“Dashuria tregohet më shumë me vepra se me fjalë”

Feb 19 • Meditimi i ditës

19 shkurt 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lev 19,1-2.11-18; Ps 18; Mt 25,31-46)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.

Nëse ekziston diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të kërkoj falje.

 

Fjala

I jap vetes kohë dhe e lexoj, dëgjoj Fjalën e Zotit pa u ngutur, nëse duhet disa herë,

dhe ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 25, 31-46

 

31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’

46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sjellja ime më shumë se besimi zbulon se a jam njeri i Mbretërisë së Zotit. Sjellja ime me të tjerët është kriteri me të cilin ai do të sillet me mua.
  • O Zot, po më fton që të dalloj ty në të gjithë ata që janë në nevojë. Përgjigja ime qoftë e qartë dhe nënkupton vendosjen në shërbim.
  • Shën Injaci thotë se “dashuria tregohet më shumë me vepra se me fjalë,” kurse Shën Gjoni i Kryqit thotë se “në perëndimin e jetës do të gjykohemi në bazë të dashurisë.”

 

I jap vetes kohë, e lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit edhe një herë, nëse e ndiej nevojën e lexoj, dëgjoj më shumë herë, dhe ndalem aty, në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më rrëmben, që më flet personalisht.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »