Meshë në Katedrale për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Feb 19 • Kisha në Kosovë

Mesha e të dielës, në Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës, u kremtua në kushtim të pavarësisë së Kosovës, në përvjetorin e saj të dhjetë.

Vendi ynë, Kosova, sivjet ka mbushur 10 vjet të Pavarësisë, kur më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës shpallet akti më i rëndësishmi në historinë tonë më të re, dhe më i madhi në shekullin e fundit, pas Pavarësisë së Shqipërisë (1912) – tha Imzot Dodë Gjergji, në pretkun gjatë meshës për Pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, duam ta falënderojmë Zotin, në këtë meshë të shenjtë, për këtë dhuratë të madhe, që vendi ynë jeton në liri dhe në pavarësi – ishin fjalët Imzotit. Duke i uruar të gjithë të pranishmit për këtë përvjetor të shtetësisë, ipeshkvi i thirri besimtarët që gjithnjë ta kenë në lutjet tyre vendin tonë, e të jemi qytetarë të ndershëm dhe promovues të vlerave ungjillore.

Për këto 10 vjet ka pasur shumë progres, – tha Ipeshkvi – por edhe mangësi. Duhet të kontribuojmë të gjithë, pa u ndalur, në rritjen dhe konsolidimin e qytetarisë demokratike. Mangësitë dhe parregullsitë gjatë këtij 10 vjetori të parë, nuk duhet të na dëshpërojmë, por përkundrazi, duhet të na nxisin edhe më tepër të punojmë për vendin tonë. Për këtë njet, lutjet e besimtarëve u drejtuan Zotit, që në Kosovë të mbretërojë paqja dhe liria e vërtetë, virtyti i drejtësisë, solidaritetit dhe i të mirës së përbashkët, që çdo qytetarë i saj të mund të jetojë me dinjitet. E nuk u harruan, të jenë të pranishëm në këto lutje të Kishës, as ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit, e tani gjenden në amshim, që Zoti t’i shpërblejë me jetën e pasosur. Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »