Lutja dhe agjërimi zbulojnë urinë e brendshme për Zotin

Feb 16 • Meditimi i ditës

 16 shkurt 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 58,1-9; Ps 50; Mt 9,14-15)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm, nëse duhet disa herë,
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 9, 14-15

 

14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë:

“Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

15 Jezusi u përgjigj:

A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

  

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Farisenjtë dhe dishepujt e Gjonit agjëronin disa herë në javë. Agjërimi tregon vetëkontrollin, është një simbol i mbajtjes së zisë dhe e pastron zemrën. Megjithatë, më së shumti shpreh një uri të brendshme për Hyjin.
  • Jezusi këtu përdor konceptin e agjërimit në mënyrë që të zbulojë se ka mbërritur Hyji për të cilin Hebrenjtë kanë uri. Gëzimi, jo pikëllimi – është përgjigjja e saktë për praninë e hirit hyjnor të shpallur në Jezusin.
  • Zot, bëj që të agjëroj me mirënjohje për dashurinë tënde të mëshirshme, dhe bëj që të agjëroj duke mos përdorur sjelljen agresive ndaj atyre që ndodhen përreth meje. Bëj që lutja dhe agjërimi im të zbulojnë urinë e brendshme për ty.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »