të vërtetë të zemëron. Ti e do sinqeritetin dhe integritetin, dhe më fton t`i jetoj këto vlera.
  • Ndoshta ekziston ndonjë vepër e jashtme që e kam ndër mend ta bëj në këtë kreshmë. Njerëzit për fat të keq më së shpeshti qëndrojnë në veprat e jashtme e kur të kalojë koha e kreshmës sikur asgjë nuk ka ndodhur.

I lutem Zotit ta bëjë punën e brendshme rreth zemrës sime duke më çuar në kthim, shërim dhe rritje.

  • Lutem për përvujtëri për të cilën kam nevojë që të veproj në fshehtësi dhe pa rënë në sy gjatë kësaj kreshme. Si mund ta shijoj kthimin që e ka paraparë Zoti për mua dhe ta kuptoj nevojën time për Zotin?
  • O Atë, ti shikon në dhomat e fshehta të zemrës sime. Lutja, agjërimi dhe veprat e mira të mia në Kreshme mos të bëhen në publik, por me gëzim dhe në fshehtësi. Pastroje njëanshmërinë dhe arbitraritetin tim në mënyrë që të thellohen marrëdhëniet e mia ndërnjerëzore. Dhe e gjithë kjo vetëm për të përngjarë sa më shumë ty.

 

I jap vetes kohë që ta lexoj, ta dëgjoj Fjalën e Zotit edhe një herë, pa u ngutur, nëse duhet, e lexoj, e dëgjoj disa herë,

dhe ndalem në atë fjalë a fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Zotit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »