Kosova, 10 vjet pas Pavarësisë

Feb 16 • Editorial

Fjalimi i plotë i Sh. T. Imzot Dodë Gjergjit në Parlamentin Europian në Strasburg, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës (E enjte, 8 shkurt 2018).

 

Fort të nderuar Ekselencë,

të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

të dashur vëllezër e motra!

 

Dhjetë vjet më parë, po në këtë ndërtesë, pata nderin, të dëshmoja mbi gjendjen e Kishës Katolike në Kosovë, dhe njëkohësisht t’ju ftoja që ta përkrahni vullnetin e popullit të Kosovës, i cili dëshironte të shpallte pavarësinë e shtetit të vet. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian, që e kanë njohur Pavarësinë e vendit tim.

Po ashtu, falënderoj grupin Paneuropa, që më kanë ftuar të vij në Jubileun e Dhjetë të Pavarësisë, të dëshmoj para jush, mbi ecjen tonë 10 vjeçare.

Ju, këtu keni ftuar edhe politikanë, siç është miku im Enveri, i cili do t`iu flasë për politikën. Unë, si Ipeshkëv i Kishës Katolike, kam zgjedhur, thjesht, t’ju tregoj një histori të shkurtër të një populli të lashtë.

Njëherë, në kohë të lashta mitike, ekzistonte një popull, që i kishe zotat e vet; kishte qytetërim dhe jetonte me kodet e veta të jetës. Në shekullin e parë pas Krishtit, ky popull, pranoi predikimin e Shën Palit dhe nxënësve të tij. Për shkak se besuan, në fillim pësuan një persekutim të tmerrshëm, por me durim dhe dashuri, e konvertuan edhe Romën. Kush mund ta bënte këtë, përveçse një bir i këtij populli, Kanstandini i Madh. Të bijtë e këtij populli, u bënë misionarë të zellshëm të krishterimit, në vendet e Lindjes dhe të Perëndimit. Fryma e krishterë dhe entuziazmi misionarik që e karakterizonin këtë popull, ishte aq i madh, saqë popujt sllavë, që vinin si emigrantë në trojet e tij, nuk patën asnjë vështirësi për ta pranuar këtë frymë. Prelatët e këtij populli kontribuuan në përpilimin e Credo-s së krishterë, në Niké; përkthyen “Vulgata” (përkthimi latinisht i Biblës), thurën Himnin “Te Deum Laudamus”, dhe dhanë kontribut të madh për qytetërim dhe besim në kontinentin tonë. Këta, nëpërmjet krishterimit, qytetëruan vetën dhe vendin e tyre. Në mesjetën e hershme, kontributi i tyre për qytetërimin e Europës është i tejet i çmueshëm, dhe pjesë e pandashme e saj.  

Po në mesjetën e hershme, ky popull kishte familje fisnike, qytete me kështjella dhe katedrale, kishte manastire e universitet, kishte princër e principata. Mjerisht, atëherë kur gjithçka po lulëzonte, erdhi një ushtri e një populli tjetër që donte t’i merrte gjithçka.

Asokohe, në këtë popull të lavdishëm lindi një djalë, të cilin e quajtën Gjergj. Por, populli ardhacak që donte të merrte gjithçka, ia merrte edhe djemtë popullit te pushtuar. Ndër ata djem, ishte Gjergji nga familja e Kastriotëve. Një ditë, Gjergji i Kastriotëve u kthye në atdhe bashkë me 300 djem të tjerë, që kishin patur të njëjtin fat.

Gjergj Kastrioti, tani quhej edhe Skënderbe. Ai, posa u kthye, e çliroi Qytetin e të Atit të vet. Arriti t`i bashkonte rreth vetës princat, riorganizoi kështjellat dhe rizgjoi fuqishëm dashurinë për liri në zemrën e këtij populli.

Ky popull, e konsideronte Gjergjin – Skënderbeun, prijës drejt rimarrjes së lirisë, ashtu si Izraelitët Moisiun, këndej i bindeshin, dhe iu bashkuan në kauzën për mbrojtjen e vendit të tyre. Ai, duke i njohur fuqitë e kundërshtarit dhe synimet e tyre, nxiste Papët dhe Mbretërit e popujve të tjerë në Europës, që të organizoheshin dhe ta ndihmonin për t’u përballë me kundërshtarin, sepse, pretendonte që luftërat e tija janë pararojë e Europës së Krishterë. Mjerisht, popujt e Europës e injoruan paralajmërimin e Gjergj Kastriotit. Ata e kuptuan rrezikua vetëm kur u rrezikua Vjena.

Me vdekjen e Gjergjit, kundërshtarët dërguan ushtri të shumta, ia rrënuan kështjellat, qytetet dhe qytetërimin. Në këtë situatë, një pjesë e këtij populli u eliminua, një pjesë  u detyrua të emigronte, kurse ata që mbetën, u detyruan të nënshtroheshin. Kështu, ky popull humbi thuajse gjithçka pati dhe përfundimisht u shkëput nga rrafshi i tij natyror kulturor, fetar dhe politik – Europa. Vetëdija etnike, tradita dhe kujtimi mbi Gjergjin-Skënderbeun, mbeti vetëm ndër zonat e thella malore, ku fshiheshin të krishterët. Për fat të mirë, kjo memorie ishte më e kthjellët dhe më e kultivuar te ata që kishin mërguar në vendet perëndimore, sidomos në Itali.

Kur Renesanca arriti zenitin e vet, në vendet që sot përbëjnë Bashkimin Europian, u mendua se kishte ardhur koha të rikthehen  popujt e Ballkanit në shtratin e tyre fetar, kulturor e politik.

Mjerisht, populli i Gjergjit-Skënderbeut, nuk arriti t’i bashkohej këtij procesi. Meqenëse ia kishin grabitur lavdinë e dikurshme, pasi shumica e popullit ishte konvertuar në fenë islame, kishte mbetur nën pushtetin dhe rendin shoqëror të pushtuesit. Në anën tjetër, fqinjët e krishterë, shfrytëzuan këtë vakum dhe mungesë rezistence, për t’ia marrë territoret dhe kishat, që ata i kishin braktisur.

Për fat të mirë, popujt e tjerë të Europës, nuk e kishin harruar Gjergjin dhe popullin e tij, këndej donin që ta ndihmonin. Hapën shkolla, rindërtuan Kishat, mbështetën grupe kulturore e nisma të tjera ringjalljeje. Intelektualët e ri, klerikë e laikë, katolikë e myslimanë, që dolën nga këto shkolla, me mbështetjen e grupeve intelektuale në mërgim, si në  Lindje ashtu dhe në Perëndim filluan renesancën e vonuar në Popullin e Gjergjit. Me punë të palodhshme, ata arritën të rikthejnë memorien e lavdisë së lashtë të Skënderbeut – vetëdijen etnike dhe kulturore – e të rinisin një histori të re.

Ata, edhe pse nuk kishin shtet, nëpërmjet rilindjes së vonuar, arritën kompromisin e brendshëm historik, që do të thotë: Unitetin kombëtar e kulturor me diversitet religjioz.

Ky kompromis i dha një pamje krejt tjetër Popullit të Gjergjit. Sepse, katolikët dhe ortodoksët, së bashku me myslimanët, bashkërisht synonin  pajtimin me popujt fqinj dhe rikthim në qytetërimin europian. Ata, për vete donin shkollë, përparim, liri dhe shtet.

Fqinjët e tyre, nuk donin ose nuk arrinin t’i njihnin fqinjët e vet të dikurshëm, nga të cilët kishin marrë tokat, qytetërimin dhe fenë. Prandaj, i luftuan duke i identifikuar me sunduesin e dikurshëm. Nuk mungonin as ambiciet e tyre për t’i shtuar territoret. 

Populli i Skënderbeut, i gjetur mes ambicies për t’iu rikthyer qytetërimit të vet europian, dhe refuzimit të fqinjëve, pësoi shumë dhe mbeti mes dilemave të shumta. Bëri gabime të mëdha  historike, por  megjithatë, gjatë gjithë kohës arriti të ruante harmoninë e brendshme, unitetin etnik e kulturor dhe diversitetin religjioz, duke jetuar vëllazërisht, dhe duke nxitë njeri-tjetrin për liri, shtet dhe qytetërim. Kështu që, në fillimin e shekullit XX, popujt e Europës, ia njohën shtetin, një pjesë të popullit të Skënderbeut, që është hallka e parë e kthimit në shtratin e mëparshëm kulturorë e politik.

Kjo është historia e popullit tim, që në lashtësi na quanin Ilirë, pastaj Epirot, më vonë Arnaut, ne vetën e quajmë Arbër ose Shqiptarë, kurse të tjerët na thonë sot Albanien (Albaner).

 

Kosova – një realitet i ri politik në Ballkanin Perëndimor

Njëqind vjet më vonë, mu në kapërcyellin e shekullit XXI, shqiptarët e mbetur jashtë shtetit etnik, patën një konflikt të madh me fqinjin e tij verior. Që të mos përsëritej skenari i një shekulli më parë, Bashkësia Ndërkombëtare, nëpërmjet NATO-së, ndërhyri me forcë për të ndaluar konfliktin dhe u bë garant i paqes. 

Shqiptarët, për hir të  idealeve të hershme, kthimit kulturor e politik në qytetërimin e vet,  bashkimit me popujt e përparuar dhe pajtimit me fqinjët, hoqën dorë nga ambicia për bashkim kombëtarë, nga e drejta për shtet etnik, dhe shpallën Kosovën shtet të pavarur të qytetarëve të saj, duke garantuar me kushtetutë pakicën, që nuk do të përmbysen interesat e tyre me mbivotimin e shumicës.

Kështu, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova u bë një realitet i ri politik në Ballkan. Gjatë kësaj kohe, Kosova arriti t’i krijonte mekanizmat themeltarë të një shoqërie demokratike, të jetë e pranuar nga një numër i madh shtetesh dhe të bëhet e pranishme në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare.  

Janë arritur përparime të mëdha në fushën e sigurisë qytetare, arsimit, zhvillimit ekonomik, ndërtimit të infrastrukturës, etj. Po ashtu, duhet vlerësuar se, janë bërë përpjekje të mëdha të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe institucioneve vendore për përafrimin e qëndrimeve mes etnive që e përbëjnë shtetin e Kosovës. Duhet vlerësuar shumë arritjet në ruajtjen e paqes së brendshme, nxitjen e dialogut ndërfetarë dhe ekumenizmit ndërkishtar, si dhe garantimin e lirive për të gjitha bashkësitë.

Duke qenë se jam prijës i Kishës katolike në këtë Shtet, dua të theksoj se,  gjatë këtyre dhjetë vjetëve të Shtetit të Kosovës, nuk kemi vërejtur asnjëherë që Shteti ka patur tendenca diskriminuese. Për më tepër, kemi gëzuar mbështetje në shumë iniciativa dhe veprime, që kanë të bëjnë me të drejtat tona fetare. Kemi pagëzuar qindra persona, që janë rikthyer nga përvoja islame, kemi ndërtuar kisha atje ku s’kemi patur prani për qindra vite. Për gjitha këto, s’kemi patur as një problem. Vitin që shkoi, kemi shuguruar katedralen e kryeqytetit, që ia kemi kushtuar Shenjtëreshës sonë Shën Nënë Terezës, ku kemi festar së bashku katolikë, ortodoksë, dhe me vëllezërit tanë e motrat tona të besimit islam.

Por, përkundër këtyre vlerësimeve pozitive, nuk do të thotë që katolikët nuk kanë vështirësi për të qenë pjesëmarrës në të mirat e përbashkëta. Jo për shkaqe të diskriminimit, por për shkak të pamundësisë së depërtimit deri te to. E njëjta ndodh edhe për arsye të mungesës së perspektivës në përgjithësi.

Unë e përmenda anën pozitive të medaljes, por ekziston edhe ana tjetër e saj, që është përplot me gabime, që burojnë nga dobësitë humane dhe papërgjegjësia qytetare e ushtruesve të pushteteve, që janë: entuziazmi i madh për sukses, ambicia e tepruar për pushtet dhe lakmia për pasurim të shpejtë. Pasojat e këtyre gabimeve kanë hapë plagë të reja në shoqërinë kosovare.

Këtë gjendje e kanë ndihmuar edhe njerëzit që kanë përfaqësuar institucionet ndërkombëtare, të cilët kanë shërbyer thjeshtë si profesionalistë, e shpeshherë më shumë janë interesuar që të na imponojnë botëkuptimet – ose pirjet e tyre personale – sesa të përfaqësojnë vlerat e qytetërimit për të cilat kanë qenë të thirrur t`i përfaqësojnë.

Papërgjegjshmëria dhe neglizhenca e institucioneve të Kosovës, mungesa e unitetit në BE dhe indiferenca e disa shteteve anëtare, e sidomos rezistenca e pakuptimtë e Serbisë, e kanë shkaktuar realitetin që kemi në Kosovë, që duhet të ndryshohet doemos.

Pasi nuk jam njeri i politikës, nuk dua të hyj në çështjet politike, por si prijës i Kishës Katolike në Kosovë, dhe si qytetar i këtij vendi, ndiej dhembje të madhe kur një i sëmurë, një i ri apo një nënë që do t’i vizitojë fëmijët e vet në shtetet tuaja, vjen te unë për të kërkuar ndërmjetësim për një vizë, e unë s’mundem ta ndihmoj. Kur besimtarët e mi, por edhe të tjerët, kërkojnë nga ne që t’i ndihmojmë të gjejnë një vend pune, se përndryshe do të gjejnë rrugën për të emigruar, e shumë gjëra të ngjashme.

Për këtë, është mirë të reflektojmë të gjithë dhe t`i japim Kosovës dhe qytetarëve të saj shpresë për të ardhmen e tyre. Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!/drita.info

 

 

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »