Jezusi i shndërruar është fytyra e vërtetë e Hyjit dhe e njerëzve

Feb 24 • LEXIMET E SË DIELËS

 E diela II e Kreshmëve (B)

 

Leximi i parë   Zan 22, 1-2.9.10-13.15-18

Hyji i kërkon Abrahamit të ofrojë birin e tij. Kjo nuk është e çuditshme nëse mendojmë për sakrificat e fëmijëve që bëheshin në ato kohë. Por Hyji shpëton Izakun për t’i treguar popullit të tij që Ai dënon disa tradita. Megjithatë lejon që Abrahami të arrijë deri në pikën e sakrifikimit për të provuar besimin e tij. Besimi i Abrahamit, i gatshëm të dhurojë atë që ka më të dashur, arrin këtu pikën më të lartë. Këtë ofertë që Hyji nuk e ka dashur nga Abrahami, e ka kryer Ai vetë në vdekjen e Birit të tij.

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek jam!” I tha: “Merre djalin tënd të dishirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër kodrat që do të ta tregoj.” Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. E shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet. Kur, qe, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham!” Ky iu përgjiùgj: “Urdhëro!” Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tash po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin tënd të dishirit.” Abrahami i çoi sytë lartë dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: “Pasha mua – është fjala e Zotit – pasi e bëre këtë gjë dhe nuk të është dhembshur djali yt i dishirit, unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   116

 

Ref: Do të eci para Zotit në tokën e të gjallëve

————————————————-

Besoj edhe atëherë kur më duhet të them:

“Jam i pafat për së tepërmi!”

E çmueshme është para Zotit

vdekja e shenjtërve të tij.

————————————————-

O Zot, unë jam shërbëtori yt,

shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.

Ti i këpute hekurat e mi:

Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,

me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

————————————————-

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit

në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit,

midis teje, o Jerusalem!

————————————————-

 

Leximi i dytë   Rom 8, 31-34

Pali imagjinon se besimtarët paraqiten në gjykatën e Hyjit për t’u gjykuar mbi tradhtitë dhe pabesnikëritë e tyre. Por gjithashtu pohon se askush s’mund të na akuzojë, nga momenti që gjykatësi është nga ana jonë me kusht që edhe ne të jemi në anën e tij. 

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, çka të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! Kush do të dënojë? Krishti Jezus vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit: Ai ndërmjetëson për ne! Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Mk 9, 2-10

Jezusi i shndërruar është fytyra e vërtetë e Hyjit dhe e njerëzve.  Po a është e mundur që Mesia të jetë ky njeri që vazhdimisht përndiqet dhe në fund kryqëzohet? Është ky aspekti më tronditës i Ungjillit. Siguritë tona të besimit mbështeten mbi përvojën e vetme të apostujve. Nuk do të ketë përveç Jezusit një Mesi tjetër të kryqëzuar që shpëton njerëzit. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë, dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tija u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. Atyre ju dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin. Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po i ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – djali i Dishirit! Atë dëgjoni!” Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta. Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë deri që Biri i njeriut të mos ngjallet prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë, por njëri-tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Asnjë njohje e asnjë dije njerëzore mund të depërtojnë misterin e krishterë (planin hyjnor të shpëti-mit). Vetëm në lutje e në kundrim mund të njohim dhe të duam Krishtin.

“Jezusi i mori me vete Pje-trin, Jakobin e Gjonin”. Jezusi do të edukojë dishepullin në ndjekjen e kryqit që kërkon gatishmëri për të hequr dorë nga vetvetja dhe martirizim. “Dhe u shndërrua para tyre”. Në Jezusin ndodhi një shndërrim i fytyrës dhe i veshjeve të tij. Marku na bën të kuptojmë se ajo që dishepujt shohin është vepër e Hyjit e tregon lavdinë qiellore të Jezusit.

“Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit …”. Pjetri është i lumtur të jetojë më parë lumturinë qiellore e të qëndrojë në praninë hyjnore të Jezusit, në shoqërinë e Moisiut modeli i Mesisë së vërtetë, e të Elisë, profeti i shumëpritur i kohrave të fundit.

S’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas”. Frika mund të rrjedhë nga dobësia njerëzore që refuzon kryqin e persekutimin që do të ndodhë për Jezusin e për dishepujt e tij. Pohohet në mënyrë indirekte që nuk ka lavdi të ngjalljes nëse nuk kalohet nëpër udhën e kryqit.

“U duk një re dhe … prej resë u dëgjua një zë”. Ftesa për të dëgjuar Jezusin, Birin e Dashurisë, është një ftesë për të pranuar shpalljen e mundimeve të tij, vdekjen dhe ngjalljen. Është edhe një ftesë, për ta ndjekur, që kryqi e sjell me vete. Pjetri përfaqëson të krishterët e të gjitha kohrave që refuzojnë vuajtjen e Krishtit në jetën e tyre.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Shën Pali sapo na ka thënë se së bashku me Krishtin do të na jepet çdo gjë. Ky mendim le të na forcojë në vështirësi e të na ndihmojë për të mos dyshuar kurrë në mirësinë e Zotit. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën, që të vazhdojë të dëshmojë me fjalë e me vepra, fenë në Krishtin, Shpëtimtarin e vetëm të botës. Të lutemi.

L. Për ata që janë të tërhequr vetëm nga të mirat tokësore: që ta kuptojnë kotësinë e të kërkojnë mbi çdo gjë të mirat e përjetshme. Të lutemi.

L. Për të gjithë punëtorët; të fushave e të ofiçinave e të zyrave; që lodhja e tyre, e hedhur në kelkun hyjnor, të ndihmojnë në shërimin e botës. Të lutemi.

L. Për ne: që pjesëmarrja jonë në Eukaristinë e së dielës, të jetohet ashtu siç e jetuan nxënësit mbi malin Tabor. Të lutemi.

M. O Zot, mbi Tabor i ke dhënë dëshmi Birit tënd, për të përgatitur apostujt për dramën e mundimeve. Na mëso që të falënderojmë në gëzim e të jemi besnikë në vështirësi. Ti që jeton e mbretëron ne shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »