Zoti gëzohet kur e njohim identitetin e tij të vërtetë

Feb 22 • Meditimi i ditës

 22 shkurt 2018 – E enjte, Katedra e Shën Pjetrit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Pjt 5,1-4; Ps 22; Mt 16,13-19)

 

Prania e Hyjit

Gjëja që përpiqem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Përpiqem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të për gjithçka që është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta kuptoj që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i qetë dhe i hapur ndaj asaj çka dëshiron të më thotë prania e Tij. 

 

Liria

Me hirin e Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në përkujdesjen tënde të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen tënde për mua.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 16, 13-19

 

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:

“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”

14 Ata u përgjigjën:

“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

15 “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”

16 Iu përgjigj Simon Pjetri:

“Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”

17 Atëherë Jezusi i tha:

“I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi në jetën tokësore ishte subjekt i një shumëllojshmërie thashethemesh dhe spekulimesh. Një ditë ai i pyeti nxënësit se ç` thoshin njerëzit për të.Por ai nuk i pyeti vetëm nga kurioziteti: ai donte t`ua zbulojë veten e tij. Ai është fytyra njerëzore e Hyjit!
  • Dhe pastaj ua bëri një nga pyetjet më të rëndësishme në Ungjill: “Po ju ç’ thoni: kush jam unë?” Ai gëzohet kur e njohim identitetin e tij të vërtetë. O Zot, më ndihmo që të të njoh më mirë!

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm edhe një herë, nëse është nevoja disa herë,
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çel zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »