A mos i gjykoj dhe përbuz të tjerët?

Feb 26 • Meditimi i ditës

26 shkurt 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 9,4b-10; Ps 78; Lk 6,36-38)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

duke më nxitur butësisht në atë çka është e mirë.

Lutem për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj/ndiej veten sot? 
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 6, 36-38

 

36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”

37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt:

 

  • Jezusi edhe një herë e thekson rëndësinë e marrëdhënieve të mira me të tjerët. Bota do të ishte më e mirë nëse do të ishim më të mëshirshëm dhe nëse nuk do të gjykonim, dënonim. Më ndihmo që të pushoj së përbuzuri, urryeri dhe gjykuari të tjerët.
  • O Zot, zemra ime e varfër është shumë e vogël dhe di të ngurtësohet shumë. Kur i fal të tjerët, zemra ime bëhet si e jotja, dhe ti më pushton mebujarinë, zemërgjerësinë tënde. Kjo më pëlqen!

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë nuk di çka do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »