A lejoj të ngashënjehem nga paragjykimet?

Feb 17 • Meditimi i ditës

17 shkurt 2018 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 58,9-14; Ps 85; Lk 5,27-32)

 

Prania e Hyjit

Të gjithë kemi nevojë të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.

Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.

Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,

shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia shpesh herë janë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.

I lutem Hyjit që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmes njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd ndaj meje.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Lk  5, 27-32

 

27 Pastaj Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: “Eja pas meje!” 28 Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.

29 Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë. 30 Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, murmurisnin dhe u thanë nxënësve të tij:

“Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?”

31 Jezusi u përgjigj:

“Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit. 32 Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Zyrtarët e doganave, tagrambledhësit ishin njerëz nga më të refuzuarit. Por Jezusi i vë në dyshim paragjykimet e kohës së tij. E thërret Levin (Mateun), dhe zgjon në të potencialin dhe dinjitetin njerëzor. Mateu lë tryezën me të holla dhe ulet bashkë me Jezusin në tryezën e faljes. Në zemrën e misionit të Jezusit është mëshira.
  • Zot, po më ngushëllon hapi yt drejt mëkatarëve. Më fal për momentet kur kam lejuar të ngashënjehem nga paragjykimet, kur gjykoj, refuzoj ose përjashtoj të tjerët. Dua të jenë pranë tryezës sate pa marrë parasysh kush është aty. Më jep hirin t’i përgjigjem thirrjes sate – që të shkoj pas teje kudo që ti të më udhëheqësh.

I jap vetes kohë, e lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit edhe një herë, nëse e ndiej nevojën e lexoj, dëgjoj më shumë herë, dhe ndalem aty, në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më rrëmben, që më flet personalisht.

  

Bashkëbisedimi

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi po qëndron apo është ulur afër meje,

dhe i flas gjithçka kam në mendje, çka ma thotë zemra,

si shoku shokut.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »