Dashuria ndaj armiqve, veçoria e krishterimit

Feb 24 • Meditimi i ditës

 24 shkurt 2018 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 26,16-19; Ps 118; Mt 5,43-48)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Lutem për hirin e fesë, të besoj

në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

E lexoj, e dëgjoj tekstin, pastaj vërej çka po ndodh në zemrën time…

 

Mt  5, 43-48

 

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Fjalët e dashurisë dhe tolerancës ndaj armiqve tanë dhe gjithë atyre që na kanë lënduar janë të rënda. Dashuria ndaj armiqve është e pranishme vetëm në krishterim. Kjo është gjëja më e vështirë në botë, dhe vetëm shembulli i Jezusit në pësime na bën të mundur për ne. Nëse nuk i duam armiqtë, nuk e kemi ende mbretërinë e Hyjit.
  • Në lutje mund të lutemi për ata që janë sjellë keq me ne. Lejo që në imagjinatën tënde të shkëlqejë dielli edhe mbi ta. Falja, pajtimi do të vijë herët a vonë. Jezusi ka vdekur për të gjithë njerëzit; në vendin tonë, në vdekjen e Jezusit i takojmë të gjithë ata për të cilët ai ka vdekur. Hyji e di që ne ngadalë i qesim në dritë lëndimet tona më të thella. Zoti është me ne në dashurinë, në lëndimet dhe armiqësitë e jetës sonë.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lutem.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »