Kreshmët: kohë kthimi dhe besimi në Ungjill!

E Diela I e Kreshmëve – viti B

 

Leximi i parë Zan 9, 8-15

Hyji shpëton Noehin dhe familjen e tij nga përmbytja nëpërmjet arkës dhe i ofron Besëlidhjen e tij.  Mendohej se ylberi ishte si harku i shigjetarit me të cilin Hyji hidhte mbi njerëzit vetëtimat e njëjta me shigjetat hakmarrëse.  Tani Hyji e përdor Ylberin si shenjë të Besëlidhjes që u jep qetësi të gjitha stuhive të zemrës njerëzore. Ylberi bëhet shenjë e vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit që na shpëton.

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij: “Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj pas jush, e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju – mbarë, të gjitha gjallesat e tokës. Unë po lidhi besëlidhjen time me ju: nuk do të zhbihet më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton tokën.”

Dhe Hyji tha: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po e bëj ndërmjet meje e juve dhe me çdo gjallesë që është me ju për breznitë e ardhshme. Ylberin tim do ta vë në re dhe do të jetë shenja e besëlidhjes ndërmjet meje dhe tokës. Kur me re ta mbuloj qiellin, në re do të duket ylberi im, do të më kujtohet besëlidhja ime me ju e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë, ujë përmbytjeje më s’do të ketë për të zhbirë mbarë frymorët.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 25

 

Ref: Udhët e Zotit janë e vërteta dhe mëshira

————————————–

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.

————————————–

Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate,

për hir të mirësisë sate, o Zot.

—————————————-

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

—————————————-

 

Leximi i dytë 1 Pjt 3, 18-22

Nga përmbytja universale shpëton vetëm Noehi duke u mbyllur në arkë pa mundur të shpëtojë vëllezërit e tij.  Ndërsa Jezusi nuk shpëtohet i vetëm nga katastrofa e vdekjes.  Qëndron i bashkuar me të gjithë njerëzimin, duke zbritur në thellësinë e vdekjes i nxjerr jashtë dhe i shtyn të angazhohen në shërbim të Hyjit dhe të vëllezërve. Përmbytja është imazhi i pagëzimit,  që shlyen mëkatet dhe na bën të hyjmë në një besëlidhje të re me Hyjin.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, Krishti një herë vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Në të edhe shkoi t’u predikojë shpirtrave në burg, që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë – vetëm tetë frymë – shpëtuan me ujë. Ky ujë – shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon – ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por uratë e drejtuar Hyjit, për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi engjëjt, pushtetet dhe fuqitë. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,  por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Mk 1, 12-15

Ungjilltari Marku na tregon për Jezusin që u tundua nga Djalli dhe në fund del fitimtar. Paraardhësi i tij Gjoni pasi e prezantoi Jezusin para turmës si Mesia, dënohet me vdekje.  Jezusi fillon shpalljen e mbretërisë së Hyjit dhe do të bëhet shërbëtori i vuajtur, jeta e të cilit do të ofrohet si sakrificë për shpëtimin e të gjithëve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Fill pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin të shkojë në shkreti. Në shkreti qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo njeri jeton nën ndikimin e tundimit, që është tërheqja ndaj së keqes. Shpëtimtari, duke u bërë njeri, i është nënshtruar përvojës së tundimit. Ai ka përjetuar luftën kundër Djallit, duke vënë Hyjin në vend të parë.

“Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin të shkojë në shkreti”. Është Shpirti që shtyn Jezusin, e besimtarin, në shkretëtirën ku secili përballet me vetveten e me misionin që Hyji i ka besuar.

“Në shkreti qëndroi dyzet ditë”. Jezusi, në shkretëtirë, duhet të zgjedhë se cili lloj mesie dëshiron të jetë: mesia sipas logjikës njerëzore të fuqisë apo mesia i poshtëruar sipas mendimit të Hyjit. E gjithë jeta e Jezusit, si Mesi, i është nënshtruar tundimit si provës së dhimbshme, ashtu edhe nxitjes drejt mëkatit.

“Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile”. Pas përvojës së shkretëtirës Jezusi është gati të fillojë misionin e tij e të predikojë ungjillin e Mbretërisë, duke patur parasysh se ai e vepra e tij identifikohen me realizimin e Mbretërisë së Hyjit.

“Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat!”. Koha (kairos) ka arritur në fund, në plotësi, domethënë ka arritur çasti i caktuar prej Hyjit për ardhjen e Mbretërisë së Tij, që tashmë është e pranishme me Jezusin në historinë  njerëzore. Për këtë duhet kthimi, që nuk është ndryshim i thjeshtë opinionesh, por një ndryshim rrënjësor i jetës, dhe përgjigja e besimit. T’i besosh ungjillit përkthehet në një marrëdhënie personale e besimi të besimtarit me Jezusin.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, hapet sot, para nesh, ecja drejt Kreshmëve. Të lutemi që të marrim pjesë në lutjen e në pendesën e Zotit për t’u mbushur me besim e me ëmbëlsi ndaj Fjalës së Hyjit.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na drejto, o Zot, me shpirtin tënd.

L. Që Kisha, në këto Kreshmë, të ndjekë sa me afër Jezu Krishtin, fillimi i njerëzimit të ri, të pajtuar me Zotin. Të lutemi.

L. Që shoqëria moderne, që është e mashtruar nga ideja e “vdekjes së Zotit”, të mund ta gjejë në Hyjin jetën, duke u kthyer drejt së vërtetës.Të lutemi.

L. Ndërsa po përgatitemi për festën e Pashkëve, të gjejmë kohën për t’iu kushtuar lutjes e dëgjimit të fjalës së Zotit. Të lutemi.

L. Që ecja drejt kthimit te Zoti që na pret, të jetë e forcuar nga hiri i Hyjit që ne e kërkojmë dhe e kremtojmë mbi të gjitha në sakramentet e Rrëfimit e të Kungimit në Eukaristi. Të lutemi.

M. Dëgjoji, o Atë, lutjet tona e bëj që të ndjekim mësimet e Birit tënd, që na e ke dhënë si mësues të jetës. Bëj që të mos jemi të shurdhër ndaj fjalës së Ungjillit e na bëj të ri në mendime e në vepra. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(www.ecclesia.al)

Shpëndaje: