E Mërkura e Përhime – Hyrje në Kohën e shenjtë të Kreshmëve

Nga Don Nikson Shabani

 

E Mërkura e Përhime është dita me të cilën fillon koha e shenjtë e Kreshmëve, që është rrugëtimi ynë drejt kremtimit të Ringjalljes së Krishtit, Pashkëve. Ajo është dera e kohës së Kreshmëve.

Në jetën liturgjike dhe shpirtërore, jo çdo ditë e javës ka të njëjtën rëndësi. Në historinë e hershme të Kishës, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, ishin dy ditë që kishin karakter pendese e ninese. Këto ditë janë: e mërkura dhe e premtja. Sa i përket të premtes çdo gjë është e qartë: në këtë ditë të javës është kryqëzuar dhe ka vdekur Zotëria. Ndërsa sa i përket të mërkurës, tekstet e vjetra të shekujve të parë të Kishës na japin disa shpjegime të ndryshme, të cilët tregojnë se të krishterët kanë aluduar se Darka e Zotnisë ka ndodhur të martën në mbrëmje deri në fillim të mërkurës, dhe në atë ditë Zotëria u tradhtua nga Juda dhe u arrestua nga ushtarët romak. Një aludim të këtillë jep Didache, libri i mësimeve të Apostujve nga shek. II, dhe Shën Epifani, nga shek. V, ku thuhet se: “Të mërkurën dhe të premten ata e kalojnë në ninesë deri në orën nëntë, sepse kur filloi e mërkura Zotëria u arrestua kurse të premten u kryqëzua.”(Khs. José Aldazabal, Dizionario sintetico di liturgjia, Edirice Vaticana 2001, f. 259).

Në shek. IV u organizuan ose u caktuan katërdhjetë ditët e pendesës dhe ninesës, si kohë përgatitjeje shpirtërore për Pashkë. Koha e Kreshmëve fillonte me të dielën e parë, dhe deri për Pashkë nuk arrinte numrin e katërdhjetë, ditëve efektive pendese e ninese, sepse të dielave nuk mbahej pendesë e ninesë, pasi ajo konsiderohet përherë Dita e Zotërisë, apo Pashka javore. Për ta plotësuar numrin e katërdhjetë, në shek. VI, filloi të praktikohej që koha liturgjike e Kreshmëve të fillojë ditën e mërkurë para të dielës, e në këtë mënyrë të fitohet numri dyzetë, një simbolikë biblike e ecjes drejt lirisë, tokës së premtuar, kohës që Jezusi e kalojë në shkretëtirë.

Pra, e mërkura bëhet ditëfillimi i kohës së Kreshmës, e cila karakterizohet me ceremoninë e përhimjes: hedhjes së hinit në kokat e besimtarëve ose shenja e kryqit në ballë. Një lutje e bekimit të hinit e hasim për herë të parë në shek. XI. Praktika e djegës së rremave të pallmave, të bartura prej besimtarëve në të Dielën e Larit, i takon për herë të parë shek. XII. Liturgjia e kohës së Kreshmëve e ruan edhe sot ritin e përhimjes. Hini, që përftohet nga rrembat e djegur, është shenjë e kalueshmërisë sonë, vdekjes, rënies, shenjë e pendesës dhe përvujtërimit.

Me ritin e përhimjes, ne i përgjigjemi thirrjes së Zotërisë, i cili na fton në kthim, dhe në ecje me pendesën e ninesën kreshmore drejt përgatitjes për Pashkë. Kreshmët fillojnë me hi e përfundojnë me flakë, ujë e dritë në vigjiljen e Pashkëve. Diçka duhet të digjet, të shkatërrohet e të pastrohet në ne. E ky është mëkati, njeriu i vjetër, për të bërë vend jetës së re të Pashkëve të Krishtit.

Në Mërkurën e përhime dhe në të Premten e madhe është pendesë e ninesë e obligueshme. Kjo do të thotë se i krishteri han një vakt në ditë dhe në atë vakt nuk han mish, produkte mishi as bylmet. Sipas disiplinës së sotme kishtare ninesa është e obligueshme për katolikët nga mosha 18 vjet deri te ata 60-të.

Liturgjia e Kreshmëve na fton të kthemi e t’i besojnë Ungjillit dhe në të njëjtën kohë të kujtojmë se “jemi hi e në hi do të kthehemi”. Gjithçka kemi e jemi është dhuratë prej Zotit. Për këtë arsye ecje kreshmore duhet të jetë një shtegtim falënderimi ndaj Zotit, e shprehur në pendesë, lutje, ninesë e vepra të mira. Njëkohësisht, praktikimi i këtyre gjërave na formëson për të arrirë shndërrimin në njerëz të ri, ungjillor./drita.info

Shpëndaje: