(Pa)përshtatshmëria ime për Zotin

Feb 21 • Meditimi i ditës

21 shkurt 2018 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Jon 3,1-10; Ps 50; Lk 11,29-32)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty, 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdor në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

I jap vetes kohë dhe e lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit pa u ngutur,

dhe ndalem aty ku ndoshta një fjalë apo fjali më prek, më flet më shumë.

 

Lk 11, 29-32

 

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni! 32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “Dikush më i madh se Salomoni” – ja se si Biri i Hyjit me përvujtëri ua përshkruan veten njerëzve që refuzojnë të besojnë. Ai, urtësia dhe mirësia e Hyjit, është në mesin e tyre, por ata janë të verbuar nga shqetësimet e veta dhe nuk e shohin.
  • A do ta bëja edhe unë një rrugë të gjatë për ta takuar Jezusin, siç udhëtoi mbretëresha e Sabës për ta parë Salomonin? A udhëtoj shpesh nëpër shtigje të shkurtra duke kaluar nga bota ime e zënë me punë deri te bota e lutjes, uratës?
  • O Zot, ti je krejtësisht më ndryshe, ti je misteri i shenjtë. Do të ndalem së përpjekuri të të zbus dhe të të përshtat për veten time. Unë do të lejoj që ti ta udhëheqësh jetën time. Ky është qëllimi i Kreshmëve.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lutem në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se si është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat që i kam.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »