I/e ftuar ta jetosh jetën në mënyrë zemërgjerë

Feb 15 • Meditimi i ditës

Sot është e enjte, 15 shkurt në kohën e Kreshmës

15 shkurt 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 30, 15-20; Ps 1; Lk 9, 22-25)

 

Prania e Hyjit

Tashti të gjitha mendimet po i orientoj drejt teje, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe qejfet e mia

dhe po kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 9, 22-25

 

22 E [Jezusi] vazhdoi:

“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ungjilli nuk lë dyshim: vuajtjet dhe vetë-mohimi janë karakteristikat e një nxënësi. Jezusi shkon rrugës së kryqit. Ai nuk e fshehu për ta ruajtur jetën e vet, edhe pse për të ajo kishte një vlerë të veçantë. Jam i ftuar mos ta fshehë për ta ruajtur jetën time, por ta jetoj atë në mënyrë zemërgjerë.
  • Ta marr kryqin tim çdo ditë! A më vjen menjëherë mendimi: ky është një imponim? A mos e fshij prej mendje fjalinë “ta mbart kryqin”? Jezus, ti në rregull, por mos më eja me kryq! A mos është ky qëndrimi im sekret, në fshehtësi ashtu të themi?
  • Zot, ajo në çfarë po më fton është radikale dhe në kundërshtim të plotë me të kuptuarit dhe mentalitetin e njerëzve. Pa hirin tënd unë do të ishaperson i keq: gjithmonë do të kërkoja interesin dhe kënaqjen time.
  • Sot mund të përpiqem të lejoj mendime të tilla. Por pyes veten një herë, a mos ka nevojë koncepti im i kryqit për një revizion, një rishikim? Ndoshta e shqyrtoj më nga afër: Kjo nuk do të thotë që ti të kryqëzohesh çdo ditë. As nuk do të thotë që të duhet të vuash. Dhe nëse kam fuqi të mjaftueshme për ta mbartur një kryq, si mund të jetë kjo një imponim?
  • Dhe së fundi: në punën time të përditshme, në angazhimet e mia, në familjen time – ka rrugë të gjata ku duroj, sepse e di se momente të lumtura dhe që të përmbushin ekzistojnë gjithmonë, vijnë vazhdimisht. A mund të jetë ngjashëm me kryqin? Ky mund të jetë mendimi im për sot.
  • Më ndihmo, o Zot, ta lëshoj një mënyrë jete që i shmanget çdo durimi, çdo vuajtje, çdo kryqi. Bëj që të mësoj ta pranoj jetën në mënyrën siç e kepranuar ti atë. Vetëm në këtë mënyrë do të jem një burim i mirë për të tjerët.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

  

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt nëshërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »