Të jesh i/e njohur si person që fal

Feb 20 • Meditimi i ditës

20 shkurt 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 55,10-11; Ps 33; Mt 6,7-15)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar.

Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mt 6, 7-15

 

7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

9 Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

10 Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

12 Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

13 E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!

14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi i thërret dishepujt e vet për t’u lutur dhe i mëson ata se si të luten. Lutja, thotë ai, nuk është një formulë magjike, por një marrëdhënie e besueshme midis meje dhe Zotit. Lutja Ati ynë më thërret në thjeshtësinë dhe sinqeritetin e zemrës. Në të ekziston një varësi totale nga Hyji. Jezusi thotë: “Ati juaj e di, dhe para se ju t’i kërkoni.”
  • Jezus, lypjet në këtë lutje e vejnë Zotin në qendër të gjithçkaje. Kështu ti ke jetuar. Ti gjithmonë më dhuron faljen: Bëj që t`i gëzohem kësaj dhe të jem zemërgjerë me faljen e të tjerëve. Bëj që të jem i/e njohur si person që fal, jo si ai/ajo që gjithmonë ka diçka kundër një tjetri.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

Lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »